Ilir Yzeiri: Universiteti i Korçës ose kriza e një sistemi të vjetëruar

Ilir Yzeiri: Universiteti i Korçës ose kriza e një sistemi të vjetëruar

Universiteti i Korçës 'Fan Noli'

Para disa ditësh rektori i Universitetit të Korçës lexoi një deklaratë në të cilin thuhej se Senati i Universitetit « Fan Noli » të Korçës kishte vendosur në mënyrë unanime që të bashkohej më Universitetin e Tiranës dhe të kthehej në një filial të tij. Arsyet që përmendte ai ishin rënia e numrit të studentëve dhe mbyllja e disa programeve të studimit.

Menjëherë pas kësaj, reaguan disa politikanë tä atij qyteti të cilët e quajtën të pamenduar këtë vendim të Senatit të Universitetit të Korçës dhe të gjithë, kush më shumë e kush më pak, nisën të vlerësojnë me patetizëm historinë e këtij insitucioni duke përzier në këtë emfazë vlerësimin që bëjmë zakonisht për objektet muzeale. Të krijohej ideja se universiteti largohej nga qarkullim dhe Korçës i hiqej një nga mburrjet dhe krenaritë e saj.

Po si qëndron e vërteta. Çfarë po ndodh me arsimin e lartë në vendin tonë. Të dhënat janë paradoksale. Nëse hedh një vështrim të shpejtë edhe në vende të tjera të Europës ose nëse shtyhesh të lexosh më shumë për gjendjen e universiteteve nëpër botë, vështirë të gjesh një vend që nuk flet për krizën e arsimit të lartë.

Franca ankohet sidomos për krizën që ka mbërthyer universitetet frankofone nëpër botë, por edhe ato brenda saj. Një raport i vlerësimit të arsimit të lartë pranë senatit italian, sipas gazetës « Il sole 24 ore » e vizaton me dritëhije gjendjen e universiteteve në Itali. Ndërsa në Shqipëri ne ende nuk kemi një raport të plotë që të na tregojë gjendjen e arsimit të lartë në vendin tonë në këta tregues : sa të diplomuar përfshihen në tregun e punës në një vit, çfarë kërkimesh shkencore kemi promovuar në një vit dhe si i kemi shfrytëzuar avantazhet e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me projekte të llojit Erasmus e të tjera.

I vetmi shqetësim që dëgjohet është rënia e numrit të studentëve dhe mbyllja e disa programeve të studimit kryesisht në universitetet publike rajonale. Mirëpo kjo e dhënë është kontradiktore me numrin e përgjithshëm të universiteteve në vendin tonë, bashkë me ata të Kosovës e Maqedonisë së Veriut që përdorin shqipen si gjuhë të komunikimit universitar. Të dhënat tregojnë se të rinjtë shqiptarë nuk e kanë braktisur universitetin, përkundrazi, edhe aq sa kanë mbetur thuajse të gjithë duan ta ndjekin atë. Ja disa shifra. Le të krahasojmë Rumaninë me Shqipërinë në fillim dhe me hapësirën shqipfolëse në Ballkan më pas.

Rumania ka 90 Institucione të arsimit publik e privat dhe popullsi përafërsisht 19 million banorë, pra ka rreth 1 universitet për 211 mijë banorë. Shqipëria ka aktualisht 34 institucione të arsimit të lartë dhe një popullsi prej 2.760 mijë sipas INSTAT, pra 1 universitet për 81, 176 banorë. Nëse do të shtojmë edhe universitet e Kosovës që janë 16 publikë e privatë, të Maqedonisë së Veriut që në zonat shqipfolëse janë 8, atëherë i bie që në hapësirën shqipfolëse në Ballkan kemi 58 institucione të arsimit të lartë. Ndërsa popullsia shqipfolëse me institucionet e arsimit të lartë në gjuhën shqipe është përafërsisht 5 milion banorë dhe me përafërsi kemi 1 universitet për 86 mijë banorë. Kjo është një shifër inkurajuese.

Të mos harrojmë se Shqipëria, Kosova por edhe Maqedonia e Veriut vijnë nga një traditë centralizuese dhe sistemet e tyre universitare kanë qenë kopje të ideologjive totalitare. Këto të dhëna tregojnë se shqiptarët kudo që ndodhen nuk e kanë braktisur universitetin megjithë numrin e madh të atyre të rinjve që zgjedhin të studiojnë jashtë. Globalizimi apo rrafshimi i globit dhe zhdukja e gjeografisë ka sjellë që sot gjithësecili zgjedh ta kryejë formimin e tij universitar atje ku ai ka dëshirë dhe mundësi. Mirëpo, edhe pse në kushte të tilla, të rinjtë shqiptarë zgjedhin edhe universitet shqiptare. Universiteti "Fan Noli", fjala vjen, që u bë shkak për këtë analizë, ka rreth 3 mijë studentë. Problemi është diku tjetër. Sistemi ynë universitar nuk është reformuar dhe kriza në fakt ndodhet brenda universiteteve jo jashtë tyre.

Modeli i institucioneve tona të arsimit të lartë ka mbetur ai i vjetri. Në vitin 1957 kur u themelua universiteti i parë shqiptar, qëllimi ishte që të përgatiste specialistë që të shërbenin për të ndërtuar shoqërinë socialiste dhe një ekonomi që do të mbështetej tërësisht në forcat e veta. Mirë apo keq atë mision elitat shqiptare të komunizmit e kryen. Mjaft të shohim hidrocentralet apo veprat e tjera që ndërtuan shqiptarët me profesionistët e asaj kohe dhe bindemi për këtë. Problemi është se pas vitit ’90 universiteti mbeti prapa në kohë.

Në një pjesë të madhe ai u kthye në një punishte që pajiste me diploma burokracinë politike që ndërrohej sa herë që ndërronte edhe kahja politike. Vetëm në vitin 2014 u mbyllen 38 institucione të arsimit të lartë. Pra mendoni një çast në vitin 2014 ne kishim rreth 72 institucione të arsimit të lartë ose 1 universitet për 38 mijë banorë. Për ta përfunduar, kriza në arsimin e lartë shqiptar nuk vjen nga braktisja e të rinjve, por është krizë e dijes në tërësi që i prek të gjitha institucionet që merren me arsimin në këtë vend, universitetet më shumë.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë