Për të treguar shkallën e lartë të këmbënguljes dhe efikasitetin e një ndërmarrjeje politike, në periudhën e regjimit komunist ishte një shprehje e famshme asokohe që i përblidhte të gjitha: “S’ka kala që nuk marrin komunistët, nuk dorëzohen kurrë”!
Aq shumë ishte i fiksuar kreu i regjimit, Enver Hoxha, pas këtij postulati, ndoshta të shpikur nga vetë ai, sa e kishte përcaktuar dhe vetë Shqipërinë, si “fanar ndriçues në botë”, duke i bindur shqiptarët, me zor apo me hatër, se Shqipëria ishte qendra e botës dhe se marksizëm-leninizmi i vërtetë në shkallë botërore kishte gjetur zbatim vetëm në Shqipëri, nën diktaturën e proletariatit, që nuk lejonte asnjë investim të huaj për të shfrytëzuar vendin! Madje kishte vënë dhe ‘klon’ në kufi, ku nuk hynte as dilte as miza pa leje, jo më njerëzit!
Dhe një ‘sindrom’ i tillë zgjati për 45 vite, derisa regjimi komunist, i gjendur përballë rrënimit ekonomik, social dhe politik, pa asnjë mik jashtë dhe pa asnjë investim të huaj, ra në fillimin e viteve ’90! Shqiptarët ishin aq të zemëruar dhe të shkatërruar nga ky regjim 45 vjeçar sa nuk donin më as të dëgjonin për Partinë Komuniste apo PPSH-në, e cila u shkri dhe doli jashtë ligjit, për të ‘mbijetuar’ më pas tepër e fraksionuar dhe me rezultate që asnjëherë nuk lëvizën nga zero. Pasi shqiptarët ishin ‘djegur nga qulli, dhe tashmë i frynin dhe kosit’! Nuk bëhen më “Bashkë” për të rikthyer komunizmin, qoftë dhe në formën më të ‘revizionuar’ formalisht këtu në Shqipëri!
Të më ndjejnë ata që nuk janë dakord me qasjen time, demokracia prandaj është e bukur, pasi me rrëzimin e komunizmit lindën dhe partitë politike, e shqiptarët kanë mendime dhe qëndrime të ndryshme, por teksa shoh këtë ‘zvarritjen’ mbi 80-ditore të “Revolucionit Flaming", i shndërruar në një miksim lëvizjeje neomarksiste dhe të islamit politik, më kujton pikërisht këtë postulatin e atëhershëm, ‘s’ka kala që nuk marrin komunistët, nuk dorëzohen kurrë’, me të cilin organizatorët kryesorë të këtij revolucioni po mundohen të mbajnë në këmbë këtë lëvizje, duke bindur veten e të tjerët se duhet të vijojë! Nisi si qytetare por tashmë është katandisur në një ‘xhiro’ darke, sipas një axhende të përcaktuar nga ‘grupi i mikrofonit’ që vendos se kush flet dhe se kush dëbohet!
Teksa “Revolucioni” është rrudhur në atë farë feje, sa tashmë po na duken madhështore edhe këto foltoret e Berishës, mbetet vërtetë mister se përse vijon në zvarritet ditë pas dite, me të njejtat slogane, me të njejtat parulla, me të njejtin format qëndrimesh dhe deklaratash, me të njejtët persona anonimë që dalin e flasin, ndonjëherë pa e ditur as vetë ata se çfarë thonë e çfarë kërkojnë, pa neglizhuar në këtë rastet Gonen e famshëm, i cili vdes për të qënë kandidat për kryeministër! Pra nuk e kuptojnë se përse vijon kjo ‘xhiro’ rutinë , përderisa Rama vijon të jetë kryeministër, vijon të qeverisë pa u shqetësuar, Berisha vijon të jetë kryetar i PD dhe të qeverisë me Nokën, PD-në, qytetarët vijojnë të jenë në punë, në kafe, në plazhe dhe në xhiro darke pa e prishur terezinë, me gjithë lutjet, thirrjet dhe sulmet e organizatorëve. Bizneset vijojnë punën, turistët e huaj kanë rritur sërish fluksin e ardhjeve në këtë vend dhe jeta vijon pa asnjë ndalesë!
Revolucioni “Flaming” është kthyer tashmë në një ritual të pandryeshueshëm, në një barcaletë për nga shkalla e efikasitetit dhe realizimit të qëllimit për të cilin nisi. Për më tepër që ngjan mot a mot me ato rekordet ‘detare’ të Berishës, asokohe kryeministër, i cili megjithëse akoma dhe sot e kësaj dite nuk e ka mësuar notin, mburrej me qëndrimin me njërën këmbë në tokë, në ujë! Qëndronte dy orë në ujë, pa bërë asnjë metër not dhe e quante rekord të thyer! Kështu dhe protesta, pavarësisht se mazhorancës dhe Ramës nuk i ka lëvizur asnjë ‘muskul’ nga kjo protestë, vijon të mburret me zgjatjen e ditëve në bulevard, jo me qëllimin dhe arritjen e objektivit të vënë që në krye të herës, largimin e Ramës dhe tërë klasës politike aktuale nga pushteti e politika!
Mendojmë se tre janë arsyet pse ky ‘revolucion’ rutinë vijon ende rrugëve të kryeqytetit, Tiranë, thjeshtë dhe për inerci, pa asnjë objektiv për të arritur!
E para e ndoshta më kryesorja është se, janë bërë të gjitha pagesat që në krye të herës për grupin organizator, dhe tashmë me dëshirë apo pa dëshirë duhet të shkohet deri në fund të skenarit! Nuk po themi se kanë dhënë para Irani, Rusia, islami politik, apo dhe deri Albini e VLEN! Por që nuk punon askush pa para në këtë vend, këtë mund ta themi dhe kjo është e vërteta, si buka që hamë! Madje dhe sherret brenda grupit të organizimit të “revolucionit”, për punë parash kanë ardhur! Bëhet fjalë për mijëra e mijëra euro! Këtë e kanë thënë palët në sherr brenda protestës, madje me zë dhe figurë nëpër rrjetet sociale, dhe jo ne!
Pavarësisht thirrjeve për shtrëngim të radhëve dhe unitetit brenda grupit organizator, si në kohën e Enverit, apo të asaj gruas së Beratit që nuk donte as bukë dhe as ujë, vetëm që Nano e Meta të mos ziheshin, sherret mes grupeve vijojnë me të njejtin intensitet! Pra paraja është në mes, dhe e themi këtë pasi dhe në grupin organizator janë me shumicë njerëz të bankave, ekonomistë apo që janë marrë me këto zhvillimet ekonomike, ku valutën e kanë në qëndër të edukimit të tyre! Sado vonë që të ngrihen nga gjumi, paratë i kanë në sy! Si të gjithë, me para jetohet, s’ka gjë falas!
Flitet brenda rrethit të ngushtë të organizimit, për fluksin e parave që vijnë nga Suedia, Holanda, Gjermania, Italia etj, sponsorizime nga majtisë të thekur, shqiptarë ose jo, nga kundërshtarë të Ramës apo dhe nga vendet jo mike, përmes kanaleve të nëndheshme! Por janë hedhur para dhe nga brenda vendit, ku në krye të listës qëndrojnë këta krerët e partive të vogla, në përpjekje për të qënë faktorë dhe për të rrëmbyer ndonjë pjesë të pjesëmarrësve në protestë, e cila për hir të së vërtetës po shuhet bashkë me këto parti, të cilat po rikthehen sërish në habitatin e vet! Pra aq sa kanë patur dhe mbështetjen e fundit në përballjen elektorale, madje dhe më pak! E kanë pranuar dhe vetë se kanë financime, pasi kushton mijëra euro nata! Madje dhe për të pasur zë nëpër këto rrjetet sociale, përmes figurave të rëndësishme nga të gjitha fushat! Leku madh me një fjalë!
Arsyeja e dytë është kjo klima e shpresës së pashpresë, se në ‘ecje e sipër’ mund të ndodhë ndonjë përmbysje vetëvetiu, ndonjë kataklizmë siç ndodhi me rënien e komunizmit në Shqipëri në vitin 1990, dhe komunistët dhe islami politik janë në pritje se mund të përfitojnë, pasi gjenden me ‘kostum’ të ri si neomarksistë këtë protestë! Ndoshta rrinë me shpresën se mund të ‘prekin telat e zemrës’ së Ramës dhe i lind atij në zemër që të ikë se i vjen gjynah kur sheh se si po skrapatohen këta revolucionarët në rrugë! Nuk themi se përfiton Gonja, as këta tjetër, s’kanë ‘stof’ politikani këta, janë si lavjerrsat politikë, ngjashë me krerë OJF-je!
Shqiptari e ka të materializuar që herët në kohë këtë qëndrim, me atë thënien lapidare të pritjes me damixhanin e rakisë gati, tenxheren dhe zjarrin të ndezur ‘të rënies vetë të atyre të dashit’, për t’i skuqur direkt në mal dhe për t’i përdorur si meze për raki! Ne shqiptarët jemi të duruar dhe tepër novatorë në këtë drejtim! Prandaj na mbeti në ‘derë’ për 45 vite komunizmi! I cili kështu, si pa ndjerë hyri, në fillim ilegalisht dhe pas shumë vitesh në pushtet me dorë të fortë, na kaloi të gjithë në ‘satër’ dhe tashmë i qëndrojmë sa më larg çdo neomarksisti!
Arsyeja e tretë që po vijon me zvarritje ‘revolucioni’ nëpër rrugët e Tiranës ka të bëjë me atë pritjen e kahershme të shqiptarit, për ‘zbarkimin e aleatëve’ dhe largimin e kësaj qeverie! Jo pa qëllim sponsorizojnë në media dhe rrjetet sociale lajme të tilla, sipas të cilave “revolucioni’ ka mbështetje nga Gjermania, nga Holanda, nga Belgjika, nga vendet nordike etj, pasi Rama është i padëshirueshëm për qeveritë e këtyre vendeve! Anipse të gjitha veprimet e Ramës në funksion të mirëqeverisjes dhe përafrimit me BE-në, të gjitha këto vende i mbështesin maksimalisht dhe e vlerësojnë publikisht qeverinë shqiptare se po udhëheq një vend pararojë në rrugën e integrimit, krahasuar me vendet e tjera apsirante të rajonit, për anëtarësimin në BE! Apo dhe këto lajmet me flotile të ambientalistësh dhe të majtës që mbërrijnë në Sazan!
Por ajo që po vëmë re me ‘sy të lirë’ është se organizatorët e protestës, në tentativë për t’i dhënë ‘revolucionit’ idenë se po mbështetet nga qeveritë perëndimore, po tentojnë të shfrytëzojnë edhe këtë fluksin e emigrantëve që vijnë në Shqipëri, e që bëjnë një xhiro dhe nga ‘qendra e zërit’ të protestës për të folur dhe për të kërkuar rrëzimin e Ramës! Të cilët vijnë nga këto vende!
Për hir të së vërtetës ‘mërgata’ e re shqiptare, e cila vjen në vendlindje çdo behar për të kaluar pushimet bashkë me familjarët që kanë mbetur në Shqipëri, po mundohet fort që të importojë “revolucionin” nga vendi nga ata vijnë, të sjellin modele të gatshme ‘revolucioni’, nga ata të hershmit madje, por ka dhe nga ata që përpiqen që të kontribuojnë edhe me leksione të gatshme se si duhet të bëhet revolucioni. Ndonëse nuk prezantohet askush, madje dhe në media, thuhet ‘u shpreh një emigrfat, foli një cajzë që vinte nga iks vend’ dhe asnjë emër nuk përmendet!
Nuk e ndryshoj nga qëndrimin tim që, mërgata jonë është pjesa më guximtare e shoqërisë shqiptare. Megjithëse ndaj dhe qëndrimin se, guxim ishte dhe të qëndroje në Shqipëri dhe të punoje fort për të tejkaluar krizat, shkatërrimin e shtetit nga themelet dhe për të punuar me durim për ringritjen e vendit! Ama emigrantët janë guximtarë, kanë punuar dhe janë përshtatur në dhe të huaj, kanë duruar madje dhe rregullat e forta të vendeve ku janë instaluar e tashmë kanë krijuar familje e jetojnë atje! Me një fjalë, kanë pranuar dhe ‘këpucën në gojë’ të policit kur kanë dashur ndonjëherë si pa mendje të veprojnë si në Shqipëri! Prandaj i mirëkuptoj gjithnjë, atëherë kur ‘lirohen’ ndonjëherë nga rregullsia kur vijnë në Shqipëri! Kanë nevojë të bëjnë si shqiptarë!
Pra duhet të pranojmë se shumica e tyre kanë sakrifikuar gjithçka, pasi hequr dorë nga shumë gjëra për të mbijetuar, punuar, mbajtur familjet e tyre andej dhe paratë që kanë dërguar për pjesën e mbetur në Shqipëri! Janë privuar nga argëtimi, janë privuar edhe nga studimi e mbi të gjitha shkollimi! Për mungesë kohe, të kuptohemi! Dhe kjo i bën ata dhe më emocionalë, më të drejtëpërdrejtë, më të thjeshtë në veprime dhe qëndrime, duke i rikthyer, pikërisht në kohën kur ata kanë lënë atdheun për të shkuar në emigrim! Pra, në atë moment kur ‘ora’ e tyre ka ngecur, pa e ditur se dhe këtej në Shqipëri, këta shqiptarët e vendit, kanë ecur para, kanë punuar, janë shkolluar, një pjesë e mirë dhe jashtë vendit e janë rikthyer, kanë krijuar të mira materiale! Kanë kontribuar me një fjalë për vendin, ashtu sikurse kanë ditur dhe kanë mësuar dhe andej nga Perëndimi ku janë shkolluar e trajnuar! Madje nën monitorimin e qeverive, po të Perëndimit, kanë punuar fort këtu, prandaj kemi ecur në rrugën e integrimit në BE, më shumë se të tjerët!
Qofshim të gabuar, por një pjesë e mirë e këtyre emigrantëve që kanë ‘paralaluar’ nga mikrofoni i ‘revolucionit’ janë kapur nga sindromi i mërgimtarëve të Kosovës që mbështesin Albinin, të cilët dihet si e kanë katandisur Kosovën, 2 vite pa institucione, e po përpiqen të implementojnë edhe në Shqipëri atë protagonizmin e tepruar për t’ju treguar shqiptarëve që jetojnë në atdhe formulën e gatshme se si duhet të jetojë, si duhet të sillet, si duhet të veprojë tani e tutje, sa fëmijë duhet të bëjë, anipse ata vetë nuk ikin për qamet nga vendi ku janë reziëdentë atje për të ardhur e punuar e jetuar përgjithmonë në dheun e të parëve!
Pra Shqipëria në sytë e tyre kthehet në një realitet që shihet nga jashtë, orientohet prej atyre që janë jashtë dhe pse jo, edhe gjykohet po nga jashtë, me modele të gatshme se si rrëzohet qeveria nga turma, si qeveriset vendi nga turma pa institucione, ndërsa ashtu sikurse në Kosovë, dhe në Shqipëri, ‘fatura’ e ndryshimit u lihet pikërisht atyre që jetojnë në atdhe. Pra ‘vrit veten tani’ me këto modelet e gatshme, pasi ne po rikthehemi në Evropë, pasi kemi punën, kalamajtë, shtëpinë e jetën aty! Kërkon në mikrofonin e protestës ‘revolucionin’, ndërkohë që faturën e revolucionit do ta paguajnë ata që jetojnë në Shqipëri! ‘Bëj si them unë, mos bëj si bëj unë’ i bie! Sepse atje në Perëndim nuk u shkon as në mendje të kërkojnë si në Shqipëri, rikthimin e epokës së gurit!
Shqiptarët janë djegur disa herë nga këto ‘revolucionet’ pa skenare! Prandaj përkrahja ka rënë në limitet më të ulta, ngjashëm me ‘revolucionet’ e Berishës në foltoret e tij! Njerëzit kanë hallet e tyre dhe nuk mund të shkojnë pas një turme të limituar dhe laramane, e cila nuk ka strategji, nuk ka skenar, nuk ka kokë që të marrë përsipër drejtimin e vendit, fatet e vendit dhe për pasojë dhe fatet e familjeve të tyre! Jo vetëm që nuk po joshet ende nga deklaratat patriotike, shpeshherë të ‘miksuara’ me alarme të rreme se po na pushton Izraeli apo dikush tjetër, por e ka të pamundur që të ndjekë edhe këto ftesat e neomarkistëve apo dhe të islamit politik, për të hedhur veten dhe vendin në erë! Janë me kosto e lartë! Shqipëria nuk ngjan me Kosovën e Albinit!
Megjithatë, theksojmë, se nuk jemi kundër protestës! Ajo është e shëndetshme qoftë dhe për të shfryrë mllefin në në rrugë, në mënyrë kolektive, për të gjithë ata që kanë halle të ndryshme! Edhe për kaq e meriton vëmendjen! Ama, shqiptarët janë jashtë sferës së përdorimit si ‘kavje’ eksperimentale sipas axhendave aspak dashamirëse për Shqipërinë apo luftërave të të majtëve për pushtet, që duan të përdorin Shqipërinë si fushë-beteje për betejat e tyre ideologjike! Janë djegur shumë herë shqiptarët!
Mbi të gjitha, në 2 mijë vite, vetëm një revolucion kanë bërë shqiptarët, dhe atë e bëri një prift! 6 muaj mbijetoi qeveria e Nolit dhe iku pa luftë! Duke përjashtuar Enverin që revolucionin komunist e bëri pasi erdhi në pushtet, e mbi të gjitha pasi doli nga ilegaliteti, disa vite pas erdhi në pushtet! Është jashtë takatit tonë ripërsëritja mot a mot e të keqes në këtë vend! Pavarësisht se kjo mënyrë organizimi “revolucioni” dëmtoi shumë rëndë organizinin e lëvizjeve të tjera në të ardhmen! Jo për faj të pushtetit apo të Ramës, por për shkak të organizatorëve të këqinj dhe hileqarë të “revolucionit”! Me një fjalë është një mund dhe lek i shkuar dëm mirëfilli! Por dhe një zhgënjim për ata që e mbështetën financiarisht, pasi shqiptarët nuk kryen asnjë punë!









Komente
Komento