Hysi: Sistemi ndryshohet
pa e prekur Kushtetutën

Hysi: Sistemi ndryshohet<br />pa e prekur Kushtetutën
Anëtarja e Komisionit parlamentar Ad Hock për Reformën Zgjedhore, deputetja socialiste Vasilika Hysi në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" ka deklaruar se ndryshimet dhe përmirësimet në sistemin zgjedhor, përfshirë dhe korrektimin kombëtar të sistemit proporcional rajonal mund të bëhen dhe pa ndryshuar Kushtetutën, gjë të cilën mazhoranca e kundërshton fort. Njëherësh deputetja socialiste sqaron dhe pozicionin pro të opozitës në lidhje me disa ndryshime në Kod të kërkuara dhe nga raportet e ndërkombëtarëve që janë mospërdorimi i fëmijëve në fushatë, si dhe një propozim tjetër për moskandidimin e drejtorëve të administratës shtetërore pa dhënë më parë dorëheqjen, për të cilat mazhoranca është shprehur kundër, duke e rikthyer këtë çështje dhe njëherë tek ekspertët. Nga ana tjetër, Hysi është deklaruar dhe për mbështetjen dhënë propozimeve të partive të vogla për reformën zgjedhore, si dhe diskutimet për propozimet e grupeve të interesit. Ajo nuk ka munguar të flasë dhe për reformën në KQZ dhe ndryshimin e drejtimit të këtij institucioni zgjedhor për të dhënë zgjedhje të lira dhe të drejta dhe fshirë kujtimet e këqia të dy zgjedhjeve të fundit. Ajo ka folur dhe për reformën në drejtësi. Për të cilën është kërkuar me insistim që të marrë fund kultura e pandëshkueshmërisë, të respektohet ligji, të ketë pavarësi të institucioneve kushtetuese, pastrim të sistemit nga të korruptuarit e personat pa integritet moral e profesional.

Kur ka mbetur shumë pak kohë nga përfundimi i afatit për reformën zgjedhore, pse ecet kaq ngadalë duke rrezikuar kapjen e afateve?
Konstatimi juaj është i vërtetë. Deri më sot janë trajtuar dy krerë të Kodit zgjedhor, konkretisht: Regjistrimi i kandidatëve dhe financimi i fushatave zgjedhore dhe subjekteve politike. Ndërkohë grupi i ekspertëve teknikë po punon për disa çështje për të cilat nuk është gjetur ende konsensus dhe për disa çështje të tjera të cilat do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme.
Ekspertët dhe anëtarët e opozitës në Komision kanë angazhimin dhe vullnetin maksimal për të përfunduar reformën në kohë dhe me cilësi.

Mazhoranca po i mbështet këto propozime...?
Një gjë të tillë nuk e shoh tek mazhoranca dhe aleatët e saj në Komision. Pa vullnetin politik të drejtuesve të mazhorancës, komisioni i Reformës Zgjedhore nuk mund të përfundojë në afatin e duhur reformën. Kur e them këtë kam parasysh disa rekomandime të ODIHR për çështje mjaft të ndjeshme dhe trajtimi i kërkesave të partive të vogla të paraqitura deri më tani, kërkojnë kohën dhe angazhimin më të madh nga ana e komisionit.

Më konkretisht ku kanë ngecur negociatat për reformën zgjedhore?
Probleme të tilla si dorëheqja ose pezullimi nga detyra e disa zyrtarëve të lartë kur ata kandidojnë, aspekte të veçanta lidhur me pjesëmarrjen në fushatë të administratës publike ose përdorimi/detyrimi i nxënësve të marrin pjesë në takime elektorale, janë çështje të diskutuara për të cilat është shpenzuar kohë dhe për të cilat nuk është gjetur ende konsensus i plotë, në mënyrë të tillë që me fiksimin e tyre në ligjin zgjedhor t'u jepet fund përvojave shumë negative në zgjedhjet e realizuara në Shqipëri, sidomos në zgjedhjet e vitit 2009 e 2011.

Po për kërkesat e grupeve të interesit...?
Jemi duke e shqyrtuar tërë këtë proces. Pas dëgjimit të grupeve të interesit për respektimin e barazisë gjinore dhe diskutimeve në komision, ku diskutimi ende nuk ka përfunduar, mendojmë të arrijmë një përfundim. I përmenda këto çështje, pasi diskutimi i tyre për të gjetur konsensus ka marrë kohë, ndërkohë që shumë çështje të tjera me rëndësi dhe interes publik pritet të diskutohen në ditët në vazhdim.

Mendoni se mund të arrihet konsensusi për korrektimin e sistemit proporcional rajonal pa prekur Kushtetutën?
Lidhur me sistemin ka patur një diskutim të mbledhjen e komisionit. Diskutimi synon të bëhen ndryshime në sistemin zgjedhor, por pa cenuar Kushtetutën. Mazhoranca nuk i pranon ndryshimet kushtetuese.

Keni kërkuar ndryshimin e përbërjes së KQZ, si mendoni ta arrini dhe deri ku mund të lëshojë PS?
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe zgjedhjet vendore të 8 majit të vitit 2011 treguan qartë se si funksionoi KQZ. Në të dy raportet e OSBE/ODIHR, ka rekomandime për formatimin e KQZ. Deri tani janë duke u studiuar format e ndryshme të riorganizimit të KQZ-së. Një gjë është e qartë që kreu i administratës zgjedhore do të reformohet. Por, sikurse thuhet qartë edhe në opinionin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, të miratuar në dhjetor i vitit të kaluar, rëndësi të veçantë ka jo vetëm organizimi i KQZ-së, por zbatimi i ligjit dhe jo sjellja politike e gjithë administratës zgjedhore.

Nëse nuk arrihet konsensusi mes palëve në Komision mendoni se mund të hyhet në zgjedhje me këtë Kod Zgjedhor?
Duke qenë anëtare e Komisionit të Reformës Zgjedhore nuk dua të paragjykoj angazhimin intesiv, serioz dhe profesional të kolegëve të mi të opozitës në këtë komision. Në kushtet kur jemi duke punuar, nuk mund të flas për gjëra që i përkasin të ardhmes.

Në lidhje me reformën në drejtësi, mendoni se vendimet më të fundit në lidhje me 21 janarin dhe procese të tjera e bëjnë të domosdoshme një reforme të tillë?
Absolutisht po. Jo vetëm zhvillimet që pasuan proceset penale pas ngjarjes tragjike të 21 janarin, por edhe më parë, qytetarët shqiptarë përballen me një drejtësi me probleme serioze. Kur flasim për reformën në drejtësi, kam parasysh reformimin e këtij sistemi në tërësi, si atë penal, civil, administrativ, pavarësinë, efiçensën dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë penale, barazinë e qytetarëve para ligjit, dhënien fund njëherë e përgjithmonë të parimit të pa ndëshkueshmërisë së cilido funksionari të lartë publikë, të zgjedhur ose emëruar, në pushtet ose jo.

Që do të thotë...?
Reforma në drejtësi nuk nënkupton vetëm ndryshime të ligjeve dhe miratim të tyre, por forcim të kulturës të respektimit të ligjit, pavarësi të institucioneve kushtetuese, profesionalizëm, pastrim të sistemit nga të korruptuarit dhe personat që nuk kanë integritet moral dhe profesional.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë