Janë financuar punimet vetëm
në 10 pika të rrezikshme nga 143

Janë financuar punimet vetëm<br />në 10 pika të rrezikshme nga 143
TIRANE- U bë tashmë ritual lajmi i humbjes së jetëve në rrugë nga aksidentet rrugore. Edhe 11 shqiptarë të shkretë humben dje jetën jo për fajin e tyre. Sot, ndodhja e një aksidenti me pasoje vdekje nuk përbën më lajm pasi nuk mund të quhet lajm diçka që jepet çdo ditë dhe çdo orë të ditës nga çdokush.

Duket sikur edhe njerëzit po mësohen tashmë me këtë fakt, madje sensibilizohen vetëm kur i ndodh dhe të ndjerit ish-ministrit të Transportit, Z. Sokol Olldashi, ish-ministrit të Shëndetësisë Z. Petrit Vasili, ish-ministrit të Transportit Z. Sokol Nako, deputetit Z. Shalsi, deputetit Z. Spaho e shumë deputetëve e ministrave të tjerë. Me këtë dua të them se rruga nuk pyeskërka as se kush je, ndërkohe që pyetja që të gjithë politikbërësit dhe vendimarrësit duhet të bëjnë është: aty ku je çfarë mund të bësh për të ndaluar këto aksidente?

Dhe kur vjen në diskutim shkaktari, të gjithë janë të pafajshëm dhe në të shumtën e rasteve vetëm shoferi e ka fajin. Faktet qenkan vërtet kokëforta. Sado që janë hedhur miliarda dollarë për rrugët në këto 23 vite, sado që kanë ardhur e kanë shkuar të huaj duke ofruar asistenca dhe studime, sado që qeveria e re e ka shpallur prioritet uljen e numrit të aksidenteve me pasojë vdekje me 20% këtë mandat, madje ka hartuar dhe një pakete 60 a 70 masash për reduktimin e tyre, vështirë të dallosh në terren se ka ndonjë risi të re. E vërteta është, se nëse ka një qelizë të trupit të rrënuar të qeverisë (i referohem institucioneve të lidhura me aksidentet), që sot po funksionon, ajo është vetëm Ministria e Brendshme nëpërmjet Policisë Rrugore.

Edhe Task Forca e ngritur për evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje buzë rrugëve nacionale dhe hekurudhave, po e kryen punën e vet më së miri. Të tjerat janë histori e teori se si e bën Europa këtë e atë, ndërkohë që po ngelemi të fundit në Europë për sa i përket aksidenteve. Ekziston një Strategji Kombëtare e Sigurisë Rrugore për vitin 2011-2020 e miratuar me VKM Nr. 125 date 23.2.2011, por që askush nuk ka marrë mundimin ende sot të bëj një përditësim të saj për të thënë se kaq kemi arritur dhe këtë do të bëjmë në këtë apo atë vit apo periudhë që vjen.

Ose nuk alokohen fonde në buxhet për sigurinë rrugore ose, edhe kur alokohen, jepen me pikatore (bie fjala për 10 njolla të zeza vdekjeprurëse nga 143 që ka sot në të gjithë Shqipërinë) njëlloj sikur t’i japësh dikujt, që po lëngon, një lugë çaji me shpresen se po e shpëton. Nuk dimë ende sot se sa kilometra rrugë kemi në Shqipëri dhe, mbi të gjitha, cila është gjendja reale fizike e tyre, gjë e cila nuk kërkon më shumë se 2-3 muaj për t’u evidentuar. Shkaqet e aksidenteve i kemi thënë e stërthënë sa shqiptaret dinë shumë tashmë nga kjo fushë.
 
Gjithsesi, unë do të rendisja 5 nga supershkaqet makro se përse të paktën nuk po preventohen aksidentet në Shqiperi: 1. Planifikim i keq i Territorit, mungesë totale e kontrollit të rregullimit të Territorit, ndërtim rrugësh pa standarde; 2.Tejngopje me hartim e miratim legjislacioni në fushën e sigurisë rrugore dhe transportit rrugor por që, në të shumtën e rasteve, behen për të kënaqur kërkesat e BE-së dhe nuk implementohen apo nuk janë të implementueshme; dhe përsëri në Raportin e Fundit të Progresit, BE-ja na kritikoi për sigurinë rrugore; 3. Financim i munguar në vite dhe dëmtim i investimeve të trashëguara;

4. Mungesë koordinimi mes institucioneve të përfshira dhe mosmarrje përgjegjësie nga ana e tyre; 5. Marrja jo shumë seriozisht nga politikbërja dhe vendimarrja për çeshtjet e sigurisë rrugore.Në themel ajo që ndodh sot rëndom në Shqipëri është se qytetarët më së shumti nuk zbatojnë ligjet dhe rregulloret për përdorimin e rrugës dhe infrastrukturës  dhe shteti, që bën infrastrukturat dhe rregulloret, më së shumti nuk bën monitorimet përkatese.

*) Master për menaxhim infrastrukture

Shkrimi u publikua sot (09.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës