TIRANË- Gjithë jetën e tij ka gdhendur materiale të ngurta dhe u ka dhënë formën që donte, por me këtë virus e kishte të pamundur! COVID-19 u tregua më i fortë se skulptori Arben Bajo, duke i marrë jetën në moshën 53-vjeçare. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka dhënë një nga miqtë e tij, Arbër Kadia.

“Mëngjes i trishtë! Duararti Arben Bajo nuk i’a doli dot, fitoi COVID-19! Paqe e përjetshme për ty mjeshtër!”, shkruan Arbër Kadia. Skulptori ishte në gjendje të rënë për jetën.

Familja e skulptorit Arben Bajo që u nda nga jeta ditën e sotme ka kërkuar mirëkuptimin nga të gjithë për të evituar grumbullimin në ceremoninë e përcjelljes drejt banesës së fundit për shkak të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

 "Me dhimbje e madhe e trishtimin qe le pas humbja e njeriut tone te dashur dhe artistit Arben Bajo, na duhet te kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë miqve, studenteve e dashamirësve për evitimin e grumbullimit ne ceremoninë private te përcjelljes për në banesën e fundit të të dashurit tone. Ju falënderojmë për lutjet dhe ngushëllimet tuaja . Me respekt nga familja Bajo”, shprehen familjarët. 

 

Postimi i Arbër Kadia

Ditën e djeshme miqtë e tij bënin apel për ndihmë, pasi Bajo kishte nevojë për gjak të grupit A negativ. Edhe pse donatorët u gjendën, fatkeqësisht nuk mjaftoi për të shpëtuar Kadia.

Kush ishte Arben Bajo?
Arben Bajo ka lindur në vitin 1967 në Gjirokaster, ka kryer liceun në Fier dhe studioi skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë, (1988-1992). Ai ka hapur shumë ekspozita personale në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Arben Bajo është realizuesi i shtatores së At Zef Pellumbit që ndodhet në Shëngjin, punim të cilin e ka bërë bashkë me djalin e kryeministrit Edi Rama, Gregori. Bajo ka realizuar edhe skulpturën e Asim Zenelit, Vaçe Zelës në Lushnje, etj.

Gjatë gjithë krijmtarisë së tij Arben Bajo njihet si skulptor figurtiv, por me një këndvështrim bashkëkohor. Ai numëron nëntë ekspozita personale e të pafundme kolektive dhe ajo që vërehet më së shumti në veprat e tij janë mesazhet që përcjell për humanizmin. Studioja e Arben Bajo ka portrete të shumta, nudo femërore, si dhe personazhe mitologjikë.