Raporti i punonjësve që kontribuojnë në sistemin e sigurimeve shoqërore me pensionistët në Shqipëri ka shkuar 1 me 0.8. Kjo del nga analiza vjetore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2018. Në datën 20 shkurt 2019, në ambjentet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, nën drejtimin e ministres, Anila Denaj, njëkohësisht dhe kryetare e Këshillit Administrativ të ISSH, u zhvillua Analiza Vjetore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për vitin 2018.
Përfituesit
Sipas analizës, gjatë vitit 2018 janë trajtuar me pagesa përfitimi rreth 635.700 pensionistë të të gjithë llojeve e kategorive, si dhe 16.000 përfitues me përfitime për sëmundje, barrëlindje dhe aksidente në punë. Ndërkohë, në total, në vitin 2018 numri i kontribuesve arriti në 778,144 persona.
Gjithashtu, ISSH vazhdon të administrojë skemën e pensioneve të posaçme, skemën e pensioneve suplementare të punonjësve që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të tjerë të shtetit, skemën e sigurimeve suplementare të ushtarakëve, pilotëve, ushtarakëve të nëndetëseve, policisë së shtetit, skemën e trajtimeve financiare të veçanta për minatorët dhe punonjësit e industrisë ushtarake, skemën e trajtimeve të veçanta për familjet e dëshmorëve me 36,180 përfitime, si dhe pagesat për rimbursimin e shpenzimeve të funeraleve. Vjet janë marrë shpërblime nga mbi 650 mijë përfitues, nga sistemi i përgjithshëm i sigurimeve shoqërore, me një efekt financiar prej rreth 3 miliardë e 276 milionë lekë.
Vitin e kaluar janë lidhur 36.796 pensione të reja.
Kontribuesit
Në 5 vitet e fundit evidentohet një rritje e ndjeshme e të ardhurave nga kontributet, e cila kryesisht është pasojë e rritjes së numrit të kontribuesve, konstatoi në raportin e tij në këtë analizë drejtori i përgjithshëm i ISSSH Astrit Hado. Sipas tij, në vitin 2018, kundrejt vitit 2013 të ardhurat e drejtpërdrejta nga kontributet dhe të ardhurat e tjera janë rritur me gati 28 miliardë lekë, ose 54.4%. Në total, në vitin 2018 numri i kontribuesve arriti në 778.144 persona. Kundrejt vitit 2013, i cili është përcaktuar si vit bazë i reformës së pensioneve të vitit 2014, numri i kontribuesve është rritur me 216.975 persona, ose 38.7% më shumë, ndërkohë që numri fizik i tyre është edhe më i lartë. Por problematike mbetet pjesëmarrja e fermerëve në skemën e kontributeve shëndetësore, ku, nga 255 milionë lekë të planifikuara, janë realizuar vetëm 63 milionë lekë, ose rreth 25% e planit.
Të ardhurat
Megjithëse me Aktin normativ nr 1, korrik 2018, plani i të ardhurave kontributive u shtua me 3.88 miliardë lekë kundrej planit të miratuar me ligjin e buxhetit, përsëri detyra e tejkalua. Të ardhurat për fondin e sigurimeve shoqërore nga kontributet e personave juridikë dhe fizikë dhe të ardhurat e tjera, nga 78.54 miliardë lekë të programuara, u realizuan 79.34 miliardë lekë, me një tejkalim prej 805 milionë lekësh.
Shpenzimet
Shpenzimet për sistemin e sigurimeve shoqërore u mbyllën në masën 98.4%. Nga 127.36 miliardë lekë të programuara, u realizuan me 125.37 miliardë lekë, me një kursim prej gati 2 miliardësh, nga të cilat rreth 400 milionë lekë kryesisht janë pasojë e efekteve të reformës së pensioneve.
Mashtrimet
Sërish, ka patur raste të mashtrimeve me pensionet. Gjatë vitit 2018, i cili përkon edhe me përfundimin e certifikimit të sistemit elektronik të bazës së të dhënave të pensioneve, si dhe të kontrollit të dosjeve të viteve të mëparëshme, nga ISSH janë bërë gjithsej 484 kallëzime: 159 çështje janë përfunduar dhe 295 çështje janë në shqyrtim. Përgjithësisht kemi të bëjmë me falsifikim të dokumentave zyrtare për periudha sigurimi para vitit 1992, të kryera në ndërmarrje problematike, të djeguara etj.
Objektivat
Ndër prioritetet e vitit 2019 të ISSH janë pagesat online për të gjitha përfitimet dhe intensifikimi i punës për kalimin e pagesave të pensioneve në Banka; dixhitalizimi i periudhave të sigurimit dhe kalimi në historikun kontributiv si llogari individuale; ulja me 10% e numrit të pensioneve që caktohen jashtë afateve ligjore, duke vënë theksin sidomos në drejtim të ngushtimit të afateve të caktimit të pensioneve të invaliditetit, si dhe ulja me 5% e ditëve mesatare të caktimit të pensionit; mbledhja me 2.4% më shumë të të ardhurave nga kontributet, në krahasim me realizimin e tyre gjatë vitit 2018, etj.