Humor, muzikë, aktrim! Në emër të jetës, artistët: Të disiplinuar do ta fitojmë luftën me koronavirus (VIDEO)


Lufta ndaj koronavirus ka bërë bashkë artistët në të gjithë botën dhe ashtu sikurse gjithmonë ka qenë misioni i tyre, ata edhe karantina kanë sjellë art nga shtëpitë e tyre.
Humor, muzikë, aktrim, mesazhe sensibilizuese, të gjitha në një emërues të vetëm: Në emër të jetës.
Sot më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë të ndërgjegjësohen se edhe pak ka mbetur, edhe pak kohë e pak përpjekje na duhet që të shpëtojmë nga koronavirus pa lëndimë zemrash. Ky është edhe thelbi i mesazheve të artistëve në mbarë botën, por edhe në Shqipëri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:11
Një buqetë dashurie dhe shprese nga poetja Natasha Lako

Përmes vargjeve, poetët kanë përçuar ndër më të vështirat periudha, rreze të ngrohta shprese në zemrat e atyre që kanë vesh për poezinë. Një nga penat më të ngrohta të këtij zhanri, poetja Natasha Lako, përmes zërit të bashkëshortit të saj, kineastit Mevlan Shanaj, i dhurojnë publikut të “Report tv”, një fllad pranveror poezie. Për festën e pafestuar të Ditës së Verës, e ditët që pasojnë nën ankthin e përhapjes se virusit korona, për lulet që s’keni nuhatur, dy artistët ju dhurojnë një buqetë dashurie njerëzore, shprese e optimizmi.

Ora 15:10
“O shpirt sa të du” sopranoja: Këtë betejë duhet ta fitojmë bashkë

Sopranoja Ana Lushi, e cila këto ditë qëndron e vetizoluar në shtëpinë e saj në Itali interpreton këngën qytetare shkodrane “O shpirt sa të du”, edhe u bën thirrje shqiptarëve që të jetë të duruar, pasi vetëm duke e luftuar së bashku do të dalim nga kjo situatë.

Ora 14:25
Me “Agimet shqiptare”, Solen Alla: Urojmë sa më pak të prekur nga ky virus

Baritoni përmes këngës “Agimet shqiptare” të Avni Mulës u bën thirrje të gjithë shqiptarëve, që të qëndrojnë në shtëpi në këto ditë të vështira. 

Ora 14:21
“Dua më shumë Shqipërinë”, Eva Golemi me të bukurën këngë ‘zbut ankthin’ e shqiptarëve (VIDEO)

Të vetizoluar brenda shtëpive, për shkak të pandemisë COVID-19, njerëzit kanë nevojë për më shumë se kurrë për një shtysë të brendshme, që të mbajë shpresën gjallë. Arti mbetet gjithmonë, leva që zhvendos mendimet negative, e artistët shqiptarë për bashkëkombësit nuk i kanë kursyer dhuntitë e tyre.

Artistja Eva Golemi, imazh i muzikës klasike shqiptare, besnike e skenës vendase, misionin e saj, e rimerr prej ambienteve të saj familjare, për të zbutur zemrat edhe ankthin e shqiptarëve. “Dua më shumë Shqipërinë” me zërin magjik të Golemit, troket në shtëpitë tuaja për t’ju thënë me të bukurën këngë, se edhe kësaj here ky vend, do të qëndrojë i pamposhtur edhe së bashku do t’ia dalim mbanë.

Ora 12:49
“Palaço në cirk” nga nxënësit-liceistë të “Jordan Misjes” (VIDEO)

Nxënësit-liceist të “Jordan Misjes” kanë realizuar projektin “Palaço në cirk”. Nga shtëpia e tyre artistët e së ardhmes përmes platformës së mësimit online sjellin imitime të numrave akrobatikë.

Ora 12:44
Zake Prelvukaj: Duhet të pranojmë se bota ka ndryshuar (VIDEO)

Piktorja Zake Prelvukaj nga studioja e saj në Kosovë na rrëfen se si janë këto ditë për të. Ajo mendon se bota ka ndryshuar edhe këtë fakt duhet ta pranojmë të gjithë, por duhet që jemi të kujdesshëm, që e ardhmja të jetë më e mirë se e shkuara.

Ora 12:40
Rokeri shqiptar interpreton coveri-n e “She’s gone” të Steelheart (VIDEO)

Rokeri i njohur Eugent Bushpepa sjell kësaj here me një interpretim të jashtëzakonshëm nga karantina coverin e këngës “She s’gone” të Steelheart. Zgjedhjet e Bushpepës kanë qenë këto ditë ndër më të përlyerat për shqiptarët në shtëpitë e tyre.

Ora 12:34
Higjiena dhe të puthurat, sipas revistës “Dituria” të Mit’hat Frashërit, Elsa Skënderi: Lexoni autorët shqiptarë (VIDEO)

Pedagogia e Gjuhë-Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Elsa Skënderi, përmes një videomesazhi për “ReportTV” rrëfen se përse në këto kohë të vështira për shkak të COVID-19, leximi i autorëve shqiptarë është shumë i rëndësishëm për informacione kulturore, historike dhe filologjike.

Ora 12:28
“Kur më vjen burri nga stani” & “Zare trendafile" sopranoja sjell dy perlat e muzikës shqiptare (VIDEO)

Sopranoja Ramona Tullumani kësaj here vjen me dy perla të muzikës qytetare shqiptare “Kur më vjen burri nga stani” dhe “Zare trendafile”. Dikur këngët e njohura i ka interpretuar Tefta Tashko, ndërsa sot Tullumani shoqërohet në piano nga pianistja Ardita Bufaj. Produksioni muzikor është realizuar nga Klodian Qafoku.

Ora 11:24
Aleks Seitaj zbulon planet: Video e radhës e humorit, e sugjeruar nga Ronela Hajati (VIDEO)

Aktori i humorit Aleks Seitaj, ka zbuluar në emisionin "Rreze Dielli" 'planet' për videot e tij të humorit, ku vë në lojë 'zakonet shqiptare të karantinës'.
Ai thotë se do të integrojë brenda edhe personazhe të njohura shqiptare. Ndërkohë, video që do të publikojë nesër, është e sugjeruar nga këngëtarja Ronela Hajati. 
"Jam i hapur për çfarëdolloj ideje, bashkëpunimi dhe pse jo në të ardhmen do të ketë edhe personazhe të tjera. Përshembull, skeçi i ditës së nesërme është sugjeruar nga Ronela Hajati".zbulon aktori i humorit. 

Ora 11:17
"Mamaja" më e njohur e Instagramit: Skeçet, me robdishamberin e pajës së mamasë (VIDEO)

Aktori i humorit Aleks Seitaj ka zbuluar se videot e tij të humorit i bën me robdishamberin e mamasë.
Po, po! Jo vetëm që frymëzohet nga sjelljet e saj, por edhe vesh veshjet e saj për të luajtur rolet në videot që realizon në Instagram. Megjithatë aktori i humorit thotë se i ruan me fanatizëm, pasi mamaja e tij i ka që prej kohës së pajës.
"Robdishambri është i pajës së mamasë sime. Kështuqë sa herë xhiroj duhet ta kem me shumë kujdes, sepse nëse i ndodh dicka nuk e di çfarë do të bëj" thotë Seitaj.

Ora 11:03
Stilistja Stela Sallaku tregon si të bëni vetë maskat që ju mbrojnë nga koronavirus (VIDEO)

Stilistja Stela Sallaku në një video dërguar për emisionin "Rreze Dielli" në Report Tv ka treguar sesi të bëjmë një maskë në shtëpi, duke e realizuar vetë një të tillë.

Ora 10:45
'Mamaja më grisi vërtet trikon' Aleks Seitaj tregon prapaskenat e skeçeve të tij (VIDEO)

Na ka shoqëruar me videot e tij plot humor gjatë ditëve të karantinës, duke zhvendosur spektaklet e humorit brenda karantinës së tij.
Bëhet fjalë për Aleks Seitaj, aktorin e humorit i cili realizon vazhdimisht situata humori nga brenda shtëpisë, situata që ndoshta hasen në shtëpitë e gjithsecilit.
I ftuar në emisionin "Rreze Dielli" ai thotë se për skeçet e tij i ka marrë idetë nga sjelljet e përditshme të mamasë së tij, ndërkohë që zbulon se vërtet mamaja e tij i ka grisur një triko për të marrë pluhurat.
Ai thotë se këto video funny nisën si dëshirë për të kaluar kohën, por që e sheh edhe si një mënyrë që në të ardhmen ta kthejë në personazh.

Ora 09:35
Koronavirus/ Këngëtarja e muzikës popullore: Popujt e disiplinuar, më pak pasoja (VIDEO)

Këngëtarja kosovare e muzikës popullore Shkurte Fejza i është bashkuar thirrjes për të qëndruar në shtëpi.
Ajo thotë se koha ka treguar që popujt e disiplinuar e kanë kaluar me më pak pasoja situatën e krijuar nga koronavirus, ndërsa bën apel për respektim të masave të vendosura.
"Zoti ju bekoftë shqiptarë, kudo që jeni. Uroj të shihemi në ditë më të mira.", shkruan këngëtarja aq e dashur për të gjithë shqiptarët.
 

Ora 09:33
Kreativitet në karantinë, Edona Llalloshi këndon 'Moj shami e kuqe, moj shami e verdhë' (VIDEO)

Të shumtë janë personazhet e njohur që kanë sjellë për publikun këngë nga karantina e tyre. Edhe Edona Llalloshi ka publikuar një video ku këndon nga shtëpia 'Moj shami e kuqe, moj shami e verdhë', duke argëtuar ndjekësit e saj në këto ditë kur kontakti i vetëm me botën e muzikës është nëpërmjet rrjeteve sociale.

Ora 09:27
'Taramelja' Xheison Bafti: Shumë shpejt do të kthehemi si më parë, do të dalim në rrugë dhe...do të ketë prap trafik (VIDEO)

Të gjithë e mbajmë mend vogëlushin Xheison Bafti, i cili krahas mënyrës së veçantë të të shprehurit, preku zemrat e shqiptarëve edhe me historinë e tij.
Pafajësia e një fëmije depërton thellë në zemra edhe kur ata përpiqen të japin mesazhe optimizmi, si për të thënë se çështje si koronavirus janë sfida që na bëjnë ta shohim me një tjetër sy botën dhe të përpiqemi të jemi njerëz më të mirë.
Në një video mesazh, Xheison shprehet optimist se shumë shpejt kjo do të mbarojë dhe se jeta do t'i rikthehet normalitetit, bashkë me të bukurat dhe defektet e së përditshmes.

Ora 09:26
Humor karantine/ Aleks Seitaj sjell 'Mysafirët' (VIDEO)

Rrjetet sociale të aktorit të humorit Aleks Seitaj janë kthyer në një vend ku realiteti i karantinës preket me nota humori.
Të gjitha ngjarjet që ndodhin brenda një familje, shqetësimet për gatimet, thyerjen e gotave, mungesën e shoqërisë duket sikur janë mishërim i asaj që ndodh brenda shtëpisë të gjithsecilit prej nesh.
Këtë herë, Seitaj ka vendosur të sjellë 'hallet e mikëpritjes' në kohë koronavirusi.



D.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja