Nëse kërkohet të bëhet një bilanc për opozitarizmin në Shqipëri, mjafton të shohësh ‘parabolën’ e zhvillimeve politike brenda PD, në harkun kohor të një viti dhe i ke brenda të gjitha.
Eshtë një vit i cili i ka brenda të gjitha lëvizjet politike, që nga akuzat, kërcënimet, përbetimet e deri tek përqafimet dhe ‘tundjet e belit’. PD është një parti e çuditshme tashmë dhe amplituda politike e saj e lëvizjeve të saj, i ngjan atij lavjerrësit që tundet e shkundet, por gjithnjë rrotullphet rreth një boshti të përcaktuar dhe të fiksuar qartë, i cili praktikisht nuk ka lëvizur asnëjerë në 34 vite me radhë.
“Boshti” kryesor apo nëse do të përdorim një shprehje popullore shqiptare, ‘kunji’ ku janë lidhur të gjitha fijet e PD është as më pak dhe as më shumë, por vetë ai, i papërsëritshmi e i pavdekshmi Sali Berisha. Sa të frymojë, ai do të jetë strumbullari në PD. Eshtë pronë e tij.
Në harkun kohor të një viti, kanë ndodhur shndërrime të jashtëzakonshme në PD, në përmasat e kapërcimit të ‘ylberit’ politik, teksa pjesë e lidershipit të sotëm demokrat janë transformuar nga kundërshtarë të paepur të Sali Berishës, në ithtarë me kohë të plotë dhe të nënshtruar të tij.
Kjo metamorfozë, ky shndërrim ka ndodhur në mënyrën më spektakolare të mundshme, teka ata që quhen rëndon grupi i mbështetësve të Lul Bashës, të kryesuar nga Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj, dhe që përbëjnë aktualisht shumicën e grupit parlamentar të PD.
Një ‘copë’ mandati deputeti ka bërë që vendosmëria e tyre në mënyrë që “PD të pastrohet nga politikanët anti-SHBA dhe anti- drejtësi”, të shkrihet menjëherë, për të precipituar në deklarata të tipit ‘Berisha udhëheqës i pazëvendësueshëm i opozitës’, ‘Berisha na energjizon dhe na mbush me forcë dhe guxim’ dhe deklarata të tjera të këtij lloji. Madje duke bashkuar zërin me Berishën për të sulmuar dhe ata që i promovuan në politikë, në rastin konkret Bashën. i cili për hir të së vërtetës është një dembel funksional, ndryshe nuk kishte si t’i shkrihej lidershipi i PD në dorë, ndërkohë që ‘babanë’ politik e kishte plagosur me përjashtimin nga grupi dhe PD pas shpalljes non grata nga SHBA.
Nuk përbën asnjë risi një shndërrim i tillë, sidomos i Gazment Bardhit dhe Agron Gjekmarkajt, njëri tashmë kryetar i grupit parlamentar të PD tjetri nënkryetar Kuvendi dhe të dy bashkë, të emëruar nga Berisha, ky ‘dashnor’ i paepur i votës së lirë dhe konkurrencës në PD dhe përmes primareve, si nënkryetarët e PD. Thjeshtë dhe vetëm pse tradhëtuan Lul Bashën dhe ‘gëlltitën’ të gjitha akuzat në drejtim të Berishës, duke u bashkuar po me Berishën, të cilin e kishin akuzuar dhe mallkuar për dy vite me radhë, deri dhe në përplasje dhe ‘luftë civile’ brenda PD.
Ndihmuan dhe për t’i dhënë vulën e logon e PD e më në fund e njohën si kryetar me të drejta të plota të PD, me të drejtën e vendosjes për fatin e tyre politik, të cilin e kanë lënë tashmë ‘peng’ në dorë të Berishës. Sikurse pritej në fakt, pavarësisht përbetimeve dhe akuzave të rënda që kanë artikuluar ndaj kryetarit demokrat, apo përballimit të ‘agresionit’ me varrê e qysqi më 8 janar kundër selisë së PD buizë Lanës, ku falë blindimit të dyerve e dritareve, gazit lotsjellës dhe ndërhyrjes së shpejtë e shmangën pushimin e selisë nga berisha. Për ta dorëzuar dy mua më vonë pa asnjë qëndresë, në duart e tij.
“Babi i Zenit, njeriut të vetëm përgjegjës për 26 të vrarë në Gërdec, duhet të gjejë kohë të paktën t’i shkojë për ngushëllim baxhanakut të tij. Koha ku çdo punë e emërim kalonte nga zyra e Zenit ka mbaruar me vendim të DASH në 19 Maj 2021. Sa më parë ta kuptosh aq më mirë për ty”, shkruante Gaz Bardhi para një viti.
Dhe për ta përforcuar këtë, ai ka deklaruar se s’ka asnjë ambicie për drejtimin e PD-së, ndërsa ka theksuar se nëse Berisha do të jetë kryetari i PD dhe kandidat për kryeministër, ai nuk kandidojë më për deputet. “S’kam asnjë ambicie në këtë drejtim, në këtë moment. Gjënë që kam bërë nuk e kam bërë për veten time, nuk e kam bërë për mua. Unë kam thënë që nëse zoti Berisha do të jetë kryetari i Partisë Demokratike dhe kandidat për kryeministër, unë nuk kandidoj më për deputet.
I qëndroj kësaj si deklarate dhe e kam shpjeguar këtë qëndrim me faktin që oferta jonë do duhet të jetë një ofertë e besueshme për qytetarët. Po të ishte për komoditet dhe zgjidhje politike, isha shumë komod, Basha kryetar partie, unë numri dy i partisë, nëse betejën do ta bëja për vete apo për mandatin tim”, u shpreh Bardhi në atë kohë. Deklarata të forta këto, për atëherë kuptohet.
Ndërkohë që në harkun kohor të një viti, Bardhi punoi fort të sabotonte të gjitha ankimimet e Bashës dhe Alibeajt për Berishën, për t’i dorëzuar zyrtarisht më pas jo vetëm vulën e logon e PD, por dhe tërë lidershipin e PD Sali Berishës.
Madje Bardhi e sheh Berishën si zgjidhjen e vetme për drejtimin e PD dhe për më tepër, për të tashmë nuk përbën problem as orientimi i partisë më të madhe opozitare kundër SHBA, pasi pikërisht administrata amerikane e ka shpallur Berishën familjarisht ‘non grata’ për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë. Nuk e shqetëson më ky fakt Bardhin, i cili është kthyer tashmë në një ‘skifter’ të Berishës, duke rivalizuar fort dhe Mul Nokën për të qënë afër liderit të PD, për të vepruar dhunshëm si ai, por dhe për të folur mot a mot si Berisha. Mund tëe shihni gjuhën e përdorur, ditë pas dite.
Për hir të së vërtetës, Berisha loz me qarin, pasi ‘non grata’ funksional në SHBA e Britani është dhe e di si dreqi se sa të jetë ai në krye të PD kurrë nuk do të vijë opozita në pushtet. Ndërsa hallet e tij me drejtësinë tashmë janë në kulmin e tyre, duke filluar nga afera e privatizimit të “Partizanit’ në favor të dhëndrit të tij duke ‘përfitua’r akuzën e ‘korrupsionit pasiv’ e deri tek ’21 janari’, ‘Gërdeci”, CEZ-DIA dhe hetimi i pasurisë së tij dhe të familjarëve, dosje që janë në kulmin e hetimit dhe që kanë ‘aktor’ kryesorë, vetë Sali Berishën, familjarët dhe ortakët e tij.
Për kaq i duhet PD, Bardhi dhe tërë deputetët e tjerë, që lëvrijnë korridoreve të PD apo në Parlament, thjeshtë dhe vetëm për t’i rënë në sy dhe për të marrë një vend të sigurtë në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Teksa Berisha bën sikur mendohet për përfshirjen përmes primareve në këto lista, ia vlen të theksojmë se në primare as Bardhi dhe as Gjekmarkaj nuk e kanë të sigurtë kandidimin në listat e sigurta, Berisha i ka shndërruar këtë grup që lëvizi ‘paketë’ nga Basha në drejtim, të tij, në atë farë feje, sa nuk ta po gjejnë kohë as të drejtojnë trupin, të cilin e mbajnë tërësisht të kërrusur përballë Berishës.
Përfshirë dhe Gjekmarkajn. I cili kishte deklaruar se “nëse fiton linja e Berishës, unë largohem nga Partia Demokratike”. Ndërsa tani e quan Berishën ‘elektrizues të PD”, deri ndriçues dhe shansi i vetëm që opozita të vijë në pushtet. Këtë deklaroi para, gjatë dhe pas bindjes civile në 23 dhjetorit, në atë sakrificën sublime të gjendjes së të fiktit, shtrimit tek Trauma për ‘shtrëngim gjoksi’. Duke marrë dhe etiketimin publik nga Xhelal Mziu i PD se është pa shtyllë kurrizore. Domthënë butak fare.
Ndryshimin e qëndrimeve brenda një viti ndaj Berishës, Bardhi, Gjekmarkaj dhe të tjerët që i pasojnë e deklarojnë pa u skuqur e pa u zverdhur, hapur fare dhe duke të parë drejt në sy. Për të ardhur më pas tek më brilantja: K’cimi në festën e fundvitit nën ritmin e tingujve të këngës për Sali Berishën.
Ishin vërtet tragji-komike pamjet që u bënë virale në rrjetet sociale, ku shiheshin me zë dhe figurë Bardhi, Gjekmarkaj që e kishte marrë veten, Jorida Tabaku, Xhelal Mziu dhe të gjithë të deputetët e PD që këndonin, kërcenin e tundnin belin me melodinë e këngës së Sali Berishës. Duke prekur për hir të së vërtetës fundin. Por dhe duke treguar se në çfarë niveli ka rënë Partia Demokratike, vetëm 6 muaj para zgjedhjeve.
Në këtë parti nuk dëgjohet më se si të fitohen zgjedhjet, apo ndonjë alternativë për të joshur elektoratin. Të gjithë janë të përfshirë nga ethet e përfshirjes në listat e kandidatëve për deputetë. Ato të sigurtat fare, të mbyllurat.
Ndërkohë që Berisha është në kërkim të një alibie të qëndrueshme për të justifikuar humbjen në zgjedhjet e 11 majit 2025. Jo pse ka frikë se e lëviz njeri nga drejtimi i PD për shkak të statutit i cili parashikon që kryetari humbës largohet automatikisht nga drejtimi. S’pyet Berisha për këto gjëra. Në të vërtetë Berisha kërkon të mbajë me gajret demokratët ithtarë, aq sa i kenë mbetur, në përballimin e mandatit të katërt në opozitë. Sepse nuk të beson njeri asnjë alternativë, asnjë premtim teksa sheh që lidershipi i PD i gënjen sy për sy. Nëse do ishin mbajtës të fjalës së dhënë, sëpaku Bardhi e Gjekmarkaj, nuk do ishin në politikë pas marrjes së drejtimit të PD nga Berisha.
Por ama ‘parabola’ e lëvizjeve politike të njerëzve afër Berishës, duke filluar nga Bardhi e dhe Gjekmarkaj e përfunduar tek Salianji, i cili para se të hynte në burg për ‘Babalen’ kishte kryer ‘shndërrimin’ e madh nga kundërshtar me shkop në dorë kundër Berishës në ithtar të tij, tregon më se miri situatën pa ‘shtyllë kurrizore’ të lidershipit të PD. E cila tashmë është tërësisht në shërbim të Berishës, për hallet e tij personale, dhe aspak në shërbim të demokratëve apo qytetarëve për të bërë opozitën që i takon.
Kështu u mbyll këtë vit, me K’cimin e Tropojës i cili u shpall zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO si dhe ‘shpalljen e ‘K’cimit të Berishës’ si ‘kolonë zanore’ të politikës së PD. Nuk është pak, dy arritje të forta në një vit. Zgjedhjet kanë mbaruar me kohë dhe vakt për PD. Më 11 maj 2025, sipas parimi ‘rëndësi ka pjesëmarrja jo rezultati’, Berisha do të marrë një grush votash, të përkthyer në një grusht deputetësh, besnikë të tij. Të cilët do t’i përdorë e përçundojë akoma më shumë për hallet e tij personale që janë vetëm në rritje. Nuk dimë nëse do ta ketë atë ‘fat’ Bardhi dhe grupi i tij të bëhen deputetë e të përdoren sërish nga Berisha. Ose në një rast fatlum, të ‘rikapërcejnë ylberin’ sërish. E kanë bërë njëherë, rrugën e kanë hapur. Por ama kostoja për demokratët është e madhe.