Arratia e Artef Lekës ka përfunduar me ekstradimin nga Brazili drejt Shqipërisë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Leka, i dënuar nga Gjykata e Shkodrës për “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, mbetur në tentativë”, është sjellë në vend, 2 vjet pasi u arrestua në vendin e largët të Amerikës latine me qëllim ekstradimin në vendin tonë.

Leka, sot 67 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës që në dhjetor të vitit 2021. Pasi nuk u gjet brenda Shqipërisë, në korrik të vitit 2023 u shpall në kërkim ndërkombëtar përmes njoftimit të kuq të Interpolit. 

Vetëm një vit më vonë, ai u kap në një qytet bregdetar të Brazilit të largët.

Detaje për arrestimin e tij nga policia federale në vitin 2024 janë raportuar nga CNN Brasil dhe media lokale Paraíba Online, të cilat, pa publikuar emrin e Lekës dhe duke iu referuar policisë federale, shkruanin se shqiptari i arrestuar ishte i dënuar me 26 vjet burg për një krim seksual të kryer në vitin 2020. Sipas këtyre raportimeve, urdhri i arrestimit në Shqipëri ishte lëshuar në prill të vitit 2023, ndërsa kërkimi përmes Interpolit kishte nisur tre muaj më vonë.

Arrestimi në Brazil për qëllim ekstradimin u krye mëngjesin e 8 tetorit 2024, në qytetin João Pessoa, kryeqyteti i Paraíbas, një shtet në verilindje të Brazilit, në bregun e Oqeanit Atlantik. Në atë kohë, shqiptari ishte 65 vjeç. Agjentët e Policisë Federale e gjetën në banesën ku qëndronte, në një pallat në Manaíra një lagje e pasur bregdetare.

Lokalizimi i tij erdhi pas kërkimeve të Policisë Federale braziliane, e cila përfaqëson Interpolin në Brazil. Pasi u konfirmua vendndodhja e tij, gjyqtarja Cármen Lúcia e Gjykatës Supreme Federale lëshoi urdhrin për arrestimin e tij.

Pas ndalimit, Leka u dërgua në Drejtorinë Rajonale të Policisë Federale, e cila njoftoi Gjykatën Supreme Federale për zbatimin e urdhrit. I gjithë procesi i ekstradimit ka zgjatur 2 vjet duke u finalizuar këtë fillim tetori,e konfirmuar tashmë nga burimet për Report Tv.

Lajm në përditësim….

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë