Intervista/ Villata: Pse e sollëm
 bienalen e Torinos në Tiranë

Intervista/ Villata: Pse e sollëm<br /> bienalen e Torinos në Tiranë
TIRANE- Muzeu Historik Kombëtar mbrëmë ka hapur dyert për Bienalen e Torinos, “Stemperando”. Me 55 artistë ndërkombëtarë, midis të cilëve 19 janë shqiptarë, Bienalja e Torinos në edicionin e saj të 16-të për herë të parë transferohet në Tiranë. A mund ta quajnë udhëtimin e këtij eventi një respekt për artin dhe artistët shqiptarë.

Pse ky event i madh vjen nga Italia pikërisht në një vend të vogël, e dikur të izoluar nga diktatura komuniste, siç ka qenë Shqipëria. Një rrëfim interesant për udhëtimin e bienales në vendin tonë vjen për gazetën “Shqiptarja.com” nga kuratori italian prof. Anselmo Villata.

Me profesor Villata-n u takuam pak orë para çeljes së Bienales së Torinos në Muzeun Historik të Tiranës dhe natyrshëm biseda erdhi rreth integrimit të artistëve dhe artit shqiptar fillimisht në Itali pas viteve ’90 e më pas në botë. Bienalja është kuruar nga artisti italian Anselmo Villata me artistin shqiptar Alfred Mirashi (Miloti). Ndërsa përzgjedhja e artistëve shqiptarë ka për kurator skulptorin Vladimir Llakaj. Ndërsa kjo bienale do të qëndrojë e hapur deri më 10 maj 2015, profesor Villata përveçse tregon arsyet e transferimit të një binelajeje me prestigj ndërkombëtar në Shqipëri flet edhe për mesazhet e simbolikën e saj.   
 
Profesor Villata, ardhja e Bienales së Torinos në Shqipëri çfarë simbolizon për ju si organizator dhe kurator i saj?
Ardhja e Bienales së Torinos në Shqipëri është një gjë e rëndësishme, sepse shkëmbejmë kulturat. Dhe shkëmbimi është një diçka e madhe, sepse funksionon kështu: që ne mësojmë nga artistë shqiptarë dhe artistët shqiptarë mësojnë nga ne. Edhe personalisht takimi me artistët shqiptarë më ka dhënë shumë kënaqësi. Kisha dëshirë të rrija më shumë në Tiranë se po më pëlqen, por më duhet të rri vetëm pak ditë se pas kësaj më duhet të shkojë për punë në vende të tjera.  
 
Është hera e parë që ju vizitoni Shqipërinë?
Është hera e parë që e vizitojë Shqipërinë, por kontaktet me artistët e këtij vendi dhe kulturën tuaj i kemi pasur më herët, pasi kemi qenë vazhdimisht në bashkëpunim me artistët dhe institucionet shqiptare.
 
Kur keni kotaktuar për herë të parë me artin shqiptar?
Hera e parë ka qenë në Bienale, para pesë vjetëve. Atje unë kam pasur shansin e madh të njihem me artistë shqiptarë dhe ka qenë një befasi për mua, sepse vura re se artistët shqiptarë kanë një lloj vitaliteti.

Të paktën kjo ishte përshtypja ime për artistët shqiptarë që jetojnë në Itali, por tani që unë po njihem edhe me artistë shqiptarë që punojnë këtu, dhe është e njëjta gjë, gjej të njëjtin vitalitet. Kisha dëshirë të vija në Shqipëri, sepse shumë artistë shqiptarë janë bërë të njohur në shkallë ndërkombëtare dhe kjo është e rëndësishme, sepse bëhen shkëmbime kulturore. Unë vetë jam kurioz të njoh kulturën e vendit tuaj. Kështu këtë bienale e shoh si një kafe artistësh, ku shkëmbehen idetë, pasurohen idetë.   
 
Siç duket veprat e artitëve shqiptarë dhe atyre italianë në konteksin e kësaj bienaleje i përkasin artit konceptual. A ka një cak deri ku duhet të mbërrijë kjo liri mediumesh e konceptesh artistike sot?
Arti nuk ka kufij. Është diçka ndërkombëtare dhe sot është bërë më i thjeshtë komunikimi midis popujve. Ky komunikim shpesh nis më natyrshëm me artistët e vendeve të ndryshme dhe sot është arritur deri aty sa arti italian dhe ai shqiptar, apo muzika e kultura e vendeve të tjera të shihen si arritje ndërkombëtare. Dhe përderisa është bërë kaq i thjeshtë komunikimi mes vendeve dhe popujve, sot ka ardhur puna që ne si kuratorë të një bienaleje kaq të rëndësishme të themi pse të mos bëhet një event i tillë edhe në Shqipëri.
 
 
A mund të në jepni një argument pse pikërisht Italia është bërë vendi më i famshëm për çeljen e ekspozitave të mëdha ndërkombëtare, siç janë bienalet e shumta në Romë, në Milano, në Venecia, etj?
Mund të them se është traditë piktura në Itali. Ka vijuar kjo traditë dhe bashkë me të gjithmonë është edhe dashuria e popullit italian për artet, pra është edhe vet prirja artitsike e këtij populli. Kjo besoj se është edhe një arsye më shumë që ka mundësuar organizime eventesh dhe prurje të mëdha artistike e talente të shumta në artet pamore.

Në Itali vijnë nga vende të ndryshme të botës artistë, sepse ka shkolla që mundësojnë të mësohet e të njohin artin e vjetër, traditën e pikturës italine dhe që aty, nga ato shkolla dalin shumë artistë, pavarësisht se nga cili vend i botës janë. Natyrisht një pjesë jetojnë intesivisht në mjediset artistike që u mundëson Italia, bëjnë krijimtari aty, çelin eskpozitat, por edhe bashkëpunojnë me traditat e vendeve të botës nga ata vijnë.
 
Ndërsa kostatojmë se me vërtetë nga të gjitha vendet e botës në Itali po vijnë shumë piktorë të talentuar, lind pyetja: mos po ndodh ajo që ndodhi në vitet ‘30 me piktorët e botës që u mblodhën në Paris e tani po mblidhen në Itali?  
Franca me piktorë të tillë si Pikasoja, apo impresionistët u bë një qendër e tillë se piktorët vetë vendosën të shkonin atje, që të rrinin me njëri-tjetrin, të komunikonim me njëri-tjetrin dhe jo vetëm me piktorët, por edhe artistë të fushave të ndryshme. Dhe kjo bëri që piktorët më të talentuar të botës të gjendeshin në Francë.

Nuk është diçka që bëhet e qëllimshme, por e vërteta është që piktorët e vendeve të ndryshme të botës duan të vijnë, të kontaktojnë, të komunikojnë me artistë që gjenden në Itali dhe ata gjejnë një mënyrë komunikimi që i vë në bashkëbisedim gjatë krijimtarisë së tyre. Është edhe një mundësi shkëmbimi kulturash e përvojash e të dy krahëve.
 
Cili është mesazhi i bienales?
Mënyra për të shprehur në mënyrë më të lirshme artin, shprehjen artistike. Në bienale të gjithë prezantohen lirshëm me punë më vete dhe me personalitetin e vet artistik. Nuk ka temë apo ideologji që ta kufizojë. Unë dua të tregojë se në ç’fazë është zhvillimi i artit në Shqipëri.
 
Atëherë, në ç’fazë është zhvillimi i artit në Shqipëri?
Është një fazë të tillë që ka arritur të shprehet me një gjuhë ndërkombëtare. Artin shqiptar e shoh si një lloj arti që mund të përhapet në gjithë botën.
Anselmo Villata













Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia