I gjunjëzuar

I gjunjëzuar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Në vitet ’90 një gazetar serb pati botuar një libër me këtë titull: «Pitao sam Albance šta žele, a oni su rekli republiku ako može». Për ata që nuk dinë serbisht: «I kam pyetur shqiptarët se çfarë dëshirojnë, dhe ata më thanë: republikë, nëse bën». Editoriali i fundit i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, më kujtoi titullin e librit të gazetarit nga Beogradi. Nuk mund ta detyrojmë Serbinë ta pranojë pavarësinë e Kosovës, shkroi presidenti me ton vajtimtar në një editorial që ua dërgoi mediave për botim dhe shumica ose nuk e botuan fare, ose e fundosën diku në thellësitë e internetit. Serbinë, shtoi Thaçi, nuk mund ta shtyjnë ta pranojë pavarësinë e Kosovës as aleatët tanë, shtetet si Amerika, Gjermania, Britania e Madhe etj., të cilat në të vërtetë kanë dhënë kontribut vendimtar që Kosova të bëhet e pavarur. Në komentin e Thaçit mungonte vetëm kjo fjali: «Na falni, gabuam që e shpallëm pavarësinë!». Thua se shqiptarët e Kosovës është dashur të pyesin Serbinë më 2008 nëse bën ta shpallin pavarësinë. Kur ka vendosur të luftojë për lirinë e Kosovës Thaçi me siguri ka besuar në ideale të tjera dhe stacionin më të afërt të policisë nuk e ka parë si vend ku duhet pyetur nëse bën të luftohet kundër Serbisë, por si cak legjitim për ta sulmuar. Por, Hashimi i fillimviteve ’90 nuk do ta njihte Thaçin e sotëm.

Në editorialin e tij Thaçi nuk e quajti të denjë asnjë argument kundër ndarjes. Që ai bëhet i shurdhër ndaj kritikëve vendorë, kjo s’është fare befasi. Dialogu me kritikë nuk ka qenë kurrë shkathtësi e tij. Synim i tij është poshtërimi ose instrumentalizimi i rivalëve politikë. Shumë lexuesve mund t’u kujtohet se si e quante Jakup Krasniqin «Jakupovski», si tallej me protestues duke thënë se ikën me bisht ndër shalë, si e ka fyer Ibrahim Rugovën në pamfletin e tij të shkarravitur nga dy injorantë nga Londra, si i thoshte Adem Grabovcit se opozita do të çmendet kur të marrë vesh se Thaçi do të takohet me «Hillarinë» (Hillary Clinton).

Pas të gjitha këtyre talljeve e sharjeve Thaçi ka mbetur vetëm, i rrethuar me një grup këshilltarësh pa ndikim në opinion. Andaj, nervoza e Thaçit është e pritshme kur thotë se «deri më sot kam dëgjuar më tepër zhurmë dhe në rastin më të keq edhe urrejtje» lidhur me idenë e tij për ndarjen e Kosovës me Serbinë. Po, edhe kjo është pjesë e së vërtetës: për një pjesë të madhe të opinionit kosovar Thaçi është shndërruar në figurë të urryer. Për një president të vetëdijshëm për postin e tij do të ishte e udhës që të shtronte pyetjen: përse është kështu? A mos ka të bëjë ky disponim i keq ndaj tij i një pjese të madhe të opinionit me ngopjen dhe neverinë me lojërat, kurthet dhe aventurat e tij politike? A mos ka të bëjë mosdurimi ndaj tij edhe me trashëgiminë e tij politike që mund të përmblidhet me katër «k» – korrupsion, krim, kurthe dhe kaos?

Kritikët e planit të tij për ndarjen e Kosovës Thaçi i quan debatues që prodhojnë «vetëm zhurmë edhe panik». Po t’i lëmë anash «kopukët» vendorë, a mund të jenë prodhues zhurme edhe Angela Merkel, diplomatët britanikë, Daniel Serwer, Karl Bildt, Albert Rohan? Ndoshta po, sipas Thaçit.

Situata e tanishme nuk është komode as për Thaçin, as për Kosovën. Për të shtyrë një ide përpara presidenti është dashur të krijojë konsensus politik, të ruajë kanale komunikimi me të gjitha partitë, t’i involvojë ato në procesin e dialogut dhe t’i dëgjojë ato më shumë se diplomatët në Bruksel, të cilët në raste të caktuara varrosin krejt parimet dhe janë vetëm cinikë. Negociatat e fshehta me Aleksandar Vuçiqin nëpër Europë dhe me gjasë edhe në Amerikë vetëm sa rrisin dyshimet ndaj Thaçit se ai në radhë të parë e ka parasysh fatin e tij personal. Ndoshta kjo është njerëzore, fundja njeriu që nga publikimi i raportit të Dick Marty-it është nën hetime nga drejtësia ndërkombëtare. Por, për Kosovën është fatale kur halli personal i një njeriu e shtynë atë të marrë peng një vend duke keqpërdorur pozitën e presidentit. E ndershme në këso situata do të ishte dorëheqja. Por, diçka e tillë nuk mund të pritet prej tij, sepse pastaj mund të bie tërë piramida që e ka ndërtuar me shumë dinakëri e mund që nga viti 1999.

Dëmi tashmë është shkaktuar. Shtetet kryesore perëndimore tani nuk flasin më me një zë sa i përket Kosovës. Me këtë fakt Kosova duhet të përballet. Më së miri me unitet politik. Por, gjasat për të arritur këtë janë të vogla, sepse ka vite që politika në Kosovë është vetëm sinonim i plaçkitjes së arkës së shtetit dhe jo shërbim ndaj qytetarëve. Virusi i korruptimit ka depërtuar thellë në shumë shtresa të shoqërisë, siç po dëshmon rasti me mijëra veteranë të rrejshëm. Editoriali i fundit i Thaçit është shembull i radhë si korruptimit edhe të idealeve, edhe ideve, edhe ambicieve politike. Para opinionit Thaçi lë përshtypjen e të gjunjëzuarit. Por, kujdes: i tillë ai është edhe më i paparashikueshëm. Barrën historike të përgjegjësisë dhe fajit për këtë gjendje në të cilën ai e ka futur Kosovën duhet ta bartin ata «përfaqësues të popullit» që ia dhanë votën për ta zgjedhur president./Dialogplus

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja