Nuk është fjala për një ligj, nuk është fjala për BE. Eshtë fjala për shkarkimin e ca njerëzve, dhe emërimin e ca të tjerëve në administratën shtetërore.
Dikush më tregoi dje se ishte duke pritur vendin e ri të punës në një nga drejtoritë e rëndësishme të Ministrisë së Financave. Gjithçka ishte drejt përfundimit. Pastaj një tjetër burim informacioni më tha se e kishte të paqartë vendin që kishte kërkuar, sepse ende nuk ishte bërë ndarja e posteve mes PS e LSI.
Një punonjëse e administratës më pyeti në konfidencë po ditën e djeshme nëse kisha dëgjuar që në vendin e saj të punës do të vinte ndonjë nga “këta” që kishin fituar zgjedhjet.
Shkurt, një “tërmet” i ri parashikohet të ndodhë në skenën politike shqiptare, nën efektet e ligjit të “Statusit të nënpunësit civil”. Janë të gjithë të tensionuar, edhe ata që presin të largohen, por edhe ata që presin sipas vetëdijes së tyre, të emërohen.

Shqipëria pretendon të marrë statusin e vendit kandidat këtë vit, ndoshta në fund të 2013. Ligji i sipërpërmendur, ishte një nga tre ligjet e “famshme” për të cilin, maxhoranca e djeshme, akuzoi maxhorancën e sotme, se po e pengonte për integrimin e vendit. Menjëherë sapo Meta deklaroi daljen nga koalicioni me Berishën, u bë edhe negociatori që detyroi ish opozitën e dikurshme të miratonte tre ligjet “që po pengonin integrimin”. Jozefina Topalli, e la për një kohë të gjatë një tabelë elektronike në qendër të Tiranës, përballë kryesisë së kuvendit, ku tregohej sesa ditë, orë e minuta po e vononte opozita integrimin e Shqipërisë në BE. Por as tabela, e as tre ligjet, nuk ishin pengesa që shqiptarët të votonin ndryshe në 23 qershor.

Tani fillon rrëmuja. Përpara se ish maxhoranca të merrej duke numëruar orët, do të bënte mirë të kishte hartuar të gjitha aktet nënligjore në zbatim të ligjit që duhet të hyjë në fuqi (por që është e pamundur) në 1 tetor. Sot maxhoranca e re, detyrimisht do ta shfrytëzojë këtë boshllëk për të plotësuar nevojat e saja. A do të ketë të ndërmjetme? A do të ketë konsensus? Kur vjen puna te shkarkimet dhe emërimet në administratë, duket se kjo është e parealizueshme. Fundja, edhe Lulzim Basha që dje ngriti tonin e zërit duke “qarë” për punonjësit e administratës, dy vite më parë, i fshiu si me lopatë të 300 punonjësit e Bashkisë së Tiranës.
Dhe kjo odise do të zgjasë pafund duke u zvarritur nëpër kurthet e politikës. Ata që fitojnë, do të heqin ata që humbasin. Politikanët do të mbeten po aty. Qytetarët do të vuajnë pasojat e ligjit që i integron në BE.

Eshtë koha për një reformë totale, me konsensus. Eshtë koha që ata që e meritojnë, të drejtojnë punët ekzekutive. Le të testohen të gjithë. Ndoshta nuk duhet ta dëgjojmë më atë që thuhet rëndom se: do hiqen “tropojanët” e vendin e tyre do e zënë “tepelenasit”.

Shkrimi u publikua sot (27.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)