TIRANË- Humbja 5-0 me Anglinë, për ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare, Rudi Vata shërbeu për të nxjerrë në pah “frymën e keqe profesionale”, që ekziston sipas tij në kampin kuq e zi, duke nisur që nga nepotizmi e duke përfunduar deri te shitja e ndeshjeve.

Fajtor kryesor për këtë, ai bën Armando Dukën, që për nga mënyra se si po drejton Federatën Shqiptare të Futbollit prej vitesh, e ka krahasuar me ish diktatorin e Kilit, Augusto Pinoçeti.

“Futbolli shqiptar ka shumë probleme dhe mendoj që ka shumë probleme dhe mendoj që është i helmuar nga shumë fenomene negative si nepotizmi, qokat, shtitblerja e ndeshjeve, është një frymë e keqe në ekipin kombëtar, është një atmosferë jo profesionale. Po të shikosh edhe presidenti i Federeratës shqiptare është në një farë mënyrë një formë e Pinoçet-i i futbollit shqiptar”, tha Vata.

Shembulli konkret për të treguar se asgjë nuk po shkon siç duhet me kombëtaren, sipas Vatës është lënia jashtë e futbollistit Armando Broja. Vata lartëson 20-vjeçarin në nivelin e Robert Lewandowskit dhe përjashtimi i tij, për ish-kapitenin është fyese për çdo tifoz.

“Unë si qytetar si shqiptar nuk e pranoj që presidenti i futbollit i vendit tim dhe trajneri italian i moshuar të denigrojë figurën e një prej futbollistëve më të mirë që ka prodhuar historia e futbollit shqiptar”, tha ai për Report TV.

Kritikat nuk i ka kursyer edhe për trajnerin Edoardo Reja, për të cilin është i bindur se eksperiencës së tij në stolin e kuqezinjve u ka ardhur fundi.

“Trajneri është i pari që duhet larguar, përderisa ne kemi grupin më të talentuar të futbollistëve, përderisa kemi një skuadër siç është Hungaria që ne e quajmë inferiore karshi nesh se kemi 2 ndeshjet e fundit që kemi fituar me ne, e njëjta Hungari mori një barazim në Wembly, pra cila është arsyeja që ne shpërfytyrohemi në një mënyrë të tillë”, përfundoi ish-kapiteni i kombëtares në hapësirën e sportit të së dielës në Report TV.

Intervista e plotë