Rrëzimi i Aleksandër Vuçiçit nga studentët në Serbi pritet të ketë jehonë edhe në Shqipëri, por a mund të përsëritet në Tiranë ajo që ndodhi në Beograd?
Ish-deputeti Ralf Gjoni dhe analisti Ben Andoni, të ftuar në emisionin “Sot Live” në Report TV, panw ngjashmëri mes protestave në dy vendet, por edhe dallime thelbësore.
Gjoni parashikoi se fitorja e studentëve serbë do të shtojë presionin ndaj Edi Ramës, ndërsa Andoni theksoi se në Serbi protestat u kthyen në një lëvizje të organizuar ndërsa në Shqipëri mungojnë organizimi dhe figurat me autoritet që mund t'i japin drejtim protestës.
“Ka një paralelizëm në disa drejtime. Ka një paralelizëm mes Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit, dy liderë autoritarë me mbi një dekadë në pushtet. Ka një miqësi mes të dyve që jo gjithmonë ka qenë negative. Çfarë e çon popullsinë të reagojë? Në Serbi u desh shembja e një ndërtese në një stacion treni dhe 16 jetë të humbura, që ndezi flakën që zgjati dy vjet. Në Shqipëri ishte ishulli i Sazanit, që kulmoi me Flamingon dhe tani është transformuar te protesta e studentëve. Ka të ngjashme, por ka edhe ndryshime. Serbët janë një popull që reagojnë, që kanë pritshmëri për standarde të larta. Nga ana tjetër, ka ndryshim për sa i përket dinamikës së brendshme. Studentët bënë një listë me kandidatë. Janë një popull që voton e numëron votën. Ne nuk kemi besueshmëri te vota dhe sistemi elektoral është i deformuar. Unë shoh më tepër ngjashmëri mes Tiranës dhe Beogradit. Ajo që bëri Vuçiç dje, që pranoi humbjen dhe e la pushtetin në mënyrë paqësore, tregon qytetari që ne nuk e kemi. Në Beograd studentët festonin fitoren, në Tiranë studentët rriheshin se protestojnë. Huliganët duhen trajtuar si të tillë dhe shteti duhet t'i mbrojë qytetarët dhe bizneset prej tyre. Efekti i lëvizjes sizmike të Beogradit do të ndihet edhe në Tiranë së shpejti”, tha Gjoni.
Ndryshe nga Gjoni, i cili u përqendrua te ndikimi politik i humbjes së Vuçiçit, Ben Andoni analizoi mënyrën si u organizuan protestat në Serbi dhe pse, sipas tij, lëvizja në Shqipëri nuk ka arritur të ndjekë të njëjtën rrugë.
“Protesta atje u kthye në lëvizje, ndërsa te ne ka shkuar në gjysmëanarki. Në Beograd ata e mbajtën larg opozitën, u organizuan me plenumet e universiteteve, ku fakultetet e Shkencave Politike dhe Filozofisë ishin pjesë e superstrukturës që organizonte dhe drejtonte dhe nuk donin të identifikoheshin. Protesta në Shqipëri i ngjan pak asaj të Beogradit, por i mungon pjesa organizative. Komuniteti i madh i pedagogëve nuk ka nxjerrë individë që artikulojnë politikisht. Në Beograd doli Gjokiç, rektori që artikuloi në emër të studentëve problematikat e sistemit arsimor, që e mbajtën si karburant protestën, dhe problemet thelbësore të shtetit serb. Ne nuk kemi individë të tillë që të kenë autoritetin moral dhe shkencor. Ata thirrën teknokratët, por te ne nuk po duken”, tha Andoni.
Gjoni iu rikthye situatës politike në Shqipëri, duke theksuar se mungesa e një alternative të besueshme kundër qeverisë e ka ndihmuar Ramën të qëndrojë në pushtet. Megjithatë, ai parashikoi se kryeministri do të përballet me presion të vazhdueshëm gjatë muajve të ardhshëm.
“Jam dakord që për momentin forcat antiqeveritare në Shqipëri janë të paqarta, kaotike e pa platformë. Mungesa e një alternative të besueshme ka bërë që Rama të vazhdojë i qetë e të mos japë dorëheqjen. Unë besoj se do të ketë efekte në Tiranë. Me aksionin e SPAK, Rama do ta ketë moralisht shumë të vështirë të qëndrojë i qetë në pushtet. Ai ka humbur dy shtyllat kryesore: futjen e Shqipërisë në BE dhe krijimin e një trashëgimie. Ai do të jetë nën presion të vazhdueshëm. Edhe po u shua protesta, do të ketë vatra. Do të ndodhë diçka, një fatkeqësi, diçka, por në muajt në vazhdim do të ketë vatra. Rama dhe Berisha janë në parehati totale. Rama nuk është i kënaqur me atë që i ka ndodhur Vuçiçit në Beograd”, deklaroi Gjoni.








Komente
Komento