'Janë marrë të gjtha masat', Bardh Spahia sulmon Manastirliun: Nuk menaxhoni dot një grip sezonal

Partia Demokratike ka akuzuar ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu se vendi nuk është gati të përballet me një grip të stinës dhe jo më me alarmin që OBSH ka dhënë për koronavirusin. Lidhur me deklaratat e Manastirliut në Komisionin e Shëndetësisë se 'Shqipëria ka marrë të gjitha masat dhe ka gati vendet e karantinë nëse është e nevojshme', ish deputeti demokrat Bardh Spahia e cilëson si 'propagandë bajate'. Spahia tha se fluksi i lartë te pediatria në QSUT tregon qartë se 'sa skandalozë është situata e menaxhimit të gripit dhe se sa e pafuqishme është ministria e Shëndetësisë në lidhje me  parandalimin e koronavirusit'.

'E turpshme maskarada e dëgjesës së saj sot në komisionin e shëndetësisë, të mbledhur për t’i bërë lavde njëri-tjetrit. Si mund të vetë-lavdërohesh, kur nuk menaxhon dot situatën e gripit të stinës, kur gjithë bota është në alert maksimal për shkak të Koronavirusit? As fëmijët nuk janë arsye, më së paku për të heshtur, e jo për të shfrenuar delirin? Çfarë masash janë marrë për koronavirusin e ri, kur ende nuk ekzistojnë hapësirat për karantinë, apo ju quani karantinë, dy dyshekë ne një kolibe? Si mund të flisni për masa, kur personeli mjekësor përballet me të sëmurët vetëm me uniformën e bardhe e me maska të thjeshta kirurgjikale? Përse i shisni si risi e këtij viti, katër qendrat në Tiranë ku ofrohen vizita pediatrike? Pse si është vepruar vitet e tjera me gripin e stinës? Kushdo ka shkuar atje e denoncon atë shërbim minimalist, ju zonjë nuk keni shkuar ose pastaj gënjeshtrën e keni pjesë të karakterit, e ka parë se ka shërbim të përgjysmuar, me vetëm 1 mjek pediatër e 1 infermiere e pa dhoma për perfuzione, kur në fakt këto qendra supozohet të jenë funksionale prej vitesh? Ku janë bokset speciale izoluese për të sëmurët që mund të paraqiten? E turpshme zonja ministre që në funksionin ku jeni, zgjidhni vetëm të zbatoni urdhra e një vizion shkatërrues për shëndetësisë e aspak udhëzimet e OBSH, siç pretendoni, pa ju dridhur qerpiku të thoni një të pavërtetë të madhe. Një e pavërtetë qe sot nuk mund te fshihet me propagande!' shkruan Spahia në Facebook.

Gjatë ditës së hënë, Ministrja Manastirliu tha në Komisionin e Shëndetësisë se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar me koronavirus dhe se janë marrë të gjitha masat e nevojshme si dhe siguruar vendi për karantinë nëse do të jetë e nevojshme. Ajo shtoi se është bërë trajnimi i mjekëve, janë përgatitur udhëzimet, janë shpërndarë mjetet për mbrojtjen personale për të identifikuar dhe parandaluar virusin vrasës.

G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A ju duket i drejtë vendimi që pensionistët nuk mund të dalin më nga shtëpia deri në një urdhër të dytë?

Komento