Ka një habi të madhe që endet këto muaj në ajrin politik të Tiranës. Është habia që lidhet me procesin përjashtues të të gjitha kandidaturave që guxuan të aplikojnë për të garuar në zgjedhjet e 23 majit për kreun e Partisë Demokratike. Është një habi e cila po zbërthehet në lloj-lloj analizash, komentesh e qëndrimesh në studiot televizive, mediat e tjera dhe rrjetin social përjetësisht të zhurmshëm e folklorik.

Habiten ata që gjithë ditën thonë e stërthonë po vetë se Doktori e ka privatizuar partinë. Habiten ata që kanë jetuar këtu 35 vitet e fundit dhe i kanë parë të gjitha peripecitë që ka kaluar PD e bashkë me të e gjithë Shqipëria, edhe për shkak se kryetari i saj nuk ka pranuar kurrë t’i lëshojë qoshen dikujt tjetër. Habiten edhe ata që panë sesi Berisha deklaroi me lot në sy largimin nga posti i kryetarit në vitin 2013 dhe përjetuan një surprizë të hidhur kur ai u kthye pas tetë vitesh në zyrën e Lulzim Bashës. Habiten më në fund ata që nga mëngjesi në darkë flasin e shkruajnë për nevojën e rotacionit të elitave dhe për domosdoshmërinë e hapjes së procesit politik ndaj të rinjve, e që bëjnë sikur nuk shohin sesi politikani më i vjetër i tranzicionit vazhdon të mbajë fort në duar frenat e partisë së dytë më të madhe të vendit. Një habi kombëtare për një ngjarje të vjetër sa vetë mosha e pluralizmit politik shqiptar.

Të vetmit që nuk habiten janë ata që i qëndrojnë pas Doktorit dhe që kanë vendosur të ndajnë fatin politik final me të. Këta janë më të qartët dhe paradoksalisht më realistët rreth asaj që (s)ndodh në Partinë Demokratike. Një forcë politike ku mund të hapen, madje të shkalafiten të gjitha zyrat, seksionet, grupseksionet, grupi parlamentar, këshilli kombëtar dhe institucionet e tjera më të larta, kati i parë, i dytë dhe i tretë e deri te kolibja e rojes së parkingut në selinë qëndrore, përveç një zyre që është e dhënë me tapi qysh në ditën 1 të egzistencës së PD 35 vjet më parë: zyra e kryetarit Berisha!

Gjithçka mund të rinovohet, gjithçka mund të ndryshojë e transformohet përveç kësaj zyre. Cilido mund të vijë e të shkojë në atë parti, por jo kryetari i cili e ka marrë zyrën me tapi, siç thonë  edhe të habiturit. Ajo zyrë dhe ai post do t’i rezistojë çdo gare të humbur zgjedhore, edhe duke shkelur nenin e famshëm Basha i cili thotë se në ditën e humbjes kryetarit i mbaron mandati, pa pikë dhe pa presje.

Ajo zyrë me pronësi nominale duhet t’i rezistojë çdo tërmeti politik, negociate, thirrjeje për ndryshim, fraksioni të madh apo të vogël. Është një zyrë e blinduar politikisht në nivelin personal dhe nuk ka kurrfarë stuhie e furtune që mund ta luajë nga vendi. Aty koha nuk ecën, ajri qëndron pezull dhe i palëvizshëm, aty nocionet e evolucionit dhe ndryshimit shbëhen, logjika e thjeshtë e rinovimit dhe e ligjësive të mëdha të jetës humbet fuqi, aty edhe ligjet e fizikës dhe të gravitetit duken sikur stepen.

Berisha e provoi se dëshëron të jetë një kryetar i pakohë. Le të habiten ata që habinë e paskan me tepri dhe që e përdorin vend e pa vend. Le të habiten e të mos kuptojnë se kryetari historik i PD është i tillë, pra historik, sepse përjetësisht ka qenë kandidat pa rival në partinë e tij. Ka qenë një lloj atleti i garave të thellësisë që ka garuar rregullisht i vetëm, pa konkurentë dhe pa bërryla që ta shqetësonin. Kushdo ka guxuar e ka parë veten në rrugë ose dhe më keq. Historia i njeh mirë rastet dhe emrat.

Prandaj kjo pozitë përjetësisht dominuese brenda partisë i ka krijuar Sali Berishës luksin që kur edhe humbet zgjedhjet, të mos i quajë të tilla, pra zgjedhje, por “farsë”. Paçka se askund në statutin e ndryshuar të PD pas ikjes së Lulzim Bashës, nuk thuhet që nëse partia i konsideron zgjedhjet të vjedhura nga kundërshtarët, kryetari nuk ikën nga posti.

Sot rreziku Doktorit nuk po i vjen nga ndonjë pusi senatorësh apo thikë pas shpine në katet e larta të partisë. Aq më pak po i vjen nga neni Basha me të cilin tallet nga mëngjesi në darkë. Në atë ambjent që quhet PD s’ka më rrezik për Berishën pasi e ka spastruar me kohë fushën e lojës. Risku po i vjen nga s’e priste: nga një grua e panjohur e quajtur Mereme Sela që pati guximin e çmendur të garojë për kryetare partie. Dhe që pasi u skualifikua, siç pritej, vendosi ta çojë në gjykatë nenin e famshëm Basha.

Duket si një shenjë e fatit, por ja që goditja mund të vinte vetëm nga persona të tillë jashtë rrethit të ngushtë politik, të palidhur me interesa, njohje apo histori të përbashkët me Berishën. Akti i padisë në gjykatë për nenin Basha ishte hapi që askush s’e ndërmori këto vite. As vetë Basha, as pasuesit e tij gjithnjë e më të paktë, as Edvin Salianji.

Mereme Sela qe e vetmja. Duket si ndonjë barcaletë për ditë me shi por ja që një hap i tillë surprizë nga një grua e panjohur mund të kthehet potencialisht në ortek për Doktorin nëse gjykata do ta lexojë ftohtë dhe objektivisht statutin e ndryshuar të PD të miratuar nga një tjetër gjykatës me mbiemrin Zhukri. Nëse kjo padi-surprizë do të kthehej në realitet, mund të kishim një zhvillim që as Berisha e as të tjerët rreth tij s’do të dinin si ta menaxhonin. Atëhere do të kishte vërtetë vend për t’u habitur!/ JavaNews