Humbin 2 vepra arti, Presidenca
kthen vetëm 12,një pjesë të dëmtuara

Humbin 2 vepra arti, Presidenca<br />kthen vetëm 12,një pjesë të dëmtuara
TIRANE- Janë kthyer 12 vepra të tjera arti në pikturë dhe skulpturë dje në Fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve (GKA), të cilat i ishin marrë këtij fondi nga Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë për arsye ekspozimi në ambientet e institucionit.

Aksioni i verifikimit dhe kthimit të veprave në GKA ka nisur disa javë më parë nga drejtori Artan Shabani dhe stafi i GKA-së dhe po kryhet në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse. 

“Falë kësaj pune, sot, institucioni i Presidentit të Republikës i dorëzoi GKA-së, 5 piktura dhe 7 skulptura. Veprat në fjalë janë marrë nga Galeria e Arteve në vitin 1981 dhe 2005 me të drejtën e ekspozimit në Institucionin e Presidentit të Republikës. Nga 14 vepra të dokumentuara, u bë i mundur rikthimi i 12 syresh, ndërsa 2 vepra të tjera mbeten për procedim të mëtejshëm”, njoftojnë nga zyra e shtypit të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke u shprehur më tej se pas një procesi jo të lehtë verifikimi, i cili është duke vazhduar, brenda një kohe të shkurtër, falë edhe mirëkuptimit të titullarëve të institucioneve shtetërore përgjegjëse, është realizuar kthimi në Fondin e GKA-së i një numri të konsiderueshëm veprash.

Këto vepra që mbajnë firmën e artistëve më të njohur të pikturës dhe skulpturës shqiptare janë shpërndarë në disa institucione. Sipas burimeve nga zyra e shtypit “Një pjesë e veprave janë ende në gjendje të mirë, disa kanë pësuar dëme të konsiderueshme, ndërsa të tjera kanë humbur. “Qëllimi i këtij akti, që po ndërmerret nga është që kjo pasuri e çmuar kombëtare të shpëtohet, të restaurohet dhe të ruhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, për t’u bërë e ekspozueshme për publikun”, është shprehur drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve.

Veprat e dorëzuara nga Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë janë: Vangjush Mio-“Peizazh me rëke”, Arben Basha-“Peizazh industrial”, Zef Kolombi-“Kostum shkodran”, Sali Shijaku- “Fshati kufitar”, Qirjako Meniko-“Mijëra në aksion”, Ilir Hoxha “Gjyshja”- skulpturë në dru, Adnan Bushati- “Vajzë”, skulpturë në dru, Vladimir Topi-“Onufri“, skulpturë në dru, Pirro Dollaku -“Rilindasi”, skulpturë në gur, Vladimir Kaçaku-“Komiti”, skulpturë në gur, Sofokli Koçi -“Ditë feste”, Mihal Rama -Vazo dekorative, në qeramikë.
 
Si nisi procedura e kthimit të veprave të artit në GKA
Në vitet 1980-90 rreth 120 vepra arti kanë dalë nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve për zbukurimin e institucioneve shtetërore. Procesverbalet dhe dokumentacionet e tyre janë ruajtur të paprekura në Galerinë Kombëtare. Drejtori i GKA-së Artan Shabani ka nisur kërkimin për të mësuar vendndodhjen e veprave, duke aplikuar kërkesat, të cilat ua ka drejtuar institucioneve shtetërore, që t’i kthejnë këto vepra në fondin e GKA-së. Procesi ka nisur fillimisht me kthimin e 10 veprave, një muaj më parë, 5 prej të cilave i kishte Kuvendi i Shqipërisë. Pasi kanë mbaruar procedurat e para të kthimit, kërkimi është shtrirë në gjitha institucionet shtetërore të Shqipërinë, ku mendohet se mes tyre ka edhe vepra që kanë humbur. 
 
(Ne foto: Piktura e Zef Kolombit e kthyer në Galeri)

Shkrimi u publikua sot (10.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

SHBA, thirrje Venezuelës të bëjë sa më shpejt publike të dhënat e plota për zgjedhje

SHBA, thirrje Venezuelës të bëjë sa më shpejt publike të dhënat e plota për zgjedhje