Idrizi: I ekzagjëruar dënimi për Kamzën, nuk duhej ndërprerë kampionati. Arbitrat të mos viktimizohen

Arbitrat në Superligë po përdoren si mish për top. Ky është mendimi i presidentit Sinan Idrizi, i cili për “Report TV” thotë se dhuna ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti është preteks për të ndërprerë kampionatin. Sipas numrit 1 të vlonjatëve çështja është më e thellë.

Vendimi për bojkot nga arbitrat dhe ndërprerja e kampionatit

“Mua nuk më duket logjike, komplet jashtë arsyes të ndërpresësh kampionatin për një ngjarje që ka ndodhur dhe që është qartësuar. Kërkojnë rikthimin e policisë në stadium, por nëse nuk rikthehet çfarë do bëhet me kampionatin?”

Disa presidentë të Superligës kanë kërkuar rikthimin e policisë në stadium?

“Ok, derisa sa do të vazhdoj kjo me policinë në stadiume? Unë nuk e kuptoj pse nuk e shtrëngojnë ligjin? Nëse bëhet kjo atëherë përse duhet policia? Kjo nuk është problem policie, por është çështje sistemi. Nuk ka polici në botë që të mbajë turmat, këtë harrojeni. Sado polici të kemi, 200, 300 forca, nuk do t’i mbajnë turmat. Pas kësaj çfarë do të bëjmë ne, të marrim ushtrinë?”

A e kompromenton garën ndërprerja e kampionatit?

“E kompromenton në mënyrë të drejtëpërdrejtë, jo tërthorazi. Është një skemë që është kompremtuese dhe nuk diskutohet. Jam i gatshëm të heq dorë nga pikët këtë sezon sepse nuk luhet futboll në fushë. Kur nuk luhet futboll në fushë nuk i dua pikët në tavolinë pasi çfarë kuptimi ka? Ne lujamë për të marrë pikë apo për të bërë futboll? Kanë të gjithë përgjithësi pasi nëse kampionati shqiptar është ndërprerë për shkak të arbitrimit që solli hyrjen e tifozëve në fushë, atëherë duhet t’i bijmë këmbanave. Kjo nuk erdhi si një rrufe në qiell të hapur. U çmend Naim Qarri dhe rrahu arbitrat?! Kemi një shkak dhe më pas ka ardhur një pasojë. Nuk është një ngjarje që ndodhte për herë të parë. Nuk e di përse u ndërpre kampionati, për kë është. Kë do të sensibilizojmë, shtetin? Për të rikthyer policinë në stadiume?

E quaj të ekzagjëruar dënimin e Kamzës, të paktën përsa i përket luftës sportive. Nuk duhet të kishte ndodhur por ka manyra dialogimi dhe jo përjashtimi.”

A shërben ky dënim për të stepur ata që mund ta mendojnë si opsion dhunën?

“Kjo vetëm frikë nuk shkakton, por shton dozën në drejtim të kundërt. Unë në Kamëz kam dy vjet që shkoj dhe luaj futboll. Nuk kam parë asnjëherë cënimin më të vogël të garës, as nga drejtuesit, as nga lojtarët, as nga tifozëria, as edhe nga asnjë. Unë nuk bëj avokatin e asnjërit sepse nuk ka nevojë, por më duket e ekzagjëruar në kuptimin klasik, pasi fle në vend tjetër kjo histori. U bë shembull, por nuk duhet të bëhej, duhej të dialogohej. Të paktën të merrej mendimi i të gjithëve pasi ne jemi ata që e bëjmë garën.”

Arbitrat thonë se nuk rikthehemi për të gjykuar ndeshje pa na siguruar policia jetën, por a ka vend për reflektim te arbitrat pasi ata shpeshherë janë akuzuar për përcaktimin e rezultateve?

“Pa dashur të demoralizoj arbitrat në Shqipëri, pasi ata bëjnë një punë si gjithë të tjerët, mos të marrin përsipër rolin e viktimës e të bëjnë si hallexhinj. Nuk janë kaq të lehta këto histori. Arbitrat shqiptarë duhen respektuar për punën që bëjnë, por mos të marrin përsipër rolin e shenjtorit dhe mos të viktimizohen. Nëse këta nuk e bëjnë dot punën le të marrim arbitra të huaj, ata që s’kanë frikë nga jeta. Se kuptoj këtë histori, ç’farë është kjo tani u rrezikohet jeta? Njerëzit punojnë në miniera dhe dalin e peshkojnë, kjo është të rrezikosh jetën. Përdorin fjali emocionale, por për çfarë u rrezikohet jeta?

Më duket e tepërt. E para punës arbitrat të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë shkaktuar në kampionatin shqiptar. Të paktën njëri prej tyre të kërkojë ndjesë, për një gabim. Një element qytetarar dhe civil. Lërë pastaj se e dimë të gjithë çfarë ndodh në Shqipëri nëpër tavolina e mbi tavolina.”

Ne.k./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor