Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, është përplasur ditën e sotme në Parlament me kreun e grupit të PS-së, Taulant Ballën, lidhur me protestën për ‘Zvërnecin’.
Zhupa është shprehur se mazhoranca socialiste ka bërë gjithçka për të dezinformuar publikun mbi protestën qytetare të zhvilluar kundër ndërtimit të një resorti në Zvërnec të Vlorës.
Komentet Zhupa i ka bërë gjatë fjalës së saj në Parlament, ku tha se kryeministri Edi Rama nuk mund të pretendojë që meqë e kanë lënë Zvërnecin të papastër për një kohë të gjatë, aty mund të ndërtohet.
Më tej duke folur për investimin që pritet të realizohet në Zvërnec, Zhupa tha se një investim serioz nuk ka tela me gjemba, banditë me uniformë apo tërheqje zvarrë, referuar ngjarjeve të ndodhura disa ditë më parë në Zvërnec të Vlorës.
“Shikoj një postim në Facebook të Taulant Ballës, i cili ka bërë vetë një poster në greqisht dhe e ka nxjerrë aty sikur është posteri i protestës. Keni prodhuar vetë që në fillim gjëra fake, duke bërë deziformim, për të ngjyrosur me ngjyra nacionaliste një betejë që është vetëm shqiptare dhe e drejtë. Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve. Por në këtë rast ju jeni duke bërë dezinformim. Nxorët 2 deputetë nëpër studio që shpikën autobusa grekë me targa.... Shqiptarët e ngritur për dinjitet, duhet të kuptoni se Shqipëria u takon atyre. Ju takon atyre protestuesve që e duan zhvillimin shumë më shumë se një qeveri hajdute. Duhet të kuptoni se Shqipëria u takon atyre protestuesve që e duan zhvillimin shumë më shumë sesa një qeveri hajdute, që 4 miliardë euro i ka vetëm abuzime te AKSHI. Investimet e huaja janë shumë të rëndësishme, por kur janë në harmoni me standardet e BE-së. Sot nuk do protestohet vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Pse nuk nxirrni edhe mediat italiane, amerikane e gjermane që i kanë bërë jehonë protestës. Ajo që na paraqiti sot kryeministri, ishte një Zvërnec i ndotur. Një qeveri që e qeveris Vlorën 20 vite në pushtet lokal dhe 14 vite pushtet qëndror, thoshte ‘shiko sa të ndotura i kemi ne zonat e mbrojtura’. Por ky është turpi juaj, nuk është arsye që ta betonizosh pse është e pisët. S’kam dëgjuar që meqë nuk kanë bërë mirë punët e tyre kryetarët e bashkive dhe i kanë lënë zonat e mbrojtura si një thes i madh plehrash, hajde t’i ndërtojmë. Nuk ka investimi serioz tela me gjemba, banditë me uniformë dhe tërheqje zvarrë”, tha mes të tjerash Zhupa.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij Balla iu drejtua ashpër Ina Zhupës duke e quajtur ‘gënjeshtare’, pasi ajo deklaroi se kreu i grupit të PS-së kishte bërë fotografi me inteligjencë artificiale, me qëllim që ta pasqyronte protestën për Zvërnecin si të organizuar nga qarqe greke.
Balla kërkoi gjithashtu që PD të mos ndërhynte në protestën për ‘Zvërnecin’, pasi sipas tij, kur kjo forcë politike del në protestë, nuk mbledh më shumë se 40 vetë.
“Ti je një gënjeshtare, sepse the që këtë foto e kam publikuar unë. Sepse duhet të kërkosh falje që the e kam bërë unë këtë, ndërkohë unë ta publikova që është publikuar dje nga një faqe greqisht. Dole këtu dhe the që e kam prodhuar unë me IA dhe unë të them e kam marrë në këtë faqe dhe jam i gatshëm të përballet me ty edhe në Gjykatë. Ti je një gënjeshtare që s’të skuqet fytyra kur gënjen. Dëgjo këtu tani. Që ju e bëni piruetën në kuptimin e ndryshimit të qëndrimit, padyshim. Tani kam një pyetje, protestuesit thonë që ‘Sali Berisha është hajdut’, çfarë mendimi keni ju për të? Aaa këtu e paskan gabim. Që Sali Berisha është hajdut, kjo s’ka dyshim se ka edhe çështje penale për këtë punë. Lerini të protestojnë çunat e gocat, s’kanë nevojë për ju ata. Kur dilni ju në protestë, 40 vetë bashkë me rojet jeni”, tha mes të tjerash Balla.
Lajmi kryesor:
‘Zvërneci’ në Kuvend/ Berisha sulmon protestën: Ka mjeranë anti-opozitë! Balla i kujton lidhjet me Artur Shehun: Ke shkuar në Vlorë me makinën e tij! Miratohen 2 projektligje








