Një rrugë në Bathore të Kamzës mban emrin e Bashkim Gazidedes, ish-kreut të SHIK-ut famëkeq 1992-1997, i cili përfaqëson faqen më të errët të historisë së pluralizmit shqiptar. Bashkim Gazidede njihet ndryshe edhe si ‘Gebelsi’ dhe dora e terrorit të Sali Berishës, gjatë viteve 1992-1997. Emri i tij lidhet me rrëmimet, torturat dhe zhdukjen e njerëzve, dhunimin e kundërshtarëve politikë të Berishës, reprezaljet, shtypjen e protestave, përndjekjet, djegien e gazetave kritike, sulmet fizike ndaj gazetarëve, planet për pushtimin e jugut të vendit, armatosjen dhe mobilizimin e militantëve të PD-së, fjalimet anti-amerikane në Parlament, përgjimet etj.

Megjithatë, emrin e Bashkim Gazidedes, i konsideruar nga PD si 'personalitet i shquar', e mban prej 12 vitesh një rrugë vetëm 9 km nga qendra e Tiranës. Pas skandalit fshihet vetë Sali Berisha, i cili edhe në këtë rast ka përdorur disa besnikë partie si ish-kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu dhe ish-prefektin e Tiranës Ruzhdi Keçi, të emëruar me dorën e tij.

Në tetor 27 të 2008, siç vërtetohet nga ky projektvendim, Xhelal Mziu, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Kamzës, i propozon Këshillit Bashkiak të Kamzës për t’i vendosur një rruge në Bathore emrin e Bashkim Gazidedes. Propozimi është firmosur edhe nga ish-drejtoresha e Shërbimeve Publike Shyhrete Haziraj, ish-drejtoresha e Urbanistikës Adriana Dema dhe ish-drejtori Juridik i Bashkisë Altin Hoti. Një ditë më pas, pra në 28 tetor 2008, Këshilli Bashkiak i Kamzës ka miratuar propozimin e Mziut. Vendimi i miratuar mban firmën e kryetarit të Këshillit Bashkiak në atë kohë, Bilbil Bajraktari dhe të sekretarit të Këshillit Bashkiak, Sokol Ndreu.

Më pas vendimi është miratuar nga Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi. Ky i fundit është emëruar në këtë detyrë nga Sali Berisha, sapo erdhi në pushtet, konkretisht me vendim Nr. 621, datë 3.10.2005. Keçi u zëvendësuar në vitin 2009 nga Keltis Kruja.

Vendimi i Këshillit Bashkiak është miratuar vetëm tre ditë pasi Bashkim Gazidede ndërroi jetë. Gazidede ka ndërruar jetë në 25 tetor 2008, Mziu ka propozuar që emri i Gazidedes t’i vendoset rrugës në Bathore në 27 tetor 2008, ndërsa në datën 28 është miratuar vendimi, pra me një procedurë urgjente.

Në dokumentacionin e siguruar nga Report Tv nuk figuron asnjë relacion me argumentet dhe ‘vlerat’ që përfaqëson figura e Bashkim Gazidedes, për të mbështetur vendimin për t’i vendosur emrin e tij rrugës. Por, nga verifikimet rezulton se 'relacionin' e ka bërë Rilindja Demokratike, organi zyrtar i Partisë Demokratike, instrument mediatik i Sali Berishës.

Në datën 26 tetor 2008, gazeta e PD-së e përshkruan Gazideden në këtë mënyrë: “...një nga personalitetet e shquara të jetës politike shqiptare.... një nga ata intelektualë të shkëlqyer shqiptarë që u angazhuan që në orët dhe ditët e para në lëvizjen demokratike...me mençurinë e tij, përkushtimin e madh, ndershmërinë dhe guximin që e karakterizonin, mblodhi rreth vetes specialistë të shquar nga fusha të ndryshme dhe organizoi Shërbimin Informativ Kombëtar”.

Me këtë përshkrim, ushtarët politikë të Berishës e kanë marrë mesazhin, pasi janë vënë në lëvizje menjëherë.

Në ‘relacionin’ e RD-së thuhet më tej se “nga viti 2005 deri në vitin 2008 ai punoi me përkushtim të madh në reformën e sistemit të regjistrimit të pasurive”. Në fakt, pasi u kthye nga azili politik në Turqi, Gazidede u emëruar nga Sali Berisha në vitin 2005, sapo erdhi në pushtet, nëndrejtor të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Në të njëjtën formë, Berisha shpërbleu edhe bashkëpunëtorin e Bashkim Gazidedes, Arben Sefgjinin, i arrestuar në 2003 si i implikuar në zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha nga SHIK-u famëkeq. Fillimisht Berisha e emëroi Sefgjinin drejtor të Përgjithshëm të Përmbarimit dhe më pas drejtor të Përgjithshëm i Tatimeve. Berisha nuk e largoi as kur Sefgjini ishte në arrest shtëpie, fakt i cili u bë objekt i kabllogrameve që Ambasada Amerikane në Tiranë i dërgonte Departamentit Amerikan të Shtetit. Përfaqësitë e huaja diplomatike në Tiranë u skandalizuan nga fakti se si drejtuesi i një prej degëve më të rëndësishme të qeverisjes ushtronte detyrën nga arresti shtëpiak dhe Berisha nuk e zëvendësonte.

Sali Berisha emëroi drejtor të Doganave edhe Flamur Gjymyshkën, i cili në periudhën 92-97 punoi si Drejtori i Kundërzbulimit në SHIK-un e drejtuar nga Gazidede. Ndërsa Arben Ibron,

Ish-punonjësi i SHIK-ut në kohën e Gazidedes, e emëroi drejtor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit.

Krahun e djathtë të Gazidedes, Visho Ajazi Likën, i kthyer nga azili politik nga Kanadaja, e emëroi zëvendësministër. Pas emërimit të Bujar Nishanit President, Berisha e emëroi Visho Likën në krye të SHISH, duke shkarkuar Bahri Shaqirin. Visho Lika riktheu në SHISH grupin e bashkëpuntorëve të Gazidedes, të cilët pas rënies së Berishës nga pushteti në '97, kishin kërkuar azil si ish-shefi i tyre. Ata nisën të kthehen në Shqipëri pas rikthimit të Berishës në pushtet në 2005.

Ditët e fundit, qeveria 'Rama' ka propozuar një ligj për t'i nxjerrë në pension të parakohshëm.

Vendosja e emrit të Bashkim Gazides rrugës në Kamëz nuk është përpjekja e parë e Berishës për të rehabilituar figurën e ushtarit të tij në krye të SHIK. Në vitin 2012, Këshilli Bashkiak i Dibrës, i kontrolluar nga PD, i dha titullin "Qytetar Nderi", ish- kreut të SHISH, Bashkim Gazidede. Edhe në këtë rast, Gazidede është nderuar me motivacionin si intelektual dhe profesor i shquar.

Por, ndryshe nga sa e përshkruan Berisha si personalitet të shquar, Bashkim Gazidede, emri i Gazidedes është gjithashtu simbol i shpërdorimit të shërbimeve sekrete, për ndjekjen, përgjimin dhe dhunën mbi opozitën, i shndërrimit të shërbimit sekret në instrument terrori për të ruajtur pushtetin, me të gjitha format çnjerëzore. Torturimi dhe zhdukja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha si dhe fjalimi i Bashkim Gazidedes në Parlament, në 26 mars 1997, ku akuzonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pushtimin e Shqipërisë, urdhri për të djegur redaksi gazetash etj., tregojnë mjaftueshëm se çfarë përfaqëson figura e Gazidedes.

Ish-kreu i SHIK përfaqëson konceptin e menaxhimit të pushtetit përmes dhunës, vrasjeve, zhdukjeve dhe paligjshmërive, por Sali Berisha dhe një pjesë e madhe e Partisë Demokratike nuk janë distancuar kurrë nga ai, gjë që duket edhe nga lavdërimi që PD i ka rezervuar Bashkim Gazidedes dhe përpjekjet për të nderuar emrin e tij. Edhe pse Bashkia e Kamzës është ‘çliruar’ nga Mziu dhe shpura e tij që në mes të vitit 2019, çuditërisht rruga në Kamëz vijon të quhet ‘Bashkim Gazidede’.