Nikolla: Inteligjencia proletare kundër Teatrit të ri, Reformës në Drejtësi apo kundër Ramës?!

Nikolla: Inteligjencia proletare kundër Teatrit të ri, Reformës në Drejtësi apo kundër Ramës?!

Përkufizimi i inteligjencies është një ndër misionet më të vështira – ndoshta i pamundur – por po e marrim të mirëqenë ekzistencën e saj. Një ndër përpjekjet më interesante më është dukur ajo e filozofit rus N. Berdjajev që pohonte se inteligjencia është bashkësia e anëtarëve më të zhvilluar shpirtërisht të një kombi. Qasja e tij xixëlluese parashikonte që krahas përgatitjes shkencore apo artistike, një intelektual i vërtetë duhej të kishte doemos edhe një ushtrim të vazhdueshëm shpirtëror. Nëse do t’i referoheshim kuptimit etimologjik të fjalës latine – nga intelligere që don me thënë me kuptu, me ditë, me pasë idenë mbi diçka – është e vetëkuptueshme se kategoria e inteligjencies do të duhej të përfshinte persona të urtë e të ditur!

Problemin na e ka ngatërruar pa masë E. Hoxha, pasi ai barazoi konceptin e inteligjencies me atë të “kuadrit”, duke i dhënë jetë një përkufizimi të ri të socializmit shqiptar: inteligjencia proletare! Pra kushdo që punonte asokohe në një zyrë quhej intelektual. Natyrisht kjo kategori e “kuadrit” nuk ka asgjë të përbashkët me përkufizimin e filozofit Berdjajev, por mund të konceptohet si një njësi paraintelektuale, pasi të gjitha prerogativat i vijnë nga partia e cila i ka emëruar “kuadro”! Përgjatë komunizmit inteligjencia ishte një shtresë sociale më shumë sesa një tubë personash që gëzonin admirimin e popullit për aftësitë e tyre artistike, shkencore apo shpirtërore! Intelektualët e vërtetë i ka krijuar vetë koha, njerëzit, historia jashtë logjikës së partisë.

Ndër mëkatet më të rënda të inteligjencies proletare ka qenë mungesa e aftësisë për të ndarë veprimin politik nga personi që e kryente atë veprim e kësisoj ka ngatërruar përherë fenomenin me personin, duke shkuar deri në ekstrem në dënimin e sidomos denigrimin e personit dhe asfare të fenomenit politik, social apo kulturor të prejardhur nga veprimi i personit! Një pjesë e madhe e inteligjencies e kuptonte këtë mangësi por e kryente mëkatin pasi ashtu udhëzonte partia. Kjo mënyrë të vepruari krijoi mendësinë tipike të intelektualëve të vendeve komuniste që Solzhenicin e quante “mendimi i dyfishtë”: tjetër gjë mendoj, tjetër them e bëj!

Ndoshta hyrja ishte e gjatë, por e domosdoshme për të kuptuar qëndrimet e disa intelektualëve ndaj dy ngjarjeve që po përftojnë ngarkesë të fortë politike: reforma në drejtësi dhe ndërtimi i teatrit të ri. Një pjesë e intelektualëve të angazhuar edhe mediatikisht shohin teori konspirative sikur Kryeministri Rama në bashkëpunim me internacionalistët (armiq të jashtëm!) po organizon reformën në drejtësi dhe gjithë vëmendja nuk përqendrohet te reforma dhe detajet e saj në vetvete, por te “aftësia manipuluese” e Ramës për t’ua hedhur gjithë shqiptarëve duku u ofruar një reformë në drejtësi siç e do ai! Ajo çka i bashkon qartazi këta intelektualë të sotëm me mendësinë komuniste lidhet me sulmin ndaj personit dhe ksenofobinë – armiqësia ndaj të huajit! Njëri syresh shkonte edhe më larg duke pohuar në mënyrë groteske se Rama, nisur nga qëllimet e tij ogurzeza, i ka mashtruar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, pa përjashtim, gjithë ambasadorët e vendeve europiane, të SHBA-së, përfaqësuesit e Organit Ndërkombëtar të Monitorimit!

Po t’i referohemi Solzhenicinit mbi idenë e tij të “mendimit të dyfishtë” mund të pohojmë se këta intelektualë revolucionarë të opozitës e kanë idenë se po thonë dokrra hiri, por duan të gjejnë çdo pretekst për të sulmuar E. Ramën, pasi ai ka tejkaluar sojin e mendësinë e tyre ndër vite! Ish-miku i tyre Rama nuk i plotëson tekat e tyre të herëpashershme e për rrjedhojë, edhe po ra breshër me kokrra të mëdha, duhet sulmuar Rama.

Rama sulmohet tërthorazi duke shpikur vizione apokaliptike biblike sikur në Shqipëri po ndodh hataja dhe shkaku kryesor për këtë është vetë ai: Rama. Në emër të një qasje inteletuale si ajo që përmendëm më lart, u bëhet thirrje njerëzve siç bënin dikur oficerët e bunkerizimit socialist të viteve ’70 gjatë një sulmi bërthamor: qytetarë të Shqipërisë, ikni nga sytë këmbët, fshihuni në tunele, në bunkerë, në pyll, në male, ku të mundni se këtë vend e përlau e zeza! Teksa lexoja këto shkrime nuk po kuptoja nëse autorët bënin humor apo ishin përfshirë pavetëdijshëm në regjinë e filmit “The day after”! Krahas tij, një tjetër pedagog i jepte me qesëndi Ramës leksione elementare se çfarë është “pakica”, “shumica” apo “pushteti absolut”, sikur politika të ishte kapanoni i tregut të shumicës të zarzavateve!

Po aq teatrale e bën realitetin e ndërtimit të teatrit të ri inteligjencia proletare! Shumica dërrmuese e aktorëve më të denjë të teatrit shqiptar kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre për ndërtimin e teatrit të ri! Por suflerët e teatrit opozitar i kanë trullosur disa aktorë, të cilët mund të jenë edhe në mirëbesim, duke i kundërvënë përballë projektit modern të teatrit të një Tirane të re, të një Tirane që nuk është në luftë dhe ku nuk po ndërtohet një kapanon për dëfrimin e ushtarëve të huaj. Aq shumë janë të lidhur me konceptin e “kuadrit artistik” këta aktorë antiteatër, saqë edhe ndërtimin e teatrit të ri e shohin si komplot të Ramës kundër artit! Grupi antiteatër ka mbetur nën ndikimin e “teatrit iluzion”, siç e quante autori i madh francez A. Artaud. E tij është shprehja e famshme: “Nëse njerëzia është mësuar të shkojë në teatër; nëse të gjithë jemi mësuar ta konsiderojmë teatrin si art inferior, një mjet të zakonshëm dëfrimi, si mjet për shfryrjen e instinkteve tona më të ulëta, kjo ndodh sepse shpesh na kanë përsëritur se teatri është rrenë dhe iluzion”!

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ardit Rada: Nesti, Aleksi dhe të tjerët…

Ardit Rada: Nesti, Aleksi dhe të tjerët…