Festat e fundvitit janë një moment i shumëpritur nga të gjithë. Mbledhja me njerëzit e dashur pranë një tryeze festive, bën që shpesh herë të harrojmë rrezikun që shkaktohet nga ngrënia me tepricë e ushqimeve plot yndyrë dhe sheqer, por dhe konsumimit të alkoolit. Me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV u ndalëm pikërisht këto pak ditë para festave për kujdesin që duhet të tregojnë më së shumti personat që vuajnë nga zemra, diabeti, tensioni apo kolesteroli i lartë.
Cilat janë rrisqet që vijnë nga teprimi me ushqimin? Cilat janë ato ushqime, bimë apo erëza që nuk duhet të mungojnë kurrësesi në tryezen festive.
“Në pjatat e sallatës nuk duhet të mungojnë domatet, lakra e bardhë dhe e kuqe, hudhra, boronica, uthulla e mollës, por dhe turshitë të cilat janë të pasura me acide organike. Gjithashtu perime të ziera me brokoli, presh, bamje, patëllxhanë, rukola për diabetikët” thekson Ylli Merja.
Specialisti i bimëve mjekësore Merja rekomandon dhe përgatitjen e çajrave të ftohtë për të stimuluar tretjen, duke sugjeruar që në një enë 2 litërshe të hedhim 8-10 orë para mbrëmjes së Vitit të Ri: 1 lgj çaj të gjelbër, 2 lgj fruta pylli, 1 limon të grirë, 1 dorë gjethe luize, 2 lgj uthull molle, 2 lgj mjaltë, ujë të ngrohtë sa të mbushet ena. Gjatë mbrëmjes mund të konsumoni 1-2 gota nga çaji i ftohtë pas buke.
Një tjetër çaj i ftohtë rekomanduar nga Merja vjen për personat me hipertension: 100 gr xhinxhër të njomë, 2 ls uthull molle, 2 ls hibiskus, 2 lgj mollë të egra, 2-3 degë mente, 1 ftua dhe 1 mollë të grirë hollë, 2 lgj mjaltë, ujë sa të mbushen 2 litra. Pini 1-2 gota në darkë pas buke! Ndërsa një çaj i ngrohtë për uljen e tensionit përgatitet me pak mollë të egër, hibiskus dhe murriz.
Një problematikë tjetër për personat me sëmundje kronike që vuajnë nga zemra apo diabeti është sigurisht dhe alkooli. Për këta persona Ylli Merja rekomandon që të përgatisin një verë të ngrohtë, e cila përveçse do t’i japë kënaqësi do të jetë dhe shumë e shëndetshme për organizmin.
Verë e ngrohtë, miqësore për zemrën
Në 700 ml verë të kuqe hedhim 1 lugë gjelle hibiskus, 1 dorë murriz lule, 2 lugë mollë të egra, 1/2 kokërr ftua. E lëmë të ngrohet deri në 60 gradë për 15-20 minuta dhe e servirim të ngrohtë në tavolinë.
Verë e kuqe për diabetikët
Në 500 verë të kuqe hedhim 1 lugë çaji vjeshtull bredhi, 2 copa kanellë, 3 gozhdë karafili, 2 lugë supe fruta pylli. E lëmë të ngrohet deri në 60 gradë dhe konsumohet 200-300 ml në natë festive dhe 150 ml në ditë të zakonshme.
Nëse dikush nga familjarët përjeton një hipertension, këshilla e parë që jep specialisti Merja është të futen këmbët në ujë të nxehtë me një lugë gjelle kripë dhe një lugë gjelle sodë. Ujin e nxehtë e kalojmë edhe mbi gjunjë, më pas personi duhet të pijë një gotë ujë me lëng limoni dhe një thelpi hudhër. Ndërsa në rast të uljes së tensionit, kur personi mbushet me djersë të ftohta, këshillohet pak kripë poshtë gjuhës menjëherë dhe më pas një gotë me ujë me sodë buke dhe kripë ose një gotë dhallë me kripë.
Gjatë ditëve të festave shumë njerëz bëhen pjesë e helmimeve nga ushqimi që konsumojnë në këto ditë. Përzërja e pijeve alkoolike dhe joalkoolike apo konsumimi i mishit të ndenjur, përzierja e ushqimeve të ndryshme janë disa prej gabimeve që njerëzit bëjnë, të cilat shkaktojnë helmime.
Në vijim të bisedës mbi kujdesin që duhet të tregojmë në tryezën festive në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në emisionin “Rreze Dielli”, Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja jep disa këshilla tepër efikase dhe tregon si të përgatisim një pije rigjallëruese në rast helmimi nga ushqimi.
“Në 0.5 litër ujë zieni për 2-3 minuta: 2 lugë gjelle boronicë, 1 lugë borzilok, 1 lugë mendër. E lëmë të ftohet çaji për 10-15 minuta. Ndërkohë pini 2-3 gota ujë të ngrohtë ku keni hedhur 1-2 lugë kafeje kripë dhe 2 lugë çaji sodë buke. Ujin e ngrohtë nxirreni nga goja duke qëndruar të ulur me kokën poshtë. Pas këtij veprimi, pini 2-3 gota nga çaji i mësipërm” sugjeron Merja.