Islami: '21 Janari' krim shtetëror! U vranë me duar në xhepa me urdhër të Berishës! Basha i PL: Të hetohet thellësisht, pati dhunë! Hasanaj: Vrasja e 4 protestuesve s’ka justifikim

Vrasjet e 4 protestuesve më 21 Janar, të cilësuara si krim shtetëror dhe për të cilat Strasburgu ka dhënë vendim që të rihetohet dhe rigjykohet pasi nuk ishte bërë drejtësi, ka qenë tema e debatit sot në “Studio Live” të Report TV, të moderatorit Arbër Hitaj.

Avokati Zaçe Islami ndau mendimin se ai është krim shtetëror i urdhëruar nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha, në krye të institucioneve në atë kohë dhe të Gardës.

Kurse anëtari i kryesisë së Partisë së Lirisë, Faik Basha, tha se atë ditë pati dhunë nga organizatorët, por u shpreh pro hetimit të thelluar të të gjithëve për atë ngjarje, nga organizimi dhe deri te vrasjet.

Sidi Hasanaj, përfaqësues i Demokratët Euroatlantikë, u shpreh se vrasjet e 21 Janarit janë të pajustifikuara, pasi u kryen jashtë gardhit të Kryeministrisë dhe viktimat nuk ishin të armatosur apo të kishin ushtruar dhunë në ato momente.

“Krim i pastër shtetëror. 21 Janari është krim shtetëror, s’më duhet se kujt i përkisnin, kujt partie apo çfarë ideologjie, ishin të Gardës, ishin të drejtuar nga ish-ministri Lulzim Basha dhe kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha. Kishte mjete të tjera, gazin, ujin me presion, pse i vrave?! Ishin me duar në xhepa. Kush e sulmoi Gardën, asnjë! Pse u qëllua me automatik, asnjë punonjës i Gardës s’u dëmtua. Ajo u bë për shkak të videos së Ilir Metës me Dritan Priftin që u dha pafajësia”, u shpreh avokati Islami.

Në debatin me përfaqësuesin e PL, Basha, i cili pretendoi se kishte pasur dhunë më 21 Janar dhe se drejtësia kontrollohej nga Rama në atë kohë, Islami iu kundërvu, duke u shprehur se ishte krim shtetëror me urdhër nga lart dhe heqja e serverëve e provon.

“Drejtësinë atëherë e kishte kapur shteti. Ti po gënjen! U vranë njerëz me duar në xhepa nga gardistë të armatosur. Kanë zbatuar urdhra nga eprorët dhe eprorët ishin Berisha, Basha dhe Ndrea Prendi. Serverat ku i keni, pse i fshehët? Heqja e serverëve është krim shtetëror. Ndrea Prendi u godit brenda Kryeministrisë, kush ia nxiu syrin atij?”, thotë avokati

Gjithashtu ai kujtoi se PD bëri protesta më të dhunshme, si e vitit 1998 me antitank dhe shteti nuk vrau.

“Po ato të 1998 me antitank? Doni të bëni propagandë. Rama është juaji se keni qenë aleatë me të. Jeni pa bosht (i drejtohet Bashës në studio). Unë përfaqësoj veten dhe shoqërinë civile. Kush i hoqi serverat?  U bë kryetar partie ai që hoqi serverat! Berisha është njeri, nuk është perëndi”, shtoi Islami.

Kurse Faik Basha kërkoi hetim të thelluar të asaj ngjarjeje, nga organizatorët, autorët e dhunës dhe deri tek autorët e vrasjes për ato që nuk ishin zbardhur.

“Duhet ta shohin e njerëzit me pamje, që të shihet dhuna e ushtruar. Drejtësia jonë më rezulton se ka qenë më e mirë. E ka pasur Ina Rama prokurorinë, e besuara e Edi Ramës. Meta në atë kohë zv/kryeministër dha dorëheqjen dhe është marrë përgjigja nga institucionet që drejtoheshin nga Edi Rama. Pyetja është kush e organizoi protestën e dhunshme ndaj institucioneve shtetërore. Institucionet mbrohen me armë. Protestë më të dhunshme nuk ka parë historia e Shqipërisë. A është hetuar organizatori i asaj proteste. 21 Janari duhet hetuar dhe thellësisht, se është gjysma pa hetuar ende. Kanë shkuar me hunj e gurë, duhen hetuar. Edhe ata që ikën. Disa nga vrasjet janë kryer nga qitjet në ajër dhe rënia e plumbave. Urdhrat e kundraligjshëm nuk zbatohen, apo që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Ilir Meta dhe Saliu janë patriotë, punojnë për të mirën e vendit”, thotë Basha.

Ndryshe mendon përfaqësuesi i Demokratëve Euroatlantikë, Sidi Hasanaj, duke u shprehur se vrasjet e 21 Janarit nuk justifikohen në asnjë rrethanë.

“E ka vendosur Strasburgu që procesi gjyqësor në Shqipëri nuk është i drejtë, i ndershëm dhe shterues. Ne s’kemi pse diskutojmë se e vendosi drejtësia e sotme apo e djeshme, ka folur Strasburgu. Unë kam qenë më shumë demokrat se Basha, kam qenë berishist për papjekuritë e moshës po them. Por nuk ka kurrë justifikim se duhen vrarë 4 protestues. A ka ngjashmëri me Kapitol Hillin, po ka, edhe pse atje hynë me armë brenda. Rasti makinës cenoi sigurinë, ishte rrezik. Por ata që protestojnë kanë të drejtë, por vrasjet nuk justifikohen”, shprehet Hasanaj.

Më tej ai vuri theksin edhe te detaji se kush i fshiu serverat dhe se kush ia nxiu syrin komandantit të Gardës, Ndrea Prendi.

“Të prevalojë pikëpamja njerëzore dhe profesionale, jo politike. Ata dy u vranë kot fare, pa bërë asgjë, për të bërë empati dhe jo politikë. Këta përmendin Erjon Velinë se u lye me bojë të kuqe më 21 Janar, por po ky Ilir Meta e mbështeti për kryebashkiak, ose bëri aleancën e ngjalave, apo i tha kokëpalarë. Ndrea Prendit më 21 Janar kush ia nxiu syrin? Kush i hoqi serverat? Të hetohen edhe organizatorët, Tom Doshi psh., duhet të ishte pyetur dhe hetuar, ka qenë një nga organizatorët. E ngre si pyetje këtë”, përfundon anëtari i grupimit DE të Lulzim Bashës.

Xh.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 23 Janar, 09:41

    Secila parti në zgjedhje me 46 deputetët e parë të fiksuar, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Berisha refuzoi votën elektronike, që komisionerët e PD-PS të vjedhin votat e partive të reja! Vota e Diasporës s'është e fshehtë, do kompromentojë zgjedhjet

Spahiu: Berisha refuzoi votën elektronike, që komisionerët e PD-PS të vjedhin votat e partive të reja! Vota e Diasporës s'është e fshehtë, do kompromentojë zgjedhjet