Si ka qenë ecuria e të ardhurave nga dogana në periudhën tetor-dhjetor 2013, e krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar?
Rezulton se në tremujorin tetor-nëntor-dhjetor 2013 janë arkëtuar rreth 6 miliardë ose 60 milionë dollarë më shumë se të njëjtët muaj të viti paraardhës. Në muajin Tetor 2013 kishte një realizim plani prej 105 %, duke mbledhur 8.7 milionë dollar më shumë se Tetori i vitit 2012. Në muajin Nëntor 2013 janë arkëtuar 13 milionë dollarë më shumë se në muajin Nëntor 2012. Muaji Dhjetor 2013 rezulton të jetë muaji më i suksesshëm në mbledhjen e të ardhurave në historine e doganës me 165 milionë dollarë, me një realizim rekord të parashikimit financiar prej 129 %.
Në dhjetor 2013 Administrata Doganore ka arkëtuar për shtetin shqiptar 4.2 miliardë ose 40 milionë dollarë më shumë se dhjetori 2012. Ndërkohë që muaji Janar 2014 rezultoi sërish i suksesshëm. Kështu nga 9 miliard lekë të planifikuara për t’u mbledhur në këtë muaj u arkëtuan 9.174 milon lekë duke arritur një realizim me 102%. Të njëjtin trend arritjesh Administrata Doganore parashikon edhe per muajin Shkurt dhe në vijim. Aktualisht Dogana Shqiptare është kontribuesja kryesore me të ardhura e buxhetit të Shtetit, me mbi 60 %, duke patur kështu një përqëndrim të vëmendjes për shkak të pritshmërisë së lartë për të ardhmen por dhe një mbështetje të madhe nga ana e strukturave shtetërore.
Në lidhje me agjensinë angleze "Crown Agents", në çfarë faze të punës është kjo agjensi dhe çfarë impakti do të sjelli në sherbimin doganor aktivizimi i kësaj agjensie?
Aktualisht është faza fillestare e mobilizimit të kontratës, implementimit të projektit dhe njohjes me Administratën Doganore Shqiptare. Është përfunduar pjesa ligjore e nxjerrjes së Aktit Nënligjor (VKM), dhe në datën 1 Mars agjentët e “Crown Agents” do të nisin punën në terren me 8 grupe mobile, dhe do të kryejnë rreth 450 kontrolle në muaj. Së shpejti do të jenë në dispozicion edhe 10 makinat e specializuara të Crown Agents, të pajisura me teknologjinë më të fundit. Kompania “Crown Agents” pikësëpari pritet që të rrisë në mënyrë të ndjeshme të ardhurat doganore, rritje e cila llogaritet të ndikojë me 1 % në GDP-së.
Cilat janë projektet në të cilat është përfshirë dogana për të rritur cilësinë e shërbimit ?
Administrata Doganora Shqiptare ka qenë pjesë e projektit “Dogana 2013” e Bashkimit Evropian, si një program që ka filluar në vitin 2008 dhe që përfshin në një të vetëm të gjitha doganat e vendeve anëtare të BE, me qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet administratave doganore për çështje me interes të lartë ekonomik.
Ky projekt ka konsistuar në forcimin e komunikimit dhe shkëmbimit të eksperiencave, krahasimit të të dhënave, zhvillimit të seminareve dhe trajnimeve, organizimit të vizitave të punës mes vendeve pjesëmarrëse dhe aksioneve të përbashkëta monitoruese. Tashmë Administrata Doganore Shqiptare do të përfshihet në projektin tjetër të Bashkimit Evropian “Dogana 2020”, i cili fillon në 2014 dhe përfundon në vitin 2020. Ky projekt ka për qëllim avancimin e modernizimit dhe përafrimin e plotë me parametrat e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.
Cilat janë disa nga aspektet e punës për të përmirësuar Kodin Doganor dhe më gjerë ?
Administrata Doganore Shqiptare prej kohësh ka filluar proçesin për përmirësimin e Kodit Doganor dhe përfundimin e tij brenda vitit 2014. Ky Kod i ri është plotësisht në përputhje me Kodin Doganor Evropian dhe do të shërbejë si një instrument përafrimi me praktikat dhe proçedurat që aplikojnë aktualisht në vendet anëtare të BE. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është përfshirë në shqyrtimin e legjislacionit doganor për ta njehsuar atë me legjislacionin e BE.
Njëkohësisht po shqyrtohen praktikat më të mira të vendeve anëtare të BE dhe shumë shpejt do te mundësohet nisja e procedurave të thjeshtuara, të cilat përkthehen në reduktim thelbësor të kohës dhe kostove që operatorët ekonomikë kanë në biznesin e tyre për shkak të veprimeve në doganë. Deri në aplikimin më të gjërë të procedurave të thjeshtuara, pas konsultimeve me përfaqësues të biznesit te përpunimit aktiv si dhe të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve të Shqipërisë u bënë disa plotësime në procedurën e deklarimit për përpunimin aktiv, të materializuara në Udhëzimin që rregullon dhe standardizon punën e doganës dhe operatorëve ekonomike për ketë regjim.
A keni patur ju konsultime me përfaqësues të biznesit për të shtuar partneritetin ?
Në kuadër të bashkëbisedimit me biznesin që operon me regjimet e përpunimit aktiv duke përfshire këtu gjithë gamën e tij është diskutuar intensivisht lidhur me thellimin e partneritetit real duke konsideruar shumë të rëndësishëm korrektësinë reciproke dhe lehtësimin e procedurave.
Shkrimi u publikua sot (13.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)