* * *
Prej asaj kohe, u pezullova nga futbolli e shkova në Valias. U aktivizova me Valiasin, ku luajtëm ngado nëpër Shqipëri. Edhe kur luaja me spartakiadën punëtore, nuk donin të më lejonin. U riktheva për pak ditë te Dinamo, por shumë shpejt u dha urdhër të largohem.
Po Ministria e Brendshme, meqenëse dihet se mbulonte klubin Dinamo, si shihej në atë kohë?
Ministria e Brendshme në kohën kur unë luaja, ishte më e sulmuara, sidomos pas atyre që ndodhën në kohën e goditjes së Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut. Ndryshe nga çfarë mund të mendohet sot, ata, si vegla të regjimit, ishin njëkohësisht edhe viktima. Deri në sferat më të larta, siç dihet. Sulmoheshin më shumë nga të gjithë për “mungesë vigjilence” apo neglizhencë. Në ministri kishin frikë edhe nga muret. Unë kam hyrë disa herë atje. Por shumica e tyre më donin, se ishin shumë tifozë, dhe u gëzuan kur u lirova. Ndërsa gjykatësit, Viktor Konomi, Riza Xhixha, me ç’kam marrë vesh më vonë, u thirrën në Komitet të Partisë për të dhënë llogari për vendimin që dhanë për mua.
A pati ndonjë sinjal në hetuesi që kjo punë do përfundonte ashtu siç përfundoi?
Deri diku po, sepse edhe sjellja e hetuesve, për shkak të reputacionit që gëzoja ishte pozitive në përgjithësi. Isha kampion ballkanik, pesë herë kamion me Dinamon, lojtar i ekipit kombëtar. Bënim biseda për sportin, por se unë nuk mund t’a dija se çfarë do ndodhte. Rëndësi ka që unë u lirova, dhe ishte ndoshta vetë dora e Zotit.
Po ndihma ndaj sportit dmth ndaj futbollit, nga ana e Ministrisë, a ishte evidente? Na tregoni ndonjë detaj që mund t’ju ketë mbetur në mendje, nga takimet me ish-Ministrat?
Kam shumë, por po ju tregoj njërin. Një herë na ftuan të takonim ish-ministrin Hekuran Isai në Kovalishencë, në Durrës. Ishim një grup futbollistësh të Dinamos. Ai na priti vetë. Në krah kishte edhe njërin nga zëvendësministrat e kohës, Hysen Shahu, i cili në fakt duhet thënë se ishte një tifoz shumë i madh i Dinamos dhe shumë dashamirës ndaj nesh. Ishte viti 1985, para ndeshjes me Sportingun e Lisbonës. Na pyeti për hallet e problemet tona dhe unë iu ankova se kishim vetëm një palë këpucë ( sporti). Ai porositi aty në vend zëvendësin e vet, duke i thënë: pse ç’janë këta?-Ushtarë?!. T’i jepen sa palë të kërkojnë, dy, tre e më shumë. T’u plotësohet çdo kërkesë!. Në fakt, në atë kohë Dinamo ishte kthyer në një klub model, ku edhe rezultatet ishin evidente. Por e vërteta është se edhe Flamurtari e 17 Nëntori ishin rivalë “par exellence” dhe dhuronim kështu të gjithë sëbashku spektakël. Pikërisht në atë kohë, ne u pajisëm me një komplet “Adidas”, prerje e modës së fundit, çka binte shumë në sy, nëse bëje krahasim me ekipet e tjera. Ministri Isai ndoshta nuk ishte aq tifoz sa paraardhësit e vet, por për ne dhe Dinamon bënte shumë. Gjithashtu mbaj mend se i thashë se hallin e vetëm e kishim se mos shorti na hidhte me rusët (dmth. sovjetikët), dhe ai ma ktheu: Atë punë e rregullon Mehdiu ( dmth. Mehdi Bushati). Sigurisht që ne e morëm si shaka, sepse pavarësisht nga autoriteti dhe lidhjet që mund të kishte zoti Bushati vetë, por edhe FSHF si anëtare në EUFA, shorti ishte diçka që nuk e kishte askush në dorë. Ne thjesht luteshim që të mos penalizoheshim, se na shkonin të gjitha përpjekjet kot.
Po djali i Kadri Hazbiut? Ai ishte shoku juaj. Çfarë mbani mend prej tij?
Pak para se të niste procesi famëkeq ndaj të atit, në tetor 1982, ai arriti të shkonte për herë të fundit i aktivizuar me Dinamon, në Skoci, ku luhej një ndeshje e kupave të Europës. Mua nuk më futën në listë dhe nuk shkova. Madje m’u desh të sajoja një incident fallco në stërvitje, sepse mosaktivizimi im duhej të paraqitej si incident mes futbollistit dhe trajnerit. Këtë ma këshilluan, sepse kisha marrë sinjale se mund të goditesha për shkak të biografisë. Më pas dihet fati i Gonit dhe i familjes së tij fatkeqe. Ai ishte i biri i Kadri Hazbiut, por mbante një mbiemër tjetër: Dauti. Mbaj mend se një herë teksa bënte stërvitje individuale e godiste fort topin në një cep muri dhe thoshte nën zë me inat: Ah që s’ më bëri zoti të birin e një njeriu të zakonshëm!. E vuante faktin se donte të bëhej futbollist, si pasojë e punës së vet, meritave e lojës dhe jo e të qenurit “djali i Ministrit”, çka në fund vërtetë i kushtoi jo vetëm karrierën, por edhe vetë jetën. Ndërroi jetë në vitin 1989.
Le t’i rikthehemi tanimë sërish Petro Markos. Thatë që në vitet ’80 sidomos, rrinit shumë me të. Çfarë ju tregonte? – A e ndjente veten të zhgënjyer me ato që i kishin ndodhur?
Zhgënjimi te Petro Marko kishte filluar me kohë, por sidomos ai iu shtua e iu kthye në një farë urrejtje, në vitin 1975, kur i arrestuan të birin, Jamarbër Markon, dhe e futën në qeli, si zakonisht në atë kohë, për “agjitacion e propagandë”, duke e dënuar me gjashtë, nga të cilat bëri dy vjet burg, por përjetoi përndjekje e vuajtje, duke shkelur fatkeqësisht në një farë mënyre, në gjurmët e të atit. Përballë ish-Hotel Arbërisë, ku ishte dhe “klubi i shkrimtarëve”, aty rrinim bashkë me Petron. Historitë e luftës m’i tregonte shpesh. Më këshillonte gjithsesi të kisha kujdes me shokët e miqtë. Kishte kaluar eksperienca të këqija; kishte njohur burgun qysh herët gjatë fazhizmit. Në komunizëm, po ashtu qysh në vitin ’46, pasi kishte qenë kryeredaktor tek “Bashkimi”. Me këtë rast, ia vlen të kujtoj fjalët e nënës: “Ju të familjes Marko, sikur ju tërheq burgu!” – që na shkaktonte shpesh të qeshura. Nuk kishim kurrfarë mbrojtje. Çdo të shtunë e të dielë, mbaronte ndeshja, pastaj dilnim e Petros ia kishte ënda të më tregonte historitë. Më tregonte njëherë historinë e një miku të vet që u vra në Spanjë, ku thoshte se i kishte vënë çantën me shkrimet e veta për të mbështetur kokën, ndërsa po jepte shpirt.
Ç’mendonte Petro për Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun?
Për Mehmetin fliste me rezerva,gjithsesi pozitivisht: Është mik e shok i mirë! - më thoshte. Asgjë më shumë. Nuk preferonte të fliste shumë kur bëhej fjalë për “udhëheqjen”. Enverin në fakt nuk donte as ta zinte fare në gojë. Sidomos kur i ndodhi arrestimi i djalit. Mbani parasysh se e shoqja, Safo, kishte qenë shoqe e ngushtë me Fiqerete Shehun dhe Nexhmije Hoxhën, dhe kjo sillte një zhgënjim e dhimbje edhe më të madhe. Nuk donte të më tregonte asnjëherë momentet e arrestimit, në 1946.
Po për Zaho Kokën ç’thoshte Petro?
Për Zaho Kokën, unë kam dëgjuar se ai u vra sepse nuk donte të jetonte pas asaj që i ndodhi, sipas atyre që kisha dëgjuar unë, por Petro në atë kohë ka qenë i internuar dhe nuk mbaj mend t’a ketë prekur ndonjëherë këtë temë.
Petro kishte qenë anëtar i PPSH-së?
Petro ka qenë anëtar i PK Italiane dhe asaj spanjolle dhe asnjëherë i PKSH-së ose i PPSH-së. Kur mbushnim letrat e formularët për të plotësuar biografinë tonë, nuk figuronte askush si anëtar partie, nuk gjendej asnjë, dhe Petro ishte një lloj eurokomunisti pra, e ndonjëherë na shkaktonte të qeshura ky fakt.
Petro përveçse ishte kushëri, rrinte shumë me babanë tim, ishin qejflinj, e shijonin nga një gotë raki. Në vitin 1986 apo ‘87 Petro shkoi në Greqi, me të drejtë si vizitor, i ftuar nga Thoma Duni, një multimiloner grek, daja i Foto Strakoshës. E lejoi vetë regjimi më në fund. Në vitet e fundit ka takuar edhe kunatin e gjyshit tim, Jerasimo Duni, gjyshin e Foto Strakoshës. Daja i Fotos kishte ikur bashkë me gjyshin në mbarim të luftës së dytë, ishte bos i industrisë së tekstileve, kishte madje plantacione pambuku deri në Kongo, në Afrikë. Petro tregonte se Jerasimi qante vazhdimisht ndërsa kujtonte Janin, gjyshin tim të vrarë. Sigurisht se Petros iu rezervua një pritje madhështore në Athinë. I rezervuar ai tregonte se çfare kishte përjetuar në Greqi.
(Foto: majtas Andrea Marko dhe djathtas Petro Marko)
Po për librat, ç’thoshte Petro? A ankohej për një lloj mosmirënjohje?
Një herë e pyeta Petron nëse kishte fituar para nga gjithë ato libra që kish shkruar. Në një rast më tregoi se një shtëpi në Japoni, ishte interesuar për veprat e tij dhe i kishte dërguar një shumë parash, por pagesa ishte bllokuar. Kishte libra të pambaruar në formë dorëshkrimesh. I mbeti disi merak edhe se e kishin dërguar shumë vonë, në vitin ‘90, në Hungari për kurim. Pastaj vdiq. Kur erdhi Albano e Romina, dy këngëtarët e shquar italianë, në 1989, e pëlqeu shumë koncertin dhe mbeti shumë i impresionuar. Në Dhërmi shkonte shpesh, nga pamja fantastike dhe malli për vendlindjen, kuptohet. Madje kujtonte se kur kishin ardhur nazistët në 1943, aty ishin “zbutur” dhe kishin dashur të qëndronin për ca kohë ndërsa kundronin pamjet nga deti. Në romanin “Shpella e piratëve”, si personazh kryesor kishte vënë gjyshin tim nga ana e sime mëje, një nga peshkatarët më të mëdhenj të Bregut. Ky roman më vonë iu ekranizua.
Po për kolegët e vet shkrimtarë ç’thoshte?
Në shumë raste shprehej i zhgënjyer nga kolegët e vet të Lidhjes. Ishte megjithatë i qetë, i kursyer, i shmangej cilësimeve, sharjeve, mllefit. Nuk mund t’a them tani se për kë shkrimtar bëhej fjalë, por një herë, kur dikush syresh vdiq, ai megjithatë më tha: E ç’rëndësi ka, vdiq një i vdekur!. Mbaj mend se Ismaili e thërriste “Profesor”. Një herë më ishte shprehur se donte të bënte një roman të madh. Në të gjitha gjërat, megjithë diferencën e moshës, ai tregonte respekt e dashuri. Më shumë me Petron ndejta kur e lashë sportin. Pasion kishte vetëm shkrimin e librave e të shkonte në Dhërmi. Kishte shumë brenga, për shkak të familjes, djali i arrestuar etj. Tiranën e njihte mirë, e njihte para se të shkonte në Spanjë. Ishte një njeri që e njihnin dhe e respektonin të gjithë, sidomos në lagjen ku banonte. Nuk ishte shumë dashamirës ndaj sportit, por mua më kushtonte vëmendje dhe e vlerësonte shumë faktin që kisha kapur majat e karrierës.
Petro ia doli të jetonte edhe në fillimet e demokracisë, apo jo? Me sa di, u anëtarësua në Partinë Republikane. – Të pati treguar ndonjëherë se pse e bëri këtë zgjedhje?
Në momentin e lëvizjeve demokratike, ai u bë shpejt anëtar i PR dhe i përshendeti këto hapa me simpati. Më pati thënë se ishte bërë anëtar i PR, sepse ideali i tij i jetës kishte qenë republikanizmi, gjë për të cilën kishte luftuar. Sigurisht se gjërat tashmë kishin ndryshuar e bindjet e tij të hershme që lidheshin jo vetëm me republikanizmin, por edhe me komunizmin, kishin pësuar krisje. Në thelb pra, i mbeti gjithsesi besnik aspiratave të tij rinore.
Po për ju, ç’solli demokracia, si vijoi më tej jeta e karriera?
Koha e kërkonte ndryshimin, ishte i pritshëm, në një shoqëri tepër mediokre, të lodhur, me probleme, me tollonin që mbaje në xhep, mund të “blije” mallra që mbushnin vetëm një xhep xhakete.
Për ata që kishin bërë atë që kishin bërë me mua e të tjerët, unë rezervoj fjalën “falje”. Kështu vijova të eci përpara me pasionin për profesionin tim. Tashmë si trajner. Nuk u përzieva as me politikë e nuk e gjeta në ndonjë veprimtari tjetër. Kam punuar përgjatë viteve ’90 e 2000 me shumë ekipe të kategorive superiore, me të rritur e të rinj.
Po për sportin në Shqipëri në këto vite e dekada pas monizmit, çfarë mendoni, sidomos për futbollin?
Deri në 1994 s’kishte as fanella për ekipin kombëtar. Ndihmonin disa lojtarë që kishin shkuar jashtë shtetit. Në një kohë tranzicioni ( fatkeqësisht ai po zgjat shumë në fakt), ku pak mendohej për sportin e futbollin, s’kishe çfarë prisje, pasi njerëzit mendonin vetëm të largoheshin një orë e më parë, stadiumet u zbrazën. Por puna ëhstë se edhe tashmë pas kaq viteve, shteti pak mendon për futbollin. Bëhet shumë “zhurmë për asgjë”, le të themi, ku në një kazan futen edhe sporti, edhe rinia, edhe kultura etj.
Pse, jeni i mendimit se kjo mund të zgjidhet duke krijuar një ministri të veçantë për sportin?
Jo nuk po them atë. Sporti mund të mos dojë ministri të veçantë, por do angazhim, investime etj. Pastaj, këtu po prodhohen shumë sekserë, avokatë, juristë e nuk ka më sportistë. Fëmija mund të pësojë edhe shok, zhgënjim, një ndryshim psikologjik në ecurinë e vet. Duhet të ndërtohen patjetër fusha futbolli. Jemi në një moment krize. Nuk gjen më asnjë fushë me bar, vetëm me bar artificial. Por jo vetëm. Janë shumë aspekte, nuk mund të trajtohen të gjitha kaq shkurt.
Po shpërblimet, jo thjesht financiare, në formë mirënjohje më shumë, a duhen aplikuar?
Nuk është menduar ndonjë herë që kush ka qenë lojtar i ekipit kombëtar të marrë pension të veçantë për shembull, kush është traumatizuar, të marrë shpërblimin apo trajtimin e duhur, respektin mbi të gjitha, sepse ne në atë kohë kemi luajtur pa hile. Nuk dinim “të mbroheshim” e të mendonim se me ato këmbë do të bënim miliona, si sot. Ka disa që presin ndonjë vendim nga Presidenti apo Parlamenti. Edhe kur ia dalin, kjo bëhet në bazë njohjesh e “qokash”, ose “pas vdekjes”. Propozimet duhet të vijnë nga klubet, por klubet nuk ekzistojnë. Dinamos për shembull, i kanë marrë ambientet. Me VKM (Vendim të Këshillit të Ministrave). Dinamo ka trashëguar 600 milionë nga Ministria e Rendit. Në momentin që kanë dalë privat, çfarë ka ndodhur? - Ai nuk është privat në fakt, sepse s’kanë dalë në treg.... Po për Lezhën, Lushnjen, Pogradecin? – Të gjitha janë të bashkive, dmth të gjitha të shtetit. Nuk ka një status. Ne privatizojmë plot asete shtetërore, pse nuk nxjerrim pra edhe klubet në treg. Kjo ndodh se në momente të ndryshme, futbolli i shërben politikës.
Si e vlerësoni faktin se në përballjet ndërkombëtare me klube, akoma sot e kësaj dite, më këmbë është rekordi i Flamurtarit të Vlorës në 1987, i cili shkoi deri në një tur të tretë të kupave të Evropës dhe u përball edhe me Barcelonën?
Po ashtu është. Është një turp. Pasi në 22 vite demokraci akoma jo vetëm nuk po e superojmë dot atë limit, por mbytemi në gola çdo sezon paraeliminator e shiten ndeshje, duke na bërë qesharakë. Dikur ishim të varfër, por dinjitozë. Shikoni raportet, ku flitet për 95 ndeshje të trukuara. Ndërkohë, duhet të bëjmë binjakëzime, akademira sportive etj. Duhet punuar shumë me fëmijët. Në rast të kundërt, nëse ndodh kështu si deri më tani, çdo gjë do shkojë keq.
(Intervista u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com)
(b.m/shqiptarja.com)