I digjet makina zyrtarit të bashkisë së Vlorës të vënë nën hetim për shpërdorim detyre në lidhje me koncesionin e parkingjeve në qytetin bregdetar. Makina e zyrtarit në drejtorinë e Urbanistikës në Bashki, u shkrumbua së bashku me 4 automjete të tjerë, njëri prej të cilëve i bashkëshortes së tij.

Makinat kanë qenë të parkuara pranë njëra-tjetrën në zonën e Ujit të Ftohtë, ku zyrtari banon, ngjarje  e ndodhur një orë pas mesnate, rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm. Dyshimet e policisë janë për zjarrvënie të qëllimshme, por ende nuk është përcaktuar nëse makinave i është vënë flaka për shkak të detyrës që Sherifaj ushtron.

Flakët janë shuar nga forcat zjarrfikëse, ndërsa policia gjeti në vendin e ngjarjes dy bidona me benzinë të cilat janë përdoruar nga autorët që kanë spërkatur automjetet. Objektiv ka qenë djegia e makinës së zyrtarit të bashkisë dhe bashkëshortes së tij, ndërsa djegia e tre automjeteve të tjera ka qenë aksidentale si pasojë e përhapjes së flakëve.

Për të zbardhur ngjarjen policia ka marrë në pyetje drejtorin e Shërbimeve në Bashkinë e Vlorës, ndërsa ka sekuestruar kamerat e sigurisë që ndodhen në afërsi të bllokut të pallateve ku u dogjën makinat.

Gentjan Sherifaj është në hetim bashkë me ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika, dhe 6 ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë së Vlorës. Ata akuzohen për shpërdorim të detyrës, pasi si anëtarë të komisionit që ishte ngarkuar për krijimin e kushteve të dhënies të koncesionit të parkingjeve në 25 rrugë të Vlorës, kanë shpallur fituese një kompani offshore me kontratë 15 vjeçare. Përfaqësues i saj është Bashkim Shalla, mik i Kadri Veselit në Kosovë dhe disa politikanëve në Shqipëri. Kompania e tij është regjistruar në mënyrë të dyshimtë në shtetin e Delawarë në SHBA.

Gazeta Shqiptarja.com zbardhi sot ekskluzivisht dosjen e dërguar në gjykatë për zyrtarët dhe ish zyrtarët e bashkisë të vënë nën hetim. Bashkia e Vlorës bëri studim financiar 10-vjeçar, ndërkohë që miratoi koncesionin për 15 vjet. Prokuroria ka nisur edhe verifikimin e dokumentacionit te kompanissë së regjistruar në Delaware.

Djegia e automjeteve qëllimisht mbetet një problem shqetësues për banorët e Vlorës. Me dhjetëra makina janë djegur në pak muaj. Policia e Vlorës deri më tani nuk ka arritur të zbardhë asnjë nga rastet kriminale të djegies së automjeteve, që shpesh përdoret si paralajmërim ose për larje hesapesh.

Raportoi nga Vlora për redaksinë e Shqiptarja.com, gazetari i Report Tv, Armand Xhelili