Pas zgjedhjeve pa garë të 23 majit, Sali Berisha u shfaq totalisht i izoluar nga liderët e partive simotra europiane. Pas pyetjes së Report Tv se përse munguan urimet nga familja politike e EPP, ku PD është anëtare prej vitesh, Berisha u përpoq të justifikohej duke thënë se nuk i erdhën urime, pasi sipas tij, edhe vetë nuk është nga ata politikanë që dërgojnë shumë urime dhe se kjo është “reciproke”.

Por, Berishës duket se i foli vetëdija. Po të lexosh qëndrimin e tij ndër rreshta, Berisha shprehet shpresëplotë se mbase do t’i mbërrijë ndonjë urim nga liderët e partive simotra europiane, duke thënë se është në pritje.

“Sa i përket urimeve, kam marrë urime nga miq të mi, pres urime, por të jemi i sinqertë nuk mund të them që unë jam nga ata që çoj shumë urime, është reciproke”, tha Berisha.

Ndërsa, për zgjedhjet me 1 kandidat, insistoi se ishte ditë e rëndësishme për demokracinë ndërsa për ata që kërkuan ta rivalizonin kaloi deri në ofeza.

“E shtuna ishte një nga ditët më të ndritshme të demokracisë në Shqipëri, që ka mbetur vetëm në opozitë. Të shtunën kam një mirënjohje të pafund për të gjithë ata të cilët u përgjigjen pas një propagandë agresive të pafund të mafies shtetërore pas përpjekjes për infiltrimin e eksponentëve të botës së krimit, pas përpjekjeve për të përbaltur këtë garë, me të përdalë politikë të cilët pasi kanë ik nga PD në parti tjetra, i sillte Rama të kandidojnë. Ajo ka qenë ditë e historisë”, vijoi Berisha.

Votimet për Berishën u mbajtën të shtunën e 23 majit, me emrin e tij të vetëm në fletë, 37 mijë e 341 ose 94.6% e votuesve u shprehën pro vijimit të drejtimit të PD prej tij.