Me qëllim nxitjen e të rinjve për të marrë sa më shumë informacion mbi Bashkimin Europian, përfshirjen e tyre në procesin e integrimit, këtë vit Java e Europës do të vijë ndryshe. Përveç një sërë aktivitetesh me në fokus të rinjtë, Ministria e Integrimit Europian në Bashkëpunim me Delegacionin Europian në Shqipëri, kanë menduar të organizojnë një konkurs mes gjimnazistëve në të gjithë vendit.
Ky konkurs u prezantua, sot nga Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha dhe Ambasadroja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin.
"Për mua është emocion dhe kënaqësi dyfish që jam sot me ju. E para sepse jam krenare që jam një ish nxënëse e shkollës " Ismail Qemali", një shkollë me kaq vlera dhe që ka qenë gjithmonë ndër gjimnazet më me emër jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë", tha Ministrja Gjosha.
Ministrja theksoi se të rinjtë duhet të informohen sa më shumë për procesin e integrimit, pasi do të jenë pikërisht ata lokomotiva e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
"Ne zgjodhëm sot të prezantojmë një konkurs që besoj do t'i afrojë më shumë të rinjtë me procesin e integrimit. Është një konkurs që do të organizohet me rastin e javës europiane që finalizohet në 9 maj", tha Ministrja Gjosha. Ministrja sqaroi se bashkë me Delegacionin Europian është përgatitur një kuiz me 50 pyetje.
"Kuizin "Të njohim Europën", nga sot do ta gjeni në faqen zyrtare të Ministrisë së Integrimit Europian. Të gjithë nxënësit e interesuar të gjimnazeve do të mund të plotësojnë këtë kuiz dhe deri në datën 2 maj, mund të nisë përgjigjet në një adresë të posaçme që ne kemi hapur për të marrë këto përgjigje", tha Ministrja Gjosha.
Ministrja sqaroi se një grup pune do të bëjë korrigjimin e kuzeve dhe 5 nxënësit më të mirë, do të dërgohen për një udhëtim në Bruksel, kryeqendrën e Bashkimit Europian.
"Fituesit do të qëndrojnë për disa ditë në Bruksel, pasi ne mendojmë se të rinjtë duhet t'i shohin nga afër institucionet europiane, në mënyrë që interesi dhe informacioni për Europën të jenë gjithnjë në rritje, dhe veçanërisht për hapat që Shqipëria po hedh në procesin e integrimit", tha Ministrja Gjosha.
Ambasadorja Vlahutin u bëri thirrje gjimnazistëve të marrin sa më shumë dije. "Ju duhet të mësoni dhe të jeni më të mirët pasi vendi juaj ka nevojë port ju për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Jeni ju liderët e ardhshëm të Shqipërisë"", tha ambasadorja Vlahutin. /atsh/