Inis Gjoni "çel" qelitë e burgut, jepet
një shfaqje për gratë e burgosura

Inis Gjoni "çel" qelitë e burgut, jepet<br />një shfaqje për gratë e burgosura
TIRANE- Një ditë plot entuziazëm dhe ngrohtësi! Mes rrezeve të diellit dhe buzëqeshjes që ato po prekin për herë të parë oborrin e Teatrit Kombëtar, ishte surpriza që iu bë grave, atyre grave që rrallë kanë shijuar një shfaqje teatrale. Kjo ishte ajo çka ju ofroi regjisorja Inis Gjoni, grave me liri të kufizuar, përmes komedisë “Dhjetë vjet martesë”. Në një intervistë për “Shqiptarja.com” regjisorja tregon impresionet e kësaj nisme, një nismë kjo e dytë përsa i takon teatrit dhe grupin iniciator si dhe projektet e saj në vazhdimësi të vitit.
 
Shfaqja “Dhjetë vjet martesë” ftoi në skenën e Teatrit Kombëtar një publik shumë të veçantë, gratë e burgut. Si lindi kjo nisëm?
Shfaqja “Dhjetë vjet martesë” u shfaq dje në Teatrin Kombëtar për gratë me liri të kufizuar. Një nisëm kjo mes meje dhe artistes Myfarete Laze e cila punon në administratën e Drejtorisë së Burgjeve, një nisëm që mori jetë që para disa vitesh me shfaqjen “Salla e banjos”, një realizim i tillë për herë të parë në teatër.

Një falenderim i veçantë shkon edhe për Drejtorinë e Burgjeve, e cila na dha mundësinë të ishim pranë me këtë shfaqje, pasi është një gjë shumë e rrallë që ato gra të lenë qelitë e tyre dhe të prekin nga afër skenën e Teatrit Kombëtar. Ndryshe nga çka ndodhur më parë, ku artistët iknin dhe jepnin shfaqje në burgje, këtë herë ka qenë e kundërta, një vlerë kjo e jashtëzakonshme e këtij grupi iniciatorësh me në krye Hervin Çulin, drejtorin e Teatrit Kombëtar, i cili na vuri në dispozicion sallën për t’iu ndryshuar këtyre grave ditën dhe jetën e vështirë që bëjnë brenda katër mureve.
 
Inis, është hera e dytë që i jepni jetë këtij misioni. Cilat janë impresionet tuaja pas shfaqjes?
Në të vërtetë, unë jam shumë e ndjeshme në raport me femrat në përgjithësi, dhe jo pa qëllim në të gjitha shfaqjet që kam vendosur në qendër kanë qenë femra. Kënaqësia që marr nga kjo nisëm, është kur ato kanë një ditë ndryshe në jetën e tyre monotone dhe shumë të vështirë. Si qytetare, por edhe si artiste, që në fillim të kësaj nisme mendova se si mund t’iu vij në ndihmë këtyre grave, për t’iu ndryshuar sadopak jetën. Me anë të punës sime që unë ofroj, mendova t’i sjell këto gra në teatër, të jap një shfaqje vetëm për to. Me daljen dhe ardhjen në teatër, me pamjen e shfaqjes “Dhjetë vjet martesë”, aq më tepër që është një komedi, jam e bindur që për disa ditë do të jetë mesazhi që ato kanë marrë për të shtyrë ditë të tëra mes jetës së tyre brenda mureve.
 
Komedia e shkruar nga Halil Vardari, brenda kontekstit të saj ka në qendër femrën  dhe jetën bashkëshortore. Mendoni se ka ndikuar ky mesazh tek ky publik femrash?
Sigurisht që Halil Vardara e ka shkruar veprën duke mos ju drejtuar vetëm një kategorie të shoqërisë. Kjo është një vepër bashkëkohore që prek si njerëzit me liri të kufizuar, të pasurit, të varfërit, por edhe modernët, një marrdhënie kjo njerëzore nga e cila çdo kategori merr mesazhin e njëjtë.
 
Duke ditur që jemi në fillim të sezonit të ri artistik, cilat janë projektet tuaja pas suksesit “Dhjetë vjet martesë”, një lojë e bukur mes aktorëve Genc Fuga dhe Eni Janit?
Kam disa projekte, ku njëri prej tyre është një projekt televiziv në spektaklin “E Diela Shqiptare”, por padiskutim pa lënë pas projektet teatrale, të cilat janë shumë herët për t’i zbuluar. Sigurisht që do më duhet koha e duhur për t’i dhënë hapësirat e duhura secilit projekt, jam në pritje!
 
Shkrimi u publikua sot (06.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar