LEZHË- Pesë muaj pas zhdukjes, FNSH dhe RENEA kanë zhvilluar sot për herë të parë kontrolle në shtëpinë e bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Kontrollet nisën orët e para të mëngjesit të sotëm dhe zgjatën për rreth 5 orë në të gjithë zonën e Fushë Kuqes në Kurbin, aty ku ndodhet edhe banesa e Martinaj.

RENEA dhe FNSH janë futur brenda banesës së Martinajt, e cila ndodhet rreth 200 metra larg fshatit Fushë Kuqe. Kontrolli ishte me vendim të gjykatës në funksion të hetimeve që po kryhen për zhdukjen e Ervis Martinajt, por edhe për ngjarje të tjera kriminale që kanë ndodhur në këtë zonë.

Ajo se çfarë gjeti policia ishte një arsenal armësh, të fshehur në kosheret e bletëve. Nga sa mësohet në shtëpinë e Ervis Martinajt dhe 2 xhaxhallarëve të tij Faik dhe Rakip Martinaj u gjetën 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.  Policia nuk ka asnjë përgjigje nëse Martinaj është gjallë apo jo, por këto kontrolle mund të jenë një shenjë se grupi hetimor nuk ende asnjë provë për vdekjen e tij. Madje edhe idea që kontrolli është zhvilluar pikërisht natën e Krishtlindjeve mund të jetë një arsye që grupi hetimor mund të ketë dyshuar se Martinaj mund të ishte për festa pranë familjarëve. 

Një ndër personat më të njohur të botës së krimit, Martinaj ka një siguri tepër të lartë në banesën e tij, e cila është e rrethuar me mure 3 metra të lartë të rrethuar me tela me gjemba. Banesa e tij ndodhet rreth 200 metra larg fshatit Fushë Kuqe në Kurbin. Rruga kryesore nga qendra e fshatit deri tek banesa e Martinajt është me kamera sigurie. Ndërkohë vila ndodhet në thellësi të zonës së rrethuar me mur, rreth 500 metra nga muri rrethues.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka zgjedhur që të përgjigjet shkurt mbi hetimet pë zhdukjen e tij duke thënë se janë në rrugë të mbarë

Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK. Dumani ka thënë se Martinaj ka qenë i gatshëm të paguante 500 mijë euro për vrasjen e Indrit Dokles. Vetë Nuredin Dumani ka thënë se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për ta vrarë, ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro. Kujtojmë se Indri Dokle ka qenë numri 2 i Bandës së Durrësit dhe është i dënuar për “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.

Nga hetimet që po kryhen për zhdukjen e Martinajt është lënë në burg një efektiv policie Jeton Lami, me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dekonspirimit të operacioneve policore. Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar edhe nga Lami, i cili u prangos më 23 gusht nga policia e Lezhës. 

Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.

Pamje nga 'kështjella' e Ervis Martinajt

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:05
Kush është i burgosuri në burgun e sigurisë së lartë që çoi policinë në ‘kështjellën’ e Ervis Martinajt

1672085210_ervismartinaj1068x60111.jpg

Kontrolli që Policia bëri sot në shtëpinë e Ervis Martinaj është i shoqëruar me disa pikëpyetje ku më kryesorja është, pse pikërisht tani ky operacion, kur kanë kaluar 5 muaj nga zhdukja e tij.

Fillimisht është raportuar se e gjitha ka ardhur nga një telefonatë që përgjigjet i një të burgosuri në një burg të sigurisë së lartë, që mendohet se ka ditur diçka më shumë për fatin e Ervis Martinajt. Mirëpo kush është ky i burgosur? Dyshime të forta janë se bëhet fjalë për Jeton Lamin, efektivi i policisë i cili u arrestua për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi shoqëronte Martinajn pak ditë përpara se ky i fundit të zhdukej.

Mendohet se ai mund të ketë sjellë aksionin e sotëm në bazën e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe.A ka qenë një telefonatë që përgjohej apo ka zgjedhur që të flasë para hetuesve kjo mbetet e paqartë. Ndërkohë që Prokuroria e Kurbinit ka zgjatur me 3 muaj hetimet ndaj efektivit të policisë që ishte dhe një ndër të besuarit e Martinaj.

 

Ora 19:07
Kontrolle në shtëpinë e Ervis Martinajt, policia mori indicie nga një telefonatë nga burgu! Çfarë u tha në atë bisedë?

1672078161_ervismartinaj.jpg

Një telefonatë e bërë nga burgu, nga një i dënuar që mbahet i mbyllur në kushte sigurie të larta ka shërbyer si indicie për policinë, e cila ka nisur kontrollet në shtëpinë e Ervis Martinajt. Se çfarë është thënë në këtë telefonatë, nuk është ende e zbardhur, konkretisht, mirëpo nga sa raportohet mendohet se mund të gjendet gjurmë apo detaje që mund të ndihmojnë në zbardhjen e zhdukjes së mistershme të Martinajt.

Ora 15:39
Operacioni në Fushë Kuqe/ 7 mijë fishekë, 85 predha, 9 uniforma policie... zbulohet arsenal armësh në 'kështjellën' e Ervis Martinajt dhe 2 xhaxhallarëve të tij

Policia jep njoftim zyrtar për operacionin në Fushë Kuqe. Në shtëpinë e Ervis Martinajt dhe dy xhaxhallarëve të tij, Faik dhe Rakip Martinaj iu gjetën një arsenal armësh. 

"Kontrolle të befasishme në 3 banesa dhe në disa ambiente, në Fushë Kuqe. Kontrollet, në kuadër të hetimeve në funksion të dy procedimeve penale “Plumbi i artë” dhe “Rrëmbim personi”.

Kontrollet, të mbështetura nga Forcat e Lëvizshme Operacionale të Policisë së Shtetit, FNSH dhe RENEA.  Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 silenciator, mijëra municione luftarake, radio, fenelina, uniforma policie, maska dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Mëngjesin e sotëm, shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar në SPAK, për vepra të rënda penale të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, ushtruan kontroll në banesat e shtetasve: E. M., F. M. dhe R. M.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, sendet e mëposhtme:

• 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme. 
 
Gjatë kontrollit nuk janë gjetur vlera monetare.

Provat materiale do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike", thuhet në njoftim. 

Ora 13:52
VIDEO/ Me portë të blinduar, e rrethuar me mur 3 metra me tela të lartë e me kamera sigurie, detajet nga ‘kështjella’ e Ervis Martinaj

Kjo është porta e vilës së Ervis Martinajt. Banesa e tij ndodhet rreth 200 metra larg fshatit Fushë Kuqe në Kurbin. Muri rrethues i vilës është rreth 3 metra i lartë dhe i rrethuar me tela me gjemba. Po ashtu edhe rruga kryesore nga qendra e fshatit deri tek banesa e Martinajt është e ndriçuar me kamera sigurie. Ndërkohë vila ndodhet në thellësi të zonës së rrethuar me mur, rreth 500 metra nga muri rrethues.

1672057766_SHTEPIAVISMARTINAJ51068x600transformed.png

Ora 11:30
Përfundon kontrolli në shtëpinë e Ervis Martinaj, RENEA largohet nga Kurbini pas 5 orësh (VIDEO)

 

Ka përfunduar kontrolli i FNSH dhe RENEA-s në shtëpinë e bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Pas pesë orësh, FNSH dhe RENEA janë larguar nga zona e Fushë Kuqes në Kurbin, aty ku ndodhet edhe banesa e 40-vjeçarit. Ende nuk dihet nëse është gjetur ndonjë send me vlerë që mund t’i shërbeje hetimeve për zhdukjen e tij.

Ora 10:33
Kontrollet në Fushë-Kuqe për Ervis Martinajn, FNSH ‘zbarkon’ edhe te banesat e familjarëve

1665052333_1664208355martinaj.jpeg

Për gjetjen e Ervis Martinajt, FNSH po kryen kontrolle edhe tek banesat e familjarëve të tij. Burime nga Prokuroria e Kurbinit për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi, bëjnë me dije se kontrollet në Fushë Kuqe janë me vendim gjykate në kuadër të hetimeve për ngjarjet që kanë ndodhur në këtë zonë, përfshirë edhe zhdukjen e Ervis Martinajt që prej datës 8 gusht 2022.

Përveç kontrolleve në shtëpinë e Ervis Martinajt, objekt i kontrolleve të forcave të policisë janë edhe banesa dhe ambiente të tjera, përfshirë të njohur dhe familjarë të tij, përmes së cilave synohet të sigurohen prova për t'i dhënë një përgjigje fatit të Martinajt.

Dosja vijon të hetohet nga Prokuroria e Kurbinit, teksa të njëjtat burime bëjnë me dije se nuk pritet t'i kaloj SPAK për hetim, të paktën për momentin. Kontrollet e FNSH kanë nisur që prej orëve të para të mëngjesit.

Ora 10:32
FOTO/ E rrethuar me mure të larta, tela me gjemba dhe kamera sigurie, si e ruan Ervis Martinaj banesën e tij në Fushë Kuqe

1672047426_page.jpg

FNSH dhe RENA kanë zhvilluar ditën e sotme kontrolle në banesën e Ervis Martinaj në Fushë Kuqe. Në foton që sjell Report Tv vihet re siguria e lartë në shtëpinë e bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj

Siç shihet në foto, banesa e Martinajt i ngjan më shumë një fortese të sigurisë së lartë. Shtëpia rrethohet nga një mur i lartë i rrethuar me tela me gjemba, si edhe është e pajisur me kamera sigurie.

Duket se Martinaj, një personazh i njohur i botës së krimit, i ruhej një hakmarrje të mundshme.

Ora 10:03
VIDEO/ Kontrollet në shtëpinë e Ervis Martinaj, RENEA ‘blindon’ Fushë Kuqen

FNSH ka zbarkuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kurbin, ku ka zhvilluar edhe kontrolle në shtëpinë e bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Report Tv sjell video të FNSH në Fushë Kuqe.