Individualiteti i Behar
Gjokës si kritik letra

Individualiteti i Behar<br />Gjokës si kritik letra
TIRANE- Me një titull vlerësues përmes një togu dyfjalësh, vëzhgimit largpamës dhe një hulumtimi thellësisht të kujdesshëm, studiuesi Behar Gjoka vjen këtë herë depërtues dhe eruptiv në trilogjinë e autorit Ben Blushi. Personalisht, nuk dëshiroj të ndalem në hullinë blushiane, pasi, më mirë se Gjoka, askush nuk do t’ia kishte arrirë, por, ashtu sikurse çdo njeri tjetër i letrave, vij sot me entuziazmin e pritjes së këtij libri, artikuluar si një kambanë trokitëse të kritikës së mirëfilltë letrare, munguar prej gati më shumë se dy decenie në qarqet tona letrare.

Ky dimension studimor, si disiplinë shkencore dhe jo vetëm, ka brenda një analizë të imtësishme të elementeve dhe detajeve të tri librave të marrë në studim, duke sjellë figurimin e asaj që sot e ka humbur traditën, trajtesën e tekstit letrar, të asaj që është thelbësore. Roland Barth shprehet: “Teksti është një endje citimesh që vijnë nga mijëra kultura”. Pikërisht, kjo e bën Gjokën më determinist dhe presedan në fushën e kritikës letrare të këtij zhanri.

Gjenealogjia e postmodernes vjen në “Fenomenin Blushi” si një këndvështrim tejet inetersant nën optikën e Gjokës dhe si një paradigmë e trajtës dhe semantikës. “Letërsia e tij, me gjasë tekstet që kemi në dorë, më tepër është një letërsi që buron nga leximi dhe prej aty sendërgjon një botë letrare, që zakonisht vë në dyshim të vërtetën e tyre, por edhe paraqet sugjerimin e vet, kryesisht e shkruar si letërsi postmoderne.”, shprehet autori qysh në frontespic të këtij verbi letrar në opusin e kritikës. “Fenomeni Blushi”,  referuar në tri librat: “Të jetosh në ishull”, “Otello-Arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”, si  studim kritik shpalos përpara lexuesit një botë të hapur shkrimore dhe, çka është më e rëndësishmja, lexuesi ideal nuk oshilon. Ai arrin që nëpërmjet zërit specifik “par excellence” të Gjokës ta kuptojë qartësisht.

Ky libër jep fushëpamje të së tërës, ndërsa evidenton vlera letrare e artistike dhe, e gjitha kjo, shpesh e synuar përmes një paraqitjeje divulgative të koncepteve shkencore. Ky libër është kritik, por është edhe eseistikë, depërton në dimensionin shkencor, por i jep hov edhe letrares, shkëputet nga e sotmja e Blushit dhe eksploron në të shkuarën e historisë së Shqipërisë. Ky është arti i kritikës që mban vulën e Gjokës, prandaj, dhe në këtë këndëvshtrim, ai mbetet padyshim vëzhguesi më sqimatar i ndërtimit struktural, sjelljes kulturologjike, çmitizmit të historisë për të sjellë, siç thotë studiuesi, “rikonceptimin e mënyrave të të shkruarit të historisë”.

Gjoka ka absorbuar një diskurs të veçantë të autorit nën studim, atë të kapërcimit të kohërave, deri në thellësi të saj, duke i dhënë jetë pakohësisë e duke dekoduar historinë, ashtu sikurse vetë autori Blushi, kapërcime asisoj që, siç i quan vetë studiuesi, ndërlidhin elementet e postmodernes. Më ka tërhequr vëmendjen edhe një ndalesë e Gjokës në këtë libër, e shkurtër, por jo më  pak e rëndësishme. “Letërsia nuk votohet”, - shprehet kritiku, ndërsa analizon sociologjinë e urës bashkuese politikë-letërsi.

Edhe pse nuk mban qëndrim, Gjoka jep një sinjal të fortë që duhet lexuar qartësisht nga të gjithë ne. “Letërsia, edhe kur vjen nga politika, përgjithësisht nuk votohet, sepse ajo s’ka imunitet, pra, nuk mund të bartë atributet dhe tiparet e politikës dhe të simbolit të saj…”. (me shkurtesa, e përzgjedhur). Në këtë trajtesë, shihet një përgjegjshmëri studiuese, teksa Gjoka kalon natyrshëm nga arsyetimi deduktiv ku sqaron teorikisht qasjet letrare, për të mbërritur tek induktivja dhe anasjelltas. Bazikja e këtij zigzagu qëndron te shëndeti mental dhe njohuritë e thella që vetë kritiku posedon.

Çdo libër është një lexim më vete dhe, kësisoj, edhe një interpretim më vete, por, kur përpara ke një personazh të njohur në jetën publike, shpesh bëhesh edhe paragjykues. Këtu do të citoja kritikun amerikan Harold Bloom, i cili thotë: “Po të socializohesh me autorët që i recensionon është gabim. Më mirë t’i njohësh nga veprat e tyre”. Pikërisht këtë bën studiuesi Gjoka. Ai kap në thellësi problemet letrare të tri veprave, duke iu shmangur autorësisë, edhe pse e vlerëson Background-in e Blushit në ndikim të prurjeve të tij romanore,  teksa shprehet: “Është një letërsi që vjen nga kultura, nga leximi i literaturës së shumtë dhe të larmishme, art dhe histori, filozofi dhe kulturë, e cila i ka mundësuar që të ketë njohjen e nevojshme me historinë shqiptare …”.

Vendosja e një sistemi vlerash duket se është një kriter i rreptë letrar i studiuesit, por, megjithatë, ai nuk vendos embargo. Gjoka nuk fetishizon në asnjë çast, por shtrihet  profesionalisht te përmbajtja dhe forma e prurjeve letrare të Blushit, ndërsa paraqitet mendjehapur për këndvështrime të tjera në vijim. “…mbetet krejt i hapur debati se cili do të jetë kulmi i shenjës letrare që ai do të lërë në letërsinë shqipe”, - shprehet ai. Ky studim eufonik shënon një stad të ri në kritikën dhe letërsinë shqipe, duke shenjuar frymëzim për një lexues ekzigjent, pasi përbën një sinkroni të plotë me dëshirën e tij për ta pasur këtë lëvrim, për ta rifituar me të tjera dimensione: më të gjerë, më me frymëmarrje dhe më unike se ajo që kemi ndeshur sot, por edhe para 20 e ca kusur viteve.

 Për të mos shpëtuar nga qerthulli i teknikës ndërtimore të romaneve që ka marrë në studim, Gjoka ndalet edhe te një e veçantë e veprave të Blushit, që duket se po kthehet në “trendy” letrar sot, dhe pikërisht te narratologjia. Kjo e fundit, ardhur përmes “…tipologjisë e rrëfimit retorik/ndjesor dhe logjik”, siç e thotë autori, tek i cili vihet re dukshëm mungesa e rrëfimit të dialoguar. Ky “trendy”, nëse do të vazhdoja ta quaja kështu, ngërthen brenda së tërës aspekte specifike të ligjërimit letrar, aspekte këto që kanë një  konfiguracion të turrur drejt novatores. Ky libër përbën sot padyshim një realitet të ri në vetëdijen e kritikës letare, duke krijuar një dualizëm të thellë, pa regjione, me ndikim planetar të fuqishëm letrar: një fenomen Blush’, që derivon në fenomenin Gjoka, në rastin konkret.

Në rrafshin komunikativ, ky studim kritik jep një “feedback” të plotë te publiku dhe jo vetëm tek ai i kultivuar e elitar, pasi Gjoka e ka sjellë librin në dimensione objektive me një sintagmë gjithëpërfshirëse. Studiuesi Gjoka komunikon me tekstin letrar me një intencë hulumtuese, jo vetëm në subjekt, por deri edhe te mitikja, kultura shkrimore e shpirtërore dhe gjuha atributive, duke i dhënë hapësira tej së tashmes laboratorit të tij kritik e duke e pasuruar atë me elemente asociativ. Sepse ky është Behar Gjoka, njeriu i pasionit dhe guximit të çmendur në shkencat letrare. Ai qëndron larg retorizmave dhe mbetet i drejtpërdrejtë, realist e i pandikuar në mendimin dhe qëndrimin profesional, çka shpërfaqet ashiqare në këtë prurje studimore të parë të këtij lloji, që urojmë të mos udhëtojë i vetëm në dekadën që sapo kemi hyrë.

Shkrimi u publikua sot (23.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar