Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi zhvilloi një takim me strukturat e kësaj partie në Himarë, në kuadër të fushatës zgjedhore të datës 21 qershor. Idrizi shoqërohej nga deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi dhe drejtuesi i listës së kandidatëve të partisë për Bashkinë e Himarës, Spiro Tata.
Gjatë bisedës së zhvilluar me drejtuesit e partisë në Himarë, Idrizi theksoi se zgjedhjet e 21 qershorit janë të një rëndësie të veçantë sidomos për këtë krahinë. Veçanërisht, ai theksoi se çështja e pronave duhet të zgjidhet, duke ua kthyer pronarëve të ligjshëm dhe u angazhua se banorët e Himarës dhe të çdo bashkie tjetër do të gjejnë te PDIU një zë të fortë për këtë të drejtë të patjetërsueshme.
"Tensionet artificiale që janë tentuar të krijohen këtu nuk i shërbejnë askujt, e aq më pak himariotëve. Ajo çfarë duhet është më shumë zhvillim, më shumë mirëqënie, zgjidhja e çështjes së pronave, në mënyrë që çdo shqiptar të vij në Himarë. Ndasitë që kanë tentuar të krijojnë në kombin tonë, qofshin ndasi veri-jug, qofshin të karakterit komunitar, janë në dëmin tonë. Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku si shqiptarë krenarë për vendin tonë dhe për të arritur më shumë zhvillim", theksoi Idrizi.
Më pas, kryetari i PDIU-së, njëherazi nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Shpëtim Idrizi, i shoqëruar nga deputeti Rakipi dhe kreu i listës së këshilltarëve në Himarë, Tato u takuan me qytetarë të Himarës në shëtitoren kryesore të qytetit. Dhjetra banorë e ndaluan z. Idrizi për t'i shprehur mbështetjen për kauzat e përbashkëta kombëtare dhe për të shprehur mbështetjen në zgjedhjet e 21 qershorit.
Pas takimeve në qytet, Idrizi ndaloi për një takim mirënjohjeje në familjen Qirici. Pas genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë në vitin 1944, familja e Jani Qiricit kishte mbajtur një prej fëmijëve të mbetur jetim, duke e birësuar. I biri i Jani Qiricit, Llukë Qirici i shprehu kryetarit të PDIU-së, Idrizi dhe deputetit Rakipi lidhjen e pandashme mes shqiptarëve të Çamërisë dhe Himarës, duke rrëfyer historinë personale të vllait të tij nga Çamëria, Ramadan Qiricit (Bubeqi), të birësuar teksa karvanet me të dëbuarit nga Çamëria kalonin në Himarë, ku u mirëpritën bujarisht nga himarjotët.
Idrizi vlerësoi familjen Qirici për këtë akt bujar, që rrëfen solidaritetin dhe bashkimin e kombit tonë dhe shprehu mirënjohjen e mbarë komunitetit çam për këtë akt. Ndërkaq, Shoqata Çamëria do të dekorojë familjen Qirici, me Medaljen e Mirënjohjes.
PDIU kandidon në Bashkinë e Himarës, me një listë gjithëpërfshirëse, me kandidatë nga të gjitha fshatrat dhe nga qyteti i Himarës dhe synon të përfaqësohet denjësisht në Këshillin Bashkiak.
/atsh/