Ja mediat që s’paguajnë gazetarët
Shqiptarja.com-A1Report korrekt

Ja mediat që s’paguajnë gazetarët<br />Shqiptarja.com-A1Report korrekt
TIRANE - Në Ditën Botërore të Medias situata në të cilën gjendet gazetarët shqiptarë është nga më të rëndat, me vonesa pagash që shkojnë nga 1 deri në 5 muaj. Ky është shqetësimi që ngre kreu i Unionit të Gazetarëve Aleksandër Çipa, duke prezantuar një tablo të detajuar mbi mediat që i japin dhe ata që nuk i japin pagat në kohë.
 
Në kategorinë e parë gjendet Shqiptarja.com dhe televizioni A1Report, të cilët, ndonëse në një treg informal, u përgjigjen punës së gazetarëve me pagesat përkatëse, konform afateve.  Referuar këtij shqetësimi Unioni kërkon seancë dëgjimore në Komisionin e Medias, ndërsa jep dhe një tablo të situatës në media, ku në 23 gazeta vetëm 4 prej tyre respektohet dhënia e pagave mes tyre dhe Shqiptarja.com. Nga 72 televizione vetëm në 10 prej tyre nuk ka vonesa të detyrimeve financiare ndaj punonjësve, ku televizioni A1 Report renditet tek mediat që respekton këto detyrime.

"Në 23 gazetat e përditshme socio-politike të vendit vetëm në 4 prej tyre respektohen dhënia e pagave korrekte në kohë dhe ato janë Panorama, Gazeta Shqiptare, Shqiptarja.com, Shqip. Në 19 gazetat e tjera vonesat janë të përhershme dhe gjithashtu edhe ikjet e gazetarëve nga puna pa përfituar shpërblimet e punës së kryer.  Në 72 televizionet e vendit, të listuar sipas Autoritetit të Medias Audiovizive, vetëm në 10 prej tyre nuk ka vonesa të pagave dhe detyrimeve financiare ndaj punonjësve, të cilat janë RTVSH, Top Channel, News 24, A1 Report, Klan, dhe disa televizione lokale. Ndërsa në 62 prej tyre, vonesat vijojnë nga një gjer në pesë e gjashtë muaj, përfshirë në këtë gjendje edhe televizione kombëtare. Në 71 radiot, 63 prej tyre janë në riciklim vonesash të pagave në mënyrën më arbitrare të cilat nisin nga një muaj e shkojnë deri në pesë muaj. Të njëjtën gjendje po ndjek edhe media më e re, ajo on line. Nga 250 webe dhe gazeta online të celura përgjatë periudhës 2014 e gjer më sot, në të cilat na rezulton të jenë punësuar mbi 320 gazetarë, vetëm në 50 prej tyre ka një sistem modest pagesash, ndërsa në 200 prej tyre ka një realitet informal të tmerrshëm. Nisur nga kjo tablo dhe gjendja në përkeqësim që kemi para, ne sot në Ditën Botërore të lirisë së Shtypit kërkojmë:

Se nisur nga vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara , i kujtojmë parlamentit dhe Qeverisë së vendit detyrën e pakryer dhe detyrimin kushtetues që kanë në drejtim të lirisë dhe respektimit të saj. Aktualisht asnjë prej mediave të vendit nuk respekton nënshkrimin dhe implementimin e asnjë kontrate kolektive për gazetarët. Kjo situatë është jashtë kontrollit dhe auditimit ligjor nga institucionet e linjës. Ne kërkojmë sot publikisht një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Medias, madje duke ftuar edhe përfaqësuesit e shoqatës së pronarëve të mediave, për ta nxjerrë gjendjen nga ky standart dhe për t’i dhënë më shumë dinjitet medias dhe sidomos gazetarëve shqiptarë",
 deklaroi Aleksandër Çipa, kreu i Unionit.

Një tjetër pikë ku është ndalur Çipa lidhet me refuzimin e Komisionin Qendror të zgjedhjeve për monitorimin e medias gjatë periudhës zgjedhore. Janë 60 organizata gazetarësh të regjistruar, por Unioni i Gazetarëve është i renditur nga fundi, ndonëse ka një kontribut të veçantë. 

"Refuzojmë të propozojmë anëtarë në Bordin Monitorues të mediave në KQZ. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë gjen rastin sot të refuzojë publikisht ftesën që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën organizatës sonë të listuar në një shkresë me Nr. 1795 të datës 23. 02.2015 për propozim emrash për kandidatë në Bordin e Monitorimit të Mediave. Në këtë shkresë renditen mbi 60 organizata gazetarësh që janë regjistruar aktualisht në Shqipëri dhe atributi i tyre është i njëjtë, vetëm për të propozuar nga tri emra kandidatësh, ndërkohë që miratimi i këtij bordi bëhet nga anëtarët e KQZ. Kjo është një praktikë e paarsyeshme dhe fyese për organizatat me kontribut dhe ndikim në jetën e komunitetit dhe mediave të vendit. Praktikat e gjertanishme kanë rezultuar me shpërfillje të propozimeve të organizatës sonë dhe në këto kushte ne refuzojmë propozimin dhe apelojmë për shpërfillje të këtij Bordi i cili tradicionalisht zgjidhet sipas preferencave partiake e politike të anëtarëve të KQZ. Ka qenë kjo arsyeja që në shumicën e rasteve si anëtarët të këtij bordi, janë preferuar ata që vijnë prej shtypit partiak dhe të politizuar", deklaroi Xhovani Shyti, përfaqësues i Unionit te Gazetareve.

Në kuadër të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, përfaqësuesit e Unionit të Gazetarëve kanë kujtuar me nderim te gjithë ata reporter që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Kamala falenderon vullnetarët! Beyonce krah saj thirrje ta votojnë

SHBA/ Kamala falenderon vullnetarët! Beyonce krah saj thirrje ta votojnë