Ja drama e ndaluar: “Shën Mëria
kuçkë”, dialogjet që provokuan

Ja drama e ndaluar: “Shën Mëria <br />kuçkë”, dialogjet që provokuan
Shën Mëria e Beratit", drama e Namik Dokles e ka zemëruar keqazi Kishën Ortodokse. Pasi u ndalua të shfaqej në skenë e Teatrit të Korçës, autori i dramës Dokle e quajti talebanizëm ndalimin e dramës së tij. Por çfarë ka ngacmuar kjo dramë? Çfarë herezish fshehin dialogjet e personazheve të Dokles? Një lexim i dramës, na zbulon ngacmimin e vërtetë. E shkruar në 2010, kjo dramë e Namik Dokles, vënë në skenë në teatrin Andon Zako Çajupi, na zbulon që në dialogjet e para se një mëkat i madh ka ndodhur, ndërsa nga duart e piktorit Amofr që nënkupton Onufrin, ka dalë një ikonë e qujtur Shën Kostandini, frymëzuar nga legjenda e Doruntinës dhe Kostandinit. Murgu Kozma i thotë murgut shqiptar Todri: "Kjo është ikona e djallit!" …ma quan Shën Kostandin?! ...Është nxjerrë nga varrezat e ndonjë humbëtire të Arbrit tuaj.

E këtillë, me dialogje që provokojnë, kjo dramë e Dokles duket se do të debatohet gjatë. Edhe sot Metropolia doli me një reagim të ashpër duke e quajtur provokim dhe fyerje...

Por a janë frazat thumbuese të kësaj drame, shkaku i reagimit të Metropolisë së Korçës? Apo shkaku i vërtetë qëndron në këndvështrimi që e sheh vetë Dokle, si një vepër që i jep dritë kishës autoqefale që themeloi Noli...

Lexuesve të Shqiptarja.com, iu sjellim disa pasazhe të shkëputura prej saj, për të krijuar një ide më të qartë mbi këto debate e përplasje.

PJESË NGA DRAMA E NAMIK DOKLES


Kozmai - Jam murgu Kozma , i dërguari i Patrikanës.
Todri - Domethënë… të paska sjellë Patrikana, jo Zoti, murgu Kozma?
Kozmai - Punët e Patrikanës, janë punë të Zotit, murgu Todër. (Xhozepës):
Kozmai - Kjo është ikona e djallit!
- Çfarë ka bërë, që të mendohet e tillë?
Kozmai - Nuk e shikon?! Nuk e shikon emrin e këtij që ma quan Shën Kostandin?!
(Ja merr ikonën nga dora). Ja… Shën Kostandini i Arbrit(!!!)
Todri - Nuk qenka nga Bibla!?
Kozmai - Çfarë Bible?! Është nxjerrë nga varrezat e ndonjë humbëtire të Arbrit tuaj
- Eheeee...
Kozmai - (Humb qetësinë). Nuk e kupton apo bën me sikur... Qorri më i keq është ai që nuk dëshiron të shikojë, murg Todri. Unë, që ta marrësh vesh ti, nuk vij nga stanet e Tomorit, por nga Patrikana e Stambollit! Dhe e di që ty të mbajnë për më të diturin e këtyre anëve. Mos më thuaj që nuk e ditke legjendën tuaj të Kostandinit dhe të Doruntinës. Dhe ja ky (përplas dorën mbi ikonë), na e sjell legjendën tuaj në ikonë! Mëkat më të madh nuk ka parë ndonjëherë Patrikana jonë e shenjtë. Dhe çfarë mynxyre?! Këtë Kostandinin tuaj ma ka shkruar edhe Shenjtor!
Todri - Ndoshta për këtë ka gabuar, por ajo legjenda jonë është e bukur. Besa e dhënë është shenjë e perëndisë. Ne i japim besë edhe Zotit, edhe robit…
Kozmai - Ashtu?! Harroni ju, që në gjithë këtë rruzull, është vetëm një, vetëm Jezusi që u ringjall dhe nuk mund të ketë një të dytë, që të ngrihet nga varri?! Dashkeni të na bëni Krisht të dytë ju!? Krishtin e Arbrit? Krishtin e besës?! Duhet të luteni për këtë mëkat, murgu Todër!

* * *
Kozmai
- E adhuron?!
Todri - Është ikonografi më i mirë në Arbër.
Kozmai - Por që e dhjeu me Kostandinin!
Todri - O Zot, fale për këtë fjalë që mban erë të keqe në shtëpinë tënde!
Kozmai - Lëre atë lutje, lëre! Nuk më the çfarë kuptimi ka emri i tij. (Tregon me gisht ikonën).
Todri - Është emër i vjetër i gjuhës tone, ilirishtes…
Kozmai - Gjuha e barbarëve... E mora vesh

* * *
Amofri - Si të duket, të pëlqen?
Maria - Thanë që do të vijë Kryepeshkopi për ta parë.
Amofri - Le të vijë edhe kryedreqi po të dojë. Ata kanë punën e tyre, unë timen. Puna e tyre do të vdesë shpejt, kurse unë dua të lë në këtë kishë të lashtë një shenjë përjetësie.

***
Amofri - Murgu i shkretë! Ka njëmijë vjet i mbyllur këtu e nuk e di ç'ndodh pas qoshes ku ai lutet e i falet Jezusit… (Provon të hedhë ndonjë penelat në ikona po nuk i shkon. Pastaj ngul sytë tek njëra prej tyre, e prek me mollëzat e gishtave, e pastron me delikatesë dhe e vëren me imtësi). Pa shiko! Kjo duhet të jetë e mjeshtrit të madh të Ilirisë! Murgu plak nuk qenka dhe aq budalla! (Vjen me nxitim një vajzë 17-18 vjeçe, paksa imcake por shumë e bukur. Ajo ka një shandan me qirinj të ndezur dhe piktori pa i hedhur fare sytë asaj, rrëmben shandanin dhe i afrohet ikonës. E ndriçon nga të gjitha pozicionet). Ajo është! Ajo! (I jep shandanin vajzës). Më bëj dritë këtej më lart… (Vazhdon të vëzhgojë e të lëmojë me mollëzat e gishtave ikonën). Më lart të thashë… Pak pjerrtas… Di të mbash shandan ti, moj çupë?! Kush të solli ty?! (Vajzës i bie shandani nga dora, piktori i tronditur e ngre, rregullon qirinjtë dhe ia afron vajzës te fytyra. Ajo qan në heshtje… Piktori i fshin lotët butësisht). Kush të solli ty, thashë…Vetë perëndia të paska sjellë. Si e ke emrin?
Maria - Mari.
Amofri - Oh, paske emrin e Shenjtores. Dhe je po aq e bukur sa ajo. (Afron shandanin më pranë ikonës). Ke dëgjuar ndonjëherë për mjeshtrin e madh të Ilirisë?
Maria - Jo, nuk kam dëgjuar…
Amofri - (Me sytë te ikona). Pse nuk ke dëgjuar?!
Maria - Jam e re... Jam e re si murgeshë…
Amofri - Afrohu pak… E shikon syrin e Shën Mërisë? Ky është syri më i bukur që ka parë bota. Askush nuk e ka vizatuar më të bukur se sa mjeshtri ynë.
Maria - Pse, syri i Shenjtores nuk është i njëjtë kudo?
Amofri - (Qesh). Jo, vogëlushe. (Ajo skuqet nga kjo përkëdheli dhe ul kokën). Nuk është njëlloj. Çdo piktor fut shpirtin e tij në sytë e Shenjtores dhe shpirtrat e piktorëve ndryshojnë si ata të të gjithë njerëzve. A e shikon që këtu Shën Mëria ka vetëm njërin sy?
Maria - Po tjetrin ku e ka?
Amofri - E kanë verbuar, ia kanë shkulur me thikë ose acid. Ata që nuk e duan Arbrin tonë.
Maria - Oh, çfarë tmerresh tregoni ju!
Amofri - Unë vetëm i tregoj, të tjerët i bëjnë… (Ulet i menduar përbri ikonës). Fati i madh që ka shpëtuar të paktën njëri nga sytë… (E shikon Marinë). Po ti i ke të dy sytë të bukur.

* * *
Kozmai - Pse e fsheh, bija ime?
Maria - Nuk kemi leje ta shikojmë.
Kozmai - Kush jep leje, moj bijë? Patrikana e Stambollit apo çifutët e Beratit?
Maria - Nuk njoh asnjërin syresh, por piktori ka thënë mos ta shohë njeri…
Xhozepa - Po ju pse e zbuluat atëherë?
Maria - Bëmë mëkat, bëmë mëkat të madh.
Xhozepa - Kush e bëri?
Maria - Unë...
Tereza - Jo, unë e zbulova… Më tha...
Xhozepa - Mbylle ti, në mos po të dalin gjarpërinj nga goja jote.
Maria - Unë e bëra mëkatin.
Xhozepa - Na jep pak nga mëkati yt, Mari, të ta lehtësojmë barrën e madhe që të ka zënë nën vete. Je e re, nuk e mban dot vetëm mëkatin… Dëshiron borzilok apo hithër mbi fytyrën tënde të butë? Borzilok Parajse apo hithër Ferri? (Afrohet për të zbuluar ikonën). Mari, na lër ta shikojmë Shën Mërinë….
Maria - (E tromaksur, e pafuqishme…). Murgu Todër! Murgu Todër... (Kozmai e kap për krahu, e shtyn tutje në duart e Xhozepës. Murgu Kozma heq napën dhe zbulon ikonën. Maria shkëputet nga duart e Xhozepës dhe vrapon në thellësi të kishës… duke thirrur akoma më fort). Murgu Todër, murgu Todër.
Kozmai - (Xhozepës dhe Terezës). Më sillni qirinjtë! (Ato ia afrojnë, ky ua merr nga duart dhe bën vetë dritë mbi ikonë. E vrojton me imtësi). E shikon se ç'bëhet këtu nëna murgeshë?! Kjo nuk është Shën Mëria, por ajo kuçka e vogël që i ka vjedhur edhe emrin Shenjtores. O Perëndi, çfarë mëkati i madh në këtë kishë të vogël! Edhe turpi më i madh do të skuqej po ta shikonte…
Todri - (Vjen me ngut, gjysmë i veshur me rrobë nate) Çfarë ka ndodhur? Kush u vra?
Kozmai - Nuk është vrasje, por më e përgjakur se njëmijë vrasje të bëra bashkë! Më zi se Hadi dhe më tepër përvëlim nga sera që digjet në Ferr. (Todri që po afrohet). E shikon?
Todri - (Merr një qiri në dorë, e shikon i etur ikonën, e prek butë-butë me dorë, sikur e përkëdhel). Shën Mëria… Shën Mëria e gjallë! Ajo po flet me ne… e shikoni? Po flet… po buzëqesh. Është Shën Mëria jonë! Për herë të parë me Jezusin në krahë të djathtë.

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ndryshimet në qeveri, Meta: Nga frika e ‘dëshmisë’ së Ahmetajt, Rama zëvendësoi 3 kukulla politike me 3 të tjera anonime

Ndryshimet në qeveri, Meta: Nga frika e ‘dëshmisë’ së Ahmetajt, Rama zëvendësoi 3 kukulla politike me 3 të tjera anonime