Shprehja « Të rrahësh ujë në havan » e karakterizon në mënyrë të shkëlqyer vanitetin, asgjënë si proces, si performancë. Kur sheh se si funksionon shteti ynë, në disa raste, të duket se të gjithë rrahin ujë në havan, pra, të gjithë kemi marrë atë enën prej guri a prej balte – havanën- kemi futur ujë aty dhe e shtypim apo e rrahim njësoj si të kishim futur hudhra, apo ndonjë lëndë tjetër të prekshme.
Ky ritual i të rrahurit ujë në havan, pra, të përtypësh asgjënë, po bëhet normë e performancës sonë shtetërore. Këtu gjërat duket se i lëviz rutina. Ja, nis viti i ri gjyqësor, mblidhen autoritetet më të larta të drejtësisë në këtë vend, merr pjesë edhe Presidenti i Republikës dhe, të gjithë, vënë havanin e tyre përpara e nisin të rrahin ujë.
Pse e them këtë? E them sepse, po të shohësh fjalimet e mbajtura aty, të gjitha janë tekste që nuk kanë lidhje me të tërën, pra, nuk kanë lidhje me drejtësinë. Të gjithë predikojnë, bëjnë pirueta teorike, tregojnë se si mund të funksionojë drejtësia në një vend imagjinar, ku sundon ligji, ku pavarësia e gjyqësorit nuk është vetëm një ëndërr, por praktikë. Shkurt, të gjithë vizatojnë një vend imagjinar, një askund ose një asgjë, por askush nuk vë gishtin në plagë për të na treguar se cili është autoriteti që do të na shpëtojë nga kjo drejtësi e keqe, që ka braktisur qytetarin, që nuk merret me dhënien e drejtësisë, por me gjueti shtrigash.
Ato 200 mijë dosje që janë bërë kapicë, janë gati një e katërta e popullsisë së këtij vendi që është injoruar e tallur nga këta gjyqtarë që janë mbledhur sot për të rrahur ujë në havan, për të mos bërë asgjë.
Burgjet janë plot me të pafajshëm tha Ministri i Drejtësisë dhe ky konstatim dukej sikur bëhej për një vend në një planet tjetër sepse zgjidhja që propozon ministri është e formës dëshirore- pra duhet të marrë fund. Si ? Kur ? Këtë nuk mund të na e thotë, ministri sepse performanca e tij dhe e të tjerëve aty nuk e përmban zgjidhjen, sepse të gjithë në atë sallë përfaqësojnë planete të ndryshme që nuk takohen dhe që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Ata 200 mijë shqiptarë që presin t’ju shqyrtohen hallet e tyre nga një gjykatë janë jetimë. E mbani mend raportimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë në Kuvend ? SPAK-u, ILD-ja, KLP-ja e të tjerë.
Nga ai raportim shqiptarëve u ka mbetur në mendej ngazëllimi i Zegjinesë me SPAK-un. Ajo deputete ishte aq e mallëngjyer nga arritjet në drejtësi sa po të kishe nerva ta dëgjoje të merrte të qarët dhe Altin Dumani dukej si Kajo Karafili.
Ky banalitet parlamentar e ka zhbërë institucionin e vetëm të shqiptarëve që është Parlamenti, i cili duhet të kishte përgatitur me kohë amendamente, të kishte ngritur me kohë komisione për të ndalur katastrofën e drejtësisë shqiptare. Por kjo nuk ndodh. Në vend të kësaj, qeveria bën amendime për të ndjekur penalisht parkimin e dyfishtë.
Shqipëria ka kohë që nuk ka Parlament sepse atë institucion e ka zhbërë opozita. Sa herë që ka seanca parlamentare shqiptarët duhet të arratisen nga ky vend sepse është e pamundur që të ndjekësh budallenjtë e Berishës që bëjnë si të fortë me karriget dhe tavolinat e Parlamentit. Parlamenti ynë ka humbur të vetmin kuptim që ka ajo fjalë- parlare, pra vendi ku flitet, ku debatohet.
Parlamenti ynë është vendi i ndyrë i atyre lulishteve apo urave të provincës ku mblidhen kalamajtë e këqinj të lagjes për të larë hesapet me njëri-tjetrin. Ne po rritemi si një vend që nuk ka nevojë të qeveriset me ligje, sepse ligjet që miratohen në Parlament as nuk i njeh njeri, as nuk diskutohet për ta, as nuk flitet se çfarë ndikimi do të kenë në jetën tonë.
Ne jetojmë me komunikata qeveritare dhe ky vend, ashtu si në komunizëm që askush nuk besonte se duke shkruar « T’u qepemi kodrave e maleve e t’i bëjmë ato pjellore si fushat », pra, vendi do të lulëzionte, edhe tani njerëzit dëgjojnë komunikatat qeveritare por të gjithë luten që mos e dhëntë Zoti të kesh punë me drejtësinë, sepse edhe po të jesh njeriu më i votuar në këtë vend, si psh Erion Veliaj, të merr e të rras brenda njeriu që është zgjedhur në mënyrë të paligjshme si prokuror nga Ina Rama, prokurori -noter Olsi Dado.
Apo, në një vend ku nuk përfillen vendimet e Gjykatave Europiane, ato të Strasburgut, në një vend ku ligjin e bën hakmarrja dhe në një vend ku njeriu që mban mbi shpinë krime për vrasje dhe shkatërrim, sot është kthyer në prokuror publik dhe në zjarrvënës ordiner, në një vend si ky, të dëgjosh si rrahin ujë në havan krerët e drejtësisë që paguhen si sheikë në këtë vend, është vërtet e dhimbshme.
Komente











O Ilir Yzeiri ke plotēsisht tē drejt por Shqipria sbēhet kur shtet. Se ka shum njerēz qē sduan regulla qē sduan drejtēsi e mbi tē gjitha sduan tē punoin.
Përgjigju