Frrok Çupi: Kadare nuk e pa në ëndërr zjarrin

Frrok Çupi: Kadare nuk e pa në ëndërr zjarrin

Ismail Kadare

Zjarri i parë që e tronditi Kadarenë ishte zjarri i fillimit të qershorit 1991, që ra mbi selinë e Parlamentit dhe mbi rrethinat e sahatit të Tiranës… Fillimisht, as e pranonte, as e ëndërronte zjarrin mbi vendin e tij.

Madje edhe ‘arratisja’ e shkrimtarit për në Francë, tetor 1990, ishte akti më i fuqishëm për ta mbajtur larg konfliktin në vend, teksa po vinte pluralizmi politik. Ismail Kadare iu përkushtua me gjithë talentin e shpirtin e tij zhvillimeve demokratike, paqes dhe stabilitetit në vend; as në ëndërr nuk mund t’i vinin zjarret që ndez një grupim politik i vë vendit edhe sot e kësaj dite.

E kam parë të tronditur në gjithë qenien e tij kur mori vesh për zjarrin në Tiranë.

U ndodhëm bashkë. Sapo u ulëm për kafe. Nju Jork, Manhatan, java e parë e qershorit 1991. Ismaili vinte nga Parisi, unë nga Tirana. Nuk priti as aq sa të uleshim.

-Po ç’bëtë more? Pse i vutë zjarrin?- mu drejtua mua si i PD-së.

E morëm vesh se ishte djegur Klubi i Ministrisë, ca lokale rreth sahatit dhe kishin shkuar në Parlament për ta djegur. Europa e mori lajmin menjëherë. Menjëherë sapo dolën flakët, kryeministri Fatos Nano dha dorëheqjen.

 Një natë më parë sapo ishte kthyer nga Parisi. Atje kishte takuar personalitete të lartë shtetërorë dhe kishte folur mbi gjendjen e rëndë ekonomike të vendit. Mbarë Europa e kishte marrë vesh katastrofën njerëzore ku ndodhej Shqipëria, aq më tepër për shkak të vërshimit të mijëra e mijëra refugjatëve drejt kontinentit, pamje e cila ishte bërë thuajse biblike.

Vetëm pak muaj më parë, kryeministri Bufi i qeverisë së Stabilitetit, kishte deklaruar se Shqipëria ‘ka edhe vetëm gjashtë ditë bukë’. Bukë!, bukë ore!, jo lukse. Në këto rrethana zyrtarët e Francës dhe qeveritë europiane i kishin ofruar ndihmë qeverisë Nano. Por qeveria Nano ra për shkak të dhunës me zjarr mbi institucione, dhe kështu gjithçka mbetej në erë.

-A nuk e dinit ju se Nano takoi në Paris vetë zotin Zhak Atali?- mu drejtua Kadare ngultas sikur unë të isha PD. Në fakt isha kryeredaktor i gazetës ‘Rilindja Demokratike’ për të cilën Ismaili tregonte vëmendje të afërt edhe pse larg nga Tirana.

Ai kishte vëmendje të përditshme mbi çfarëdo ndodhte në vend, e sidomos me emocion për Demokracinë. Zhak Atali ishte president i sapo zgjedhur i Bankës Europiane për Zhvillim. Me Kadarenë kishte miqësi të afërt, aq më shumë që vetë Zhak Atali është një shkrimtar, eseist, romancier…, përveçse ekonomist. -Fatos Nano po vinte nga Franca me 200 milionë euro, të akorduar nga Banka Europiane- tha Kadare- Ju e rrëzuar që në aeroplan- mu drejtua përsëri.

Nuk kisha fjalë. Edhe sikur të isha ndodhur në Tiranë, s’kisha fjalë. Aq më tepër që gjithçka ishte e ngatërruar. Në fushën e ‘demokracisë’ kishin hyrë halldupë të panjohur, të cilët as kishin lidhje me idenë e paqes e të zhvillimit; as me studentët, as me intelektualët që krijuan PD-në. Zjarre dhe sulme dinin.

-Po këta minatorët e Valiasit, i njihni?- më pyeti Ismaili. ‘Se që nuk janë minatorët ata që duan të djegin vendin, kjo është para syve!’- foli prapë Kadare. ‘Po kush lëviz pas tyre?’ Biseda qe me tension, me një vrull argumentesh e keqardhjeje nga Ismaili. Rrinte sa  rrinte, dhe e lëshohej:

“Zhak Atali ishte i detyruar ta pezullonte fondin e ndihmës për Shqipërinë… Ma tha vetë. Ai kishte më shumë merak se ne shqiptarët…” -Po njerëzit që kërkojnë ushqim e ilaçe, këtyre çfarë tu themi?. Me zjarre nuk bëhet demokraci!’, tha Ismaili prapë.

Tani që po e shajnë edhe në ditën e  vdekjes, dhe që janë pikërisht ata që janë grupuar në atë grup që i bëri dëme vendit në emër të ‘demokracisë’, nuk ia harrojnë Kadaresë pse nuk pajtohej me ‘grupin e zjarrit’. Ismail Kadare, titani i dashuruar me vendin dhe kombin e tij shqiptar, u ndodh para të papriturave që po ndodhnin në Tiranë.

E kishin marrë në dorë ‘demokracinë’ dhe kishin ndezur zjarret për të djegur vendin. Derisa ndezë edhe luftën mes shqiptarëve në vitin 1997.

Edhe sot ndezin zjarre me goma e me armë molotov mu në sheshin kryesor të kryeqytetit. … Kadare nuk e kishte parë në ëndërr këtë ogur të zi në vitin 1991, e kishte parë me sytë e mendjes, sy që kujdeseshin mbi fatet e vendit.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Lamtumira për Kadarenë/ Fatos Kongoli: Ishte shkollë letrare! Rita Petro: donte një diell perëndimor për Shqipërinë

Lamtumira për Kadarenë/ Fatos Kongoli: Ishte shkollë letrare! Rita Petro: donte një diell perëndimor për Shqipërinë