TIRANË- Deputetja Marjana Koçeku i është drejtuar me një mesazh të drejtpërdrejtë grupit të Bjrave në Shkodër. Në një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale, Koçeku ka lënë të kuptohet se është kërcënuar, duke shkruar se nëse familjes së saj i preket qoftë edhe një fije floku, do ta shkatërrojë bandën e Bajrave.

“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkroi Koçeku, ndërsa Report Tv u interesua pranë Policisë së Shkodrës, e cila deri në publikimin e këtij lajmi bëri me dije se nuk ka kallëzim nga ana e deputetes për këtë çështje. 

Menjëherë pas postimit të saj, ka reaguar avokati i familjes Bajri, Sokol Tahiraj, i cili thotë se deputetja s'ka prova, duke e etiketuar statusin e saj si sulm të drejtpërdrejtë ndaj familjes Bajri. Në një deklaratë për mediat, ai thotë se do të marrin masa, “përfshirë kallëzimet pranë organeve kompetente dhe ndjekjen e procedurave ligjore për çdo deklaratë që rezulton e pavërtetë apo shpifëse".

“Këto deklarata janë të pabazuara në prova dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit, reputacionit dhe të drejtave themelore të personave që ne përfaqësojmë. Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të vlerësohet vetëm nga organet kompetente të drejtësisë, e jo nga deklarata publike me karakter denigrues”, thuhet në deklaratë.

Deklaratës së Koçekut iu dha zë në Komisionin e Jashtëm nga opozita, ndërsa vetë deputetja mungoi. Akuzave të demokratëve se Koçeku u kërcënua nga krimi i organizuar, iu përgjigj deputeti socialist Igli Hasani, i cili tha se kushdo që ndihet i kërcënuar duhet t’i drejtohet Policisë së Shtetit dhe se deklaratat në Instagram nuk janë punë e PS.

“Nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë kërcënime ndaj një deputeteje, një gruaje, atëherë çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë", pyeti Albana Vokshi

"Se kush zgjedh instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime fare. Duhet ti drejtohen policisë së Shtetit”, tha Igli Hasani.

Reagimi i Koçekut ndaj grupit të Bjrave vjen pas largimit të saj nga grupi i PS, ndërsa në rrjet është kritikuar dhe i është kërkuar që të lërë mandatin e deputetes, të cilin e fitoi pasi ishte pjesë e listës së mbyllur të socialistëve në Shkodër. 

Postimi i Marjana Koçekut

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:55
PS reagon pas deklaratës së Koçekut për Bajrat: Nëse ndihet e kërcënuar, t’i drejtohet Policisë! Reagimet në Instagram s’janë puna jonë

1781693088_komisioniprevropndhepuntejashtme.png

Deputetja Marjana Koçeku ka munguar në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, por deklarata e saj drejtuar grupit kriminal të Bajrave është bërë çështje diskutimi. Ishte deputetja e PD, Albana Vokshi e cila ngriti pyetjen se çfarë garancie kanë qytetarët e thjeshtë kur krimi i organizuar kërcënon një deputete.

“Nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë kërcënime ndaj një deputeteje, një gruaje, atëherë çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë. Çfarë garancie kanë qytetarët e zakonshëm, dhe ky nuk është problem vetëm i rendit publik, por është një çështje që prek drejtpërsëdrejti integrimin e BE”, tha Vokshi.

Përgjigjen e mori nga kryetari i Komisionit, Igli Hasani, i cili është edhe reagimi i parë i PS për këtë çështje. Hasani tha se kushdo që ndihet i kërcënuar duhet t’i drejtohet Policisë së Shtetit dhe se reagimet në Instagram nuk janë punë për to.

“Kushdo që ndihet e kërcënuar, kushdo që ka indicie duhet t’i drejtohet organeve, Policisë së Shtetit, nëse ka edhe një indicie. Se kush zgjedh instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime fare. Duhet ti drejtohen policisë së Shtetit”, tha Hasani.

Ora 12:17
Marjana Koçeku u kërcënua? Reagon avokati i familjes Bajri: S’ka prova, është sulm i drejtpërdrejtë dhe po krijon klimë tensioni

1781518760_marjanakoeku.png

Pas statusit publik të deputetes Marjana Koçeku, avokati i familjes Bajri, ka reaguar duke thënë se deklarata e saj është e pabazuar në prova dhe se është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj reputacionit të personave që ajo i referohet.

AVOKAT SOKOL TAHIRAJ:

Në lidhje me deklaratat e bëra publikisht nga deputetja Marjana Koçeku, të cilat përmendin klientët tanë dhe i referohen atyre me etiketime denigruese e paragjykuese, ndjejmë detyrimin të sqarojmë opinionin publik se këto deklarata janë të pabazuara në prova dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit, reputacionit dhe të drejtave themelore të personave që ne përfaqësojmë.

Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht mbi bazën e deklaratave politike, perceptimeve personale apo insinuatave mediatike. Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të vlerësohet vetëm nga organet kompetente të drejtësisë, e jo nga deklarata publike me karakter denigrues.

Deklaratat e deputetes, të cilat përmendin klientët tanë në një kontekst kërcënues dhe stigmatizues, cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë, të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për më tepër, gjuha e përdorur në reagimin e saj publik nuk kontribuon në debatin demokratik dhe as në informimin e publikut, por krijon një klimë tensioni dhe paragjykimi ndaj personave të përmendur, duke synuar dëmtimin e reputacionit të tyre dhe të familjeve të tyre.

Për këto arsye, po shqyrtojmë me seriozitet të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e interesave të klientëve tanë, përfshirë kallëzimet pranë organeve kompetente dhe ndjekjen e procedurave ligjore për çdo deklaratë që rezulton e pavërtetë, shpifëse apo cënuese të të drejtave të tyre.

Ftojmë zonjën Koçeku që, nëse disponon prova konkrete për çdo pretendim të bërë publikisht, t’i paraqesë ato pranë institucioneve përgjegjëse sipas ligjit dhe jo të zhvillojë gjyqe publike në media apo rrjete sociale.

Klientët tanë do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e tyre me mjetet që garanton ligji, ndërsa ne, si përfaqësues ligjorë, do të reagojmë ndaj çdo përpjekjeje për t’i dëmtuar ata përmes deklaratave të pabazuara dhe denigruese.

AVOKAT SOKOL TAHIRAJ

Përfaqësues Ligjor