Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike votoi sot unanimisht paketën me ndryshimet në statut. 7500 delegatët ngritën kartonët duke i dhënë jetë “kushtetutës” së re të demokratëve.
Ndër ndryshimet kryesore në statut është ai i përfshirjes së Jozefina Topallit në Këshillin Kombëtar, ndryshimi i rregullave për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie, apo dhe ajo për fuqizimin e kompetencave të Bashës i të cilit i parashikon statuti shkarkimin e kryetarëve të degëve në rast shkelje.
Gjithashtu, një tjetër pikë është ajo për përjashtimin nga kryesia të krerëve të departamenteve, çka bën që automatikisht dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha të mos jetë pjesë e kryesisë. Ikin edhe krerët kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare që i përkasin PD.
Në total, nga Kryesia e PD përjashtohen automatikisht 25 figura të kësaj partie. Të gjithë të përjashtuarit, për t’u bërë sërish anëtarë të Kryesisë, duhet të kandidojnë dhe të zgjidhjen me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar. Por, me votim nga Këshilli Kombëtar, mund të zgjidhjen vetëm 15 anëtarë.
Me propozimin e që bëri Basha sot, Këshillit Kombëtar i PD do ketë një kryetar. Një ide kjo e kritikëve të Bashës, Edvin Kulluri dhe Edit’h Harxhi.
Statuti i vjetër i PD
Neni 39
Kryesia e Partisë
Kryesia e Partisë përbëhet nga:
Kryetari i Partisë;
Nënkryetarët e Partisë,
Sekretari i Përgjithshëm, Drejtuesit e Departamenteve dhe Sekretarët Funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.
Kryesia e Grupit Parlamentar, ku përfshihen Kryetari, Nënkryetari, Sekretari dhe Zëdhënësi.
Kryetari apo Nënkryetari i Kuvendit që i përket Grupit Parlamentar të PD
Kryetarët apo Nënkryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare që i përkasin Grupit Parlamentar të PD-së;
Kryetarët e organizatave partnere.
Statuti i ri i votuar sot
Neni 52
Kryesia e PDSH
Kryesia e PDSH përbëhet nga:
a) Kryetari i Partisë;
b) Nënkryetarët e Partisë;
c) Sekretari i Përgjithshëm, dhe Sekretarët Funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar;
d) Kryetarët e organizatave partnere;
e) 15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, nëpërmjet një numri kandidaturash të paktën sa dyfishi i numrit të vendeve vakante.
f) Zëdhënësi i Partisë, si dhe Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare që emërohen nga Kryetari i PDSH.
Krerët e departamenteve që largohen nga Kryesia e PD
1. Jamarbër Malltezi, ambienti, pyjet dhe turizmi
2. Florion Mima, ekonomia dhe tregu
3. Sherefedin Shehu, financat publike, tregu bankar financiar dhe jo bankar
4. Jemin Gjana, kontributet historike
5. Tritan Shehu, shëndetësia
6. Enkelejd Alibeaj, siguria, rendi publik, lufta kundër krimit
7. Suzana Guxholli, energjia dhe burimet natyrore
8. Ervin Minarolli, infrastruktura dhe transporti
9. Enkelejda Sallaku, bujqësia, zhvillimi rural, peshkimi dhe agroindustria
10.Endri Hasa, shoqëria e informacionit
11.Avenir Peka, siguria kombëtare
12.Kastriot Sulka, punësimi dhe çështjet sociale
13.Bardh Spahia, emigracioni dhe diaspora
14.Lealba Pelinku, antikorrupsioni, aksesi publik në shërbime dhe transparenca në qeverisje
15.Enri Çeno, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore
16.Ardian Turku, pushteti vendor dhe administrimi i territorit
17.Luciano Boçi, Arsimi, shkenca dhe inovacioni
18.Arben Skenderi, kultura, rinia dhe sporti
19.Laura Vorpsi, integrimi Europian
20.Kreshnik Çollaku, politika e jashtme
21. Gent Malko, pronat
Krerët dhe nënkryetarët e komisioneve që largohen nga Kryesia
1. Flamur Noka, zëvendëskryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare
2. Genc Pollo, kryetar i Komisionit të Integrimit Evropian.
3. Jorida Tabaku, zëvendëskryetare e Komisionit të Ekonomisë
4. Albana Vokshi, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Parashikimet në statutin e ri të PD për disiplinën dhe masat ndëshkuese
Neni 13
Disiplina e brendshme
Anëtarët kujdesen për ruajtjen e etikës në komunikim dhe respektit të ndërsjelltë ndaj njëri-tjetrit, organeve të partisë dhe funksionarëve politikë.
Anëtarët dhe organet e partisë veprojnë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH. Çdo vlerësim apo iniciativë personale e anëtarit të partisë, e shprehur nën këtë cilësi, duhet të jetë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH. Anëtarët e PDSH veçanërisht shmangin çdo mënyrë, veprim apo neglizhencë që dëmton interesat elektorale apo politike të PDSH.
Rregullat e detajuara për të garantuar disiplinën e brendshme dhe masat disiplinore në rast të cenimit të saj, përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të PDSH.
Neni 27
Masat disiplinore
Thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH.
Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit. Ato mund të bëhen publike.
Në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e Partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje. Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit dhe Zbatimit të Statutit brenda 5 ditëve nga marrja e ankimit.
Kërkesat për ripranim shqyrtohen nga kryesitë e rretheve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga kryesia e partisë për të gjitha rastet e tjera.
Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Rastet që përbëjnë shkelje disiplinore, si dhe rregullat e procedurate dhënies së sanksioneve përkatëse disiplinore për anëtarët përcaktohen në Rregulloren e Brendshme.
Neni 66
Komisioni i Apelimit
Komisioni i Apelimit përbëhet nga pesë anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.
Komisioni shqyrton ankesat nga anëtarët e PDSH kundër masave disiplinore të marra ndaj tyre nga secili organ i partisë, që është kompetent sipas këtij Statuti. Ai siguron gjatë shqyrtimit të këtyre ankesave të drejtën e anëtarit për një proces të rregullt ligjor. Vendimi i Komisionit është i paapelueshëm. Kur një Kryesi vendos të marrë një sanksion kundrejt një anëtari që mban një mandat zgjedhor, ekzekutiv ose parlamentar, ai nuk mund të bëhet publik veçse nëse vendos Kryesia e PDSH. Në të gjitha rastet e tjera, Komisioni deklaron vetë publikisht vendimet që merr.
Komisioni me kërkesë të Kryesisë së partisë, shprehet për mospërputhjet e vendimeve të marra nga organet qendrore, kryesitë apo anëtarët, me Statutin e Partisë. Ai thërret për dëgjim, sipas rastit, të interesuarit.
Komisioni shqyrton çdo kërkesë apo ankesë që ka të bëjë me zbatimin e Statutit dhe rregullave të funksionimit të Partisë mbi një çështje të caktuar dhe merr vendim përfundimtar mbi atë çështje. Komisioni ka të drejtë të shqyrtojë dhe japë vlerësim përfundimtar, edhe mbi interpretimin përfundimtar të dispozitave të Statutit.
Lajmi kryesor: