Gazetarja Klodiana Lala do të bëjë kallëzim penal ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, pas insinuatave publike të kësaj të fundit për lidhje të gazetares me agjentë serbë. Hyseni i bëri aludimet e saj, pikërisht pasi u pyet nga Lala për materialet e klasifikuara që kishin përfunduar në duart e Ergys Agasit.
“Ajo që Hyseni bëri ndaj meje është shantazh për shkak të detyrës dhe sepse kam raportuar për çështjen e saj. Nga ana tjetër është të dhe një mënyrë për të shantazhuar dhe të tjerë, përfaqësues të medias apo politikanë, që të mos flasin për rastin e saj”, thotë Lala për “Shqiptarja.com” duke shtuar se “në këtë histori nuk ka asnjë të vërtetë. Dhe për këtë Hyseni do duhet të përballet me drejtësinë. Që nesër do të dorëzoj kallzim penal”.
Organizata të mediave dënuan deklaratat e ish kreut të SHISH-it, Hyseni. Unioni i gazetarëve shqiptarë (Ugsh) e konsideroi “shantazh dhe deklarim shqetësues, i cili ekspozon faktin e survejimit të gazetarëve në Shqipëri. Sipas Ugsh-së “akuza ndaj gazetares për takime me spiunë serbë, duhet bërë pjesë e një procesi sqarues nga organet e hetimit, për të përjashtuar çdo abuzim apo shantazhim të tillë publik nga zyrtarë apo ish zyrtarë të lartë shtetërorë. Deklarata të tilla mbartin vlerën e një atentati ndaj integritetit të gazetarit edhe kur vijnë nga persona nën akuzë dhe si mbartës të një statusi si ish titullare e shërbimit inteligjent”.
Ndërsa Asociacioni i gazetarëve shqiptarë, (Agsh) tha përmes një deklarate se “dënon me termat më të ashpër shantazhin dhe sulmet e të dyshuarës së SPAK, ish-shefes së SHISH Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala. Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të japë llogari vetëm përpara drejtësisë ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen”.
Për ngjarjen reagoi dhe Rrjeti SafeJournalist, i cili foli për një “shqetësim dhe incident serioz, pasi Lala po ushtronte detyrën e saj profesionale dhe po pyeste një ish-zyrtare të lartë shtetërore për një çështje me interes të qartë publik, kur vëmendja u zhvendos drejt vetë gazetares. Lidhja publike e një gazetareje investigative me shërbime të huaja të inteligjencës mund të dëmtojë besueshmërinë e saj dhe ta ekspozojë ndaj ngacmimeve, kërcënimeve dhe rreziqeve për sigurinë”.
Sipas SafeJournalist “Incidenti ngre gjithashtu shqetësime për keqpërdorimin e mundshëm të autoritetit ose informacionit të inteligjencës. Përdorimi i informacionit të siguruar përmes strukturave të inteligjencës për të frikësuar ose diskredituar një gazetare do të cenonte konfidencialitetin e burimeve dhe raportimin e pavarur”.
Reagimet nuk munguan as nga krahu opozitar i politikës. Kryetari i Grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi tha se “ajo që pamë nuk ishte përgjigjja e një ish-funksionari publik që përballet me akuza të rënda dhe jep shpjegime përpara publikut. Ishte reagimi i një ordineri, i cili mendon se balta, shpifjet dhe sulmet personale ndaj një gazetareje me integritet mund të zëvendësojnë përgjegjësinë dhe transparencën. Vlora e Gysit dhe Ronit e di shumë mirë një gjë: nëse informacioni me të cilin mendon se po intimidon Klodiana Lalën do të ishte i vërtetë, atëherë do të duhej të përgjigjej edhe për një çështje tjetër shumë serioze — si ka përfunduar jashtë strukturave shtetërore informacioni i përfituar për shkak të detyrës.”
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, po ashtu, dënoi “me forcë sulmin e ish-drejtoreshës së arrestuar të SHISH-it ndaj gazetares Klodiana Lala. Asnjë formë shantazhi, publike apo e kamufluar, nuk mund të dekurajojë gazetaret kurajoze dhe profesioniste dhe, aq më pak, të përdoret për të zhvendosur vëmendjen nga bashkëpunimi i hapur i Vlora Hysenit me krimin dhe bandit”, shkroi Xhixho në një postim në Facebook.









Komente
Komento