/ATSH-E.Xhajanka/- Sipërmarrës të ndryshëm po rrisin interesin për të investuar në bujqësi, duke u orientuar kryesisht drejt prodhimeve origjinale tradicionale bujqësore e blegtorale shqiptare, si faktor që mbështet qëndrueshmërinë e zhvillimit.
Ismail Beka, përfaqësues i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ), lidhur me sfidat e investimit në sektorin bujqësor, gjykon se, çdokush që fillon sot një investim për një fermë intensive bujqësore, sera, vreshta, blegtori, bimë mjekësore etj., duhet të vlerësojë mirë konkurrencën në treg dhe kërkesat e sotme të tregtisë së lirë në nivel rajonal e europian, treg në të cilin ne sot jemi të hapur, për sa u përket importeve, por ende shumë të kufizuar për sa u përket eksporteve.
Sipas tij, shumë sipërmarrës nisen për të investuar vetëm duke parë njëri-tjetrin. P.sh., nëse dikush blen dhi alpine, e ndjekin dhe të tjerët, por që nga koncepti, ky investim e humb thelbin. Kur e merr dhinë alpine e çon në Myzeqe apo zonat bregdetare, nuk është komode, se ajo është "dhi alpine".
Vërtet orientimi bazë është prodhimi blegtoral, por së pari duhet menduar të garantosh prodhimin bujqësor, shprehet Beka, i cili në këndvështrimin e ekspertit të bujqësisë vë në dukje se, prodhimi fillon që nga sigurimi i tokës e deri te prodhimi i ushqimit. Nëse importon ushqimin, kashtën dhe drithin, atëherë investimi mund të rezultojë me kosto të shtrenjtë dhe pa vlerë. Ndaj, në këto kushte, është e domosdoshme asistenca teknike e kualifikuar.
"Këta sipërmarrës, që kanë fuqinë e investimit, duhet të kenë asistencë teknike dhe informacion më të detajuar dhe profesional, sesa është sot shërbimi këshillimor, në mënyrë që të përshtasin investimet", thotë Beka.
Gjithsesi, evidenton ai, bujqësia është një fushë ku mund të investohet, por duhet menduar mirë, edhe duke shfrytëzuar kapacitetet ekzistuese dhe bizneset duhet të mendojnë që të jenë sa më konkurruese. Ka shumë industri që shfrytëzohen pak, ndaj sipërmarrësit mund të orientohen te segmentet ekzistuese. Për shembull, industria e qumështit shfrytëzohet jo më shumë se 25%, po kështu industria e vajit të ullirit, apo industritë e konservimit të perimeve dhe të verërave.
Në Shqipëri, për hir të strukturës së fermave dhe të kulturës bujqësore nuk mund të përqendrohet baza e mbështetjes vetëm tek ata që investojnë në ferma të mëdha, por dhe të vegjlit duhet të jenë pjesë e zinxhirit të ushqimit