Fqinji ynë, Italia, ndryshe nga të tjerët, e ka turizmin… me shtresa. Duket një çudi, por në Itali nuk kanë të numëruar shtresat dhe shumëllojshëmritë e turizmit që të ofron. Tamam si të ishte një gur i prerë që tregon epokën gjeologjike të Tokës, apo një trung i trashë që mban brenda tij rrathët e panumërt të moshës.

Çka bie në sy dhe njohim të gjithë janë përgjithësisht dy lloje të turizmit: Ai i turmave që lëvizin si “zombi” nëpër qytetet më të rëndësishme italiane: Firence, Roma, Milano, Venecia apo nëpër ishuj, si dhe turizmi i luksit dhe i shoppingut. Këta të fundit kujdesen vetë t’ua bëjnë të ditur në të gjitha mënyrat mbarë botës që kanë qenë në hotelet më të shtrenjta, në vendet më ekskluzive, në butikët më firmato etj. etj.

Por në Itali, mes të tjerave, ajo që shijohet më mirë dhe në mënyrën më ekskluzive është vizita e qyteteve përmes miqve që jetojnë aty dhe njohin sekretet e ekselencave të fshehura nëpër rrugica, në fshatra, në kioska, restorante, në artizanë, nëpër indet e prodhimeve dhe kuzhinave që kanë ndërtuar një histori dhe një reputacion “gojë pas goje”. Shqiptarët janë të privilegjuar në këtë drejtim, pasi nuk ka shqiptar që nuk mund ta gjesh edhe në cepin më të paprekur të Italisë dhe përmes tyre mund të shijohet më e mira. Italianët vetë kur shkojnë në një qytet tjetër që nuk e njohin, nuk shohin instagramin apo të tjera media sociale. Ndalojnë diku dhe pyesin vendasit: Ku mund të shkoj e të ha diçka të mirë dhe të shpejtë për drekë? Dhe të gjithë e kanë një vend të zemrës që e njohin dhe e frekuentojnë që në fëmijëri.

Kjo formë turizmi duhet të kthehet një pikë e fortë edhe për Shqipërinë: Veç luksit dhe bukurive që duken, në vendin tonë nuk kanë të paguar artizanët e vegjël të lagjeve, të fshatrave që vazhdojnë të ruajnë tradita të trashëguara. Një restorant që bën një byrek të mirë, diku një akullore dhe bozë, një thurëse qilimash apo tapetesh, një rrobaqepëse e talentuar; një mëngjes i veçantë me kosin dhe paçen të ofruar pastër dhe të gatuar në mënyrë të ndershme.

Turizmi i vendeve “sekrete”, i qoshkave që njohin vetëm vendalinjtë dhe për vite e vite me radhë ua kanë provuar vlerat dhe ua njohin ndershmërinë e cilësisë së produkteve, është një turizëm që më shumë se syve iu flet zemrave të vizitorëve. Nëse ky  turizëm bëhet edhe në Shqipëri “si i shtëpisë”, atëherë, pas sipërfaqes, turizmi ynë i ri, nis shtresëzimin tamam si në vendin fqinj. Ky lloj turizmi i çon rrënjët e traditës përherë e më shumë në thellësi.