Ilir Beqja: Ministri Halimi
të japë dorëheqjen

Ilir Beqja: Ministri Halimi <br />të japë dorëheqjen
TIRANE- Sipas sekretarit të Partisë Socialiste për Programin Ilir Beqja, pagesa që i është bërë ish-avokatit të shtetit Eduard Halimi ditët e para të shtatorit është evidente, pasi për këtë ka fakte. Tendenca për të mbrojtur shefin e Drejtësisë, sipas tij, është një përpjekje e kotë, pasi, në rast se pranohet logjika e mbrojtjes së tij, atëhere bie poshtë gjithë arsyetimi, që bëri më parë Gjykata Kushtetuese, kur vendosi që ishdeputeti Ilir Beqja kishte papajtueshmëri me detyrën e deputetit.

Zoti Beqja, si e gjykoni sqarimin, që paraqiti dje ministria e Drejtësisë, me anë të zyrës së saj të shtypit, në mbrojtje të kreut të këtij dikasteri Eduard Halimi, sipas të cilit ai nuk ka shkelur asnjë ligj, kur ka marrë pagesë pë detyrën e avokatit të shtetit, ndonëse ishte mandatuar nga KQZ si deputet i Kuvendit të Shqipërisë?

TIRANE - Zoti ministër ka shkelur ligjin, po t'i referohesh logjikës së Gjykatës Kushtetuese, e cila ka marrë një vendim për një ngjarje në situata - në dukje - të ngjashme, duke më hequr mua të drejtën e përfaqësimit të votuesve të Qarkut të Shkodrës, më datë 7 tetor 2011.

Pse thoni se ai e ka shkelur ligjin?

Në deklarimin që ministri Halimi ka bërë për Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive, ai pranon që deri në shtator të vitit 2009 është paguar me pagën e avokatit të shtetit. Pra, gjatë gjithë muajit gusht, megjithëse që më 1 gusht 2009 KQZ e kishte shpallur deputet.

Ndoshta, ka përfshirë në këtë pagesë edhe lejen e zakonshme vjetore?

Si specialist i sigurimeve shoqërore, do të thoja se sërish këtu nuk përputhen të dhënat. Në rast se ministri deklaron se në muajin gusht ka marrë lejen vjetore, duhet patur parasysh se, me shtatë muaj punë në vitin 2009, nuk i takon leje e plotë katër javëshe, por një leje sa 7/12 e pagës mujore, në ditë apo pagesë. Faktikisht, Halimi ka pranuar se, gjatë muajit gusht, është paguar, jo pjesërisht, por me pagë të plotë.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta e lidh papajtueshmërinë e ushtrimit të dy funksioneve njëherësh me marrjen e mandatit dhe jo me ushtrimin e tij?

Kështu e ka vendosur njëherë Kushtetuesja dhe tashmë ky gjykim përbën një precedent gjyqësor. Sipas vendimit 44 të GJK, deputeti konsiderohet i tillë që në momentin e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe vazhdon të jetë deputet deri në konstituimin e parlamentit pasardhës, pra në mbledhjen e parë të tij. Deputeti Eduard Halimi, që prej datës 1 gusht 2009, nuk duhej të merrte pagë tjetër nga shteti. Në fakt, ai ka marrë pagë si avokat i shtetit, duke qenë edhe deputet.

Papajtueshmëria me funksionin e deputetit nënkupton që deputeti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër përveç atij të anëtarit të parlamentit ose anëtarit të qeverisë apo jo?

Gjykata Kushtetuese u mor gjatë për nxjerrjen e një justifikimi për anulimin e mandatit tim, kryesisht duke u marrë me kohën kur unë nuk kisha bërë ende betimin si deputet. Kjo Gjykatë u shpreh se statusi kushtetues i deputetit, i shprehur në nenin 70/1 dhe 73 të Kushtetutës, shtrihet që nga momenti i fitimit të mandatit dhe vazhdon deri në përfundimin e mandatit parlamentar. Që në momentin kur kandidati shpallet deputet nga KQZ-ja, deputeti është i detyruar të plotësojë të gjitha kërkesat kushtetuese dhe ligjore që lidhen me ndalimin e kryerjes së aktiviteteve të tjera apo deklarimet lidhur me interesat e tij financiarë, siç parashikon Kushtetuta në nenin 70 të saj dhe ligjet e tjera përkatëse, sipas Gjykatës.

Po kjo Gjykatë është shprehur se, për papajtueshmërinë, si koncept ndalues i kryerjes së më shumë se një detyre/ funksioni, nuk është e rëndësishme nëse funksionari bie në kushtet e përfitimit për shkak të detyrës ose jo ose në konflikt interesi midis detyrës së tij dhe interesave privatë. Vetëm fakti i ushtrimit të dy funksioneve/detyrave (publike- publike, publike-private) mjafton që ai të konsumojë këtë ndalim.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë