Vazhdimisht kam insistuar ose argumentuar se Shqipëria dhe Italia kanë mundësi për t'i rritur marrëdhëniet në një dimension të merituar, nevojshëm dhe të domosdoshëm shumë më shumë se çfarë është bërë deri tani!  Kam kontribuar me modestinë tonë që të ndodhte kështu.

Kam qenë dhe mbetem i idesë që në Mesdhe dhe mes fqinjëve e para duhet të jetë Italia e pastaj vendet e tjera. Këtë pohim nuk e kam për faktin se unë kam zgjedhur të jetoj në Itali, por partner më të mirë dhe të nevojshëm se Italia nuk mund të kemi.

E kam thënë dhe e them se Italia dhe Shqipëria nuk mund të gëzohen për një marrëveshje për emigracionin, por kanë sektorë të tjerë të rëndësishëm bashkëpunimi dhe ndër to kam theksuar sektorin ushtarak dhe me mbledhjen ndërqeveritare në Romë, tashmë nuk do të mungojë as në këtë sektor.

Diplomacia nuk ndërtohet vetëm mbi parime e interesa ndërshtetërore, por edhe falë marrëdhënieve ndërpersonale që vendosin liderët mes tyre.

Është fakt se Meloni dhe Rama i kanë dërguar raportet e tyre në një dimension që nuk është njohur më parë duke i vendosur edhe marrëdhëniet ndërshtetërore në një dimension të lartë.

Mes liderëve ka edhe mbështetje e dhurata e mund të konsiderohet nga Rama kundrejt Melonit marrëveshja e emigranteve një dhuratë që do të konvertohet në një favor tjetër nga Meloni. Megjithatë, jam i bindur se marrëveshja e emigrantëve është është si një cocktail pas një darkë të rëndësishme.

Marrëveshjet ndërshtetërore janë shumë të rëndësishme për palët dhe sigurisht që do të ketë një impakt konkret e të rëndësishme në të ardhmen, përtej atyre që janë skeptikë ose që qëndrimet e tyre i lidhin me optikën e politikës së brendshme.

Ajo që mungon në këtë panoramë të mrekullueshme të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Italisë dhe Shqipërisë është fakti se ajo, të paktën në  Itali nuk është e kënaqshme në nivelin e institucioneve përballë shqiptarëve.

Rama ka mundësi të influencojë tek Meloni që të ketë një qasje tjetër ndaj shqiptarëve kur ecin në këmbë nëpër qytetet italiane, kur prezantohen në pikat kufitare dhe kur udhëtojnë me makinë, etj etj. E kuptoj se çështjet e kufijve janë kompetencë europiane e duhet të respektohen edhe nga Italia, por kjo e fundit ka mundësi që gjejë formula që shqiptarët të mos qëndrojnë në radhë nëpër pika kufitare sikur të ishin qytetarë të dorës së tretë edhe pse dialektika diplomatike që përdoret është se janë dy popuj vëllezër!

Shumë aeroporte të vogla në Itali mund të themi se mbijetojnë si tillë falë linjave të udhëtimeve që kanë me Shqipërinë, sepse ndryshe do të ishin vende të boshatisura. Në këto aeroporte gjatë javës shkojnë e vijnë eksluzivisht avion të linjës së Shqipërisë dhe sa herë kthehen krijohet radha e pafundme e kontrollit! Mund të investohet më shumë duke rritur numrin e sporteleve dhe mund të formaliziohen e liberalizohen me shumë procedurat sidomos kur paraqiten të moshuarit, prindërit që vijnë tek fëmijët e tyre.

Mund të shtohet me shume asistenca në këto aeroporte për këtë kategori udhëtarësh. Mendoj se cilësia dhe lartësia e bashkëpunimi ndërshtetërore mund të pasqyrohet edhe kundrejt shqiptarëve që jetojnë në Itali ose vijnë për turizëm qoftë edhe familjarë.

Ka shumë për të bërë, por takimi i Romës, për mendimin tim është historik e mbetet i tillë. Sa herë të flitet për Italinë dhe Shqipërinë, unë jam me të dyja vendet, si një dhe të pandarë, pavarësisht se kush janë liderët politikë të momentit dhe çfarë ideologjie politike përfaqësojnë.