Investigimi/ Si Ahmetaj rriti pagat
vetëm për Ministrinë e Financave

Investigimi/ Si Ahmetaj rriti pagat<br />vetëm për Ministrinë e Financave
Në 16 mars të këtij viti befasia që përfshiu pjesën më të madhe të punonjësve publikë të ministrive shqiptare kishte të bënte me vendimin e firmosur nga kryeministri Rama me nr 187 “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve civilë/nëpunësve, zëvendësministrit dhe nëpunësve të kabineteve, në Kryeministri, aparatet e ministrive të linjës, administratën e Presidentit, Kuvendit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, disa institucione të pavarura, institucionet në varësi të Kryeministrit, institucionet në varësi të ministrave të linjës dhe administratën e Prefektit”.

Befasia në fakt nuk kishte të bënte me lajmin të rritjes së pagave të administratës publike. Kjo ishte bërë e njohur hershëm nga vetë kreu i qeverisë. Pikërisht , më 30.11.2016, z. Rama dha sihariqin mbi “100 milionë dollarë për të rritur rrogat dhe pensionet”. Atë kohë Rama tha tekstualisht se “është momenti që me të gjithë ata, të cilët i shërbejnë këtij shteti drejtpërdrejtë, ne t’i ndajmë frytet e para të reformave. Rritja e pagave në këtë aspekt nuk është thjesht një rritje pagash e zakonshme, në një rrugë të zakonshme progresi të vazhdueshëm, por është edhe një shpërblim i merituar për të gjithë mbështetjen, që në radhë të parë njerëzit që punojnë i kanë dhënë reformave” dhe se “ne kemi vendosur që të spostojmë nga buxheti i shtetit, në buxhetin e familjeve 100 milionë dollarë për të rritur rroga e pensione”.

“Që t’ju jap një ide se çfarë janë 100 milion dollarë në këtë kontekst - tha Rama në takimin me punonjësit e administratës publike në 30 nëntor 2016, - po ju them që gjatë 8 viteve të qeverisjes së kaluar për gjithë volumin e rritjes së pagave e pensioneve u spostuan nga buxheti i shteti tek buxhetet individuale apo familjare, për rroga e pensione 124 milionë dollarë. Në një vit, ne spostojmë 100 milionë dollarë. Sigurisht, dikush mund të thotë dakord, por është hera e parë që rriten rrogat në 4 vjet”.

Po kryeministrin e përforcoi mjaft deklarimi i z. Ahmetaj, ministrër i Financave, i cili nga foltorja e Këshillit të Ministrave, në 8 mars 2017, tha se “…sot Këshilli i Ministrave kaloi VKM për rritjen e pagave në administratën publike. Nga sot rritja 10% e pagës është realitet dhe premtim i mbajtur i qeverisë Rama, pas rritjes së pensioneve në 1 mars, duke angazhuar fondin më të madh në 25 vjet të akorduar në buxhetin e shtetit për rritjen e pagave dhe pensioneve”. Nuk mund të mos jetë lajm i gëzueshëm ky!

Kryeministri Rama jepte edhe hollësi profesionale: “Vetëm punonjësit buxhetorë, pra, administratë publike dhe pjesa tjetër e administratës shtetërore, 140 milionë dollarë. Dhe jo buxhetorët, që nga kamarierët deri tek gjithë struktura e pagave në privat nën 1 milionë, 300 milionë dollarë. Që bëjnë 440, plus 100 bëjnë 540 milionë dollarë. Krahasoni 124 milionë në 8 vjet me 540 milionë në 4 vjet. Të cilat janë para që përndryshe shteti do t’i kishte marrë vetë dhe do bënte punë të tjera.  Por ne kemi bërë një zgjedhje shumë të qartë, që në rrugën e reformave dhe në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm të mos lëmë për të fundit fuqinë blerëse të njerëzve që jetojnë me punë të ndershme”. Bukur!

Po gëzimi më i madh, jo për administratën publike në tërësi, por sidomos për ministrinë që drejton Ahmetaj, pra Ministrinë e Financave nuk erdhi as në 30 nëntor 2016, as në 8 mars 2017, por pikërisht në 16 Mars 2017! Kësaj herë nuk u përdor ndonjë foltore për sihariqin e madh, por thjesht Fletorja Zyrtare, Botim i Qendrës së Botimeve Zyrtare, nr 52/2017!

Ministri Ahmetaj kishte shfrytëzuar një të drejtë ligjore që ia jep ligji Nr 130, datë 15.12.2016, në nenin 14 të të cilit shkruhet: ”Fondi për rritjen e pagave prej 5500 milionë lekësh shpërndahet nga Ministria e Financave mbi bazën e nivelit të pagave që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave’’. Ky nen mjaftonte që “afendikoi” i Financave Publike, ministri Ahmetaj të formulonte dhe të miratonte në qeverinë “Rama” edhe VKM nr 187, datë 08.03.2017. Çfarë kishte kërkuar dhe miratuar me këtë vendim të Këshillit të Ministrave administratori i Financave Publike (së bashku me ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike)?

Përgjigje e thjeshtë! Gjendet ne nenin 4/12: “Në Ministrinë e Financave, nëpunësit civilë në  pozicionet “Sekretar i Përgjithshëm, “Drejtor i Përgjithshëm”, “Drejtor drejtorie”, “Përgjegjës sektori” dhe “Specialist”, si dhe funksionarët në pozicionet “Drejtor i kabinetit të ministrit”, “Zëdhënës” dhe “Këshilltar”, iu rriten në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë”. Pra ministri i Financave i ka rritur rrogat gjithë stafit të ministrisë së vet (duke përfshirë edhe zëdhënësen!!) por jo të ministrive të tjera.

Vetëm në MINISTRINË E FINANCAVE?! Në asnjë ministri tjetër? Hiç fare! (mbase ca thërrime në Ministrinë e Mimi Kodhelit. Pra rrogat me 20 mijë lekë iu rriten vetëm drejtorëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, Drejtorisë së Përgjithshme të Borxhit Publik, drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Juridike dhe Shërbimeve Mbështetëse, Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave Makroekonomike dhe të Çështjeve Fiskale, Drejtorisë së Përgjithshme të Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, Drejtorisë së Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve për Fondet e BE-së, Bankës Botërore dhe Donatorëve të tjerë, Drejtorisë së Auditimit të Brendshëm, Drejtorisë së Inspektimit Financiar Publik, Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, Drejtorisë së Sistemeve dhe Teknologjisë së Informacionit, Drejtorisë së Integrimit Europian dhe e Programit IPA, Drejtorisë Mbështetëse NAO, Drejtorisë së Fondit Kombëtar, Drejtorisë së Menaxhimit të Reformave në Fushën e Menaxhimit Financiar Publik…

Nuk kam mbaruar! Ka ende! Sepse Ahmetaj që ka çelsin e financave publike ka dorovitur me 200 mije lekëtë vjetra edhe të gjithë drejtorët e drejtorive, përgjegjësat e sektorëve dhe specialistët, apo edhe drejtorin e tij të kabinetit, zëdhënësen dhe këshilltarët. Të gjithë praktikisht! Kush ka mbetur tjetër në këtë ministri? Shoferët dhe Pastrueset.

Por pse për shembull zëdhënësja e ministrit Ahmetaj, apo këshilltari, duhet të fitojë çdo muaj 20.000 lekë (të reja) më shumë se sa zëdhënësi apo këshilltari i secilit prej 18 ministrave të tjerë? Një diskriminim i hapur që po shkakton shume pakënaqësi mes kolegëve të Ahmetajt dhe madje edhe brenda stafit të Kryeministrisë, që kanë zbuluar se rritja është bërë nominale vetëm për njerëzit që punojnë me Ahmetajn.

Ndërsa shkruaja këto rreshta m’u kujtua intervista (dhënë Klan TV) e shefit të “ngrirë” të FMN: “Do të kishte qenë më mirë që rritja e rrogave të përputhej me  aftësitë specifike të kërkuara për një vend pozicion të caktuar pune, se sa të ishin bërë dhe do të ishin dekurajuar premtimet e bëra për rritje rrogash, në një nivel të caktuar për një grup të gjerë”, ka pohuar përfaqësuesi i Përhershëm i FMN në Shqipëri, z.Jens Reinke.

Të jetë e vërtetë që vetëm këta të Ministrisë së Financave mbartin “aftësi specifike të kërkuara”?! Nuk e di çfarë mendojnë ministrat Gjiknuri, Dervishaj, Bushati, Gjosha, Ekonomi, Gjermeni, Nikolla, Kumbaro, Harito, Koka, Panariti… Nuk po i  shkruaj këta të “rinjtë”, si Vasili, Manastirliu, Shalsi apo Xhaçka, se këta ende nuk ia kanë marrë “dorën”.

Thonë që Ahmetaj e ka shumë mirë me Ramën. Të jetë e vërtetë? Lexoni VKM nr 187, datë 08.03.2017 nenin 4/12! Faleminderit!

ahmetaj vendimi


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS