Avokati i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, publikoi pak ditë më parë një dokument, për të cilin tha se tregon që kallëzimi ndaj të të parit të Tiranës dhe bashkëshortes së tij, nuk është bërë vetëm nga Nesti Angoni, por edhe nga një tjetër person që nuk ekziston “Nasta Pëllumbi”.
“Mendojmë se gjatë hetimit të thelluar të këtij fakti penal, të paraqitur në këtë informacion, kemi bindjen e plotë se do të dalin në dritë të tjera episode të ngjashme si kjo që lidhen me veprimet e paligjshme të zonjës Ajola Xoxa. Ju urojmë suksese! Me respekt Nasta Pëllumbi, Lëvizja Qytetare Anti-Korrupsion”, shkruhej në dokumentin e siguruar nga mbrojtja e Veliajt.
Në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Ndreca tha se ndërtimi i një narrative penale ndaj një personazhi të rëndësishëm politik si Veliaj, bazuar mbi një informacion të një personi inekzistent, hedh dyshime për integritetin dhe profesionalizmin në realizimin e këtij hetimi penal.
Ndreca tha se në këtë moment mbrojtja e Veliajt po njihet me provat e depozituara nga SPAK në Gjykatën e Posaçme dhe paralajmëroi se në vijim do të paraqesin të tjera argumenta të forta, që sipas tij hedhin dyshime mbi profesionalizmin e hetimit ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
“Materiali është marrë si provë nga SPAK. Arsyeja që ne ramë në kontakt me këtë dokument, vjen si pasojë e faktit që tani ne jemi në një fazë që po njihemi me provat e depozituara nga Prokuroria në Gjykatë. Pra Prokuroria ka depozituar dosjen e saj, mbi bazën e së cilës ka kërkuar edhe gjykimin e Veliajt. Dhe sigurisht mbrojtja, ashtu siç edhe Veliaj ka marrë pjesën më të madhe të dokumentave, edhe mbrojtja po bën detyrën e saj duke verifikuar gjithë dokumentacionin që ndodhet në GJKKO.
Nasta Pëllumbi, referuar kërkimeve që kemi bërë, nuk rezulton të jetë person fizik. As Lëvizja Qytetare Anti-Korrupsion nuk rezulton në regjistrin e OJF-ve në të gjitha kërkimet që ne kemi bërë. Pra është e njëjta formë e të bërit kallëzim, siç ishte rasti i Nesti Angonit, i cili po ashtu, bazuar edhe në kërkimet që vetë Prokuroria ka bërë, nuk rezulton që të jetë një person fizik i regjistruar. Pra është një person anonim dhe një person inekzistent për të qenë korrekt. Këta kanë tentuar të identifikohen me një emër, por në fakt nuk ekziston si emër.
Për rrjedhojë janë kallëzime që kanë ardhur nga persona që nuk dihet se kush janë realisht. Këto janë kallëzime që hedhin dyshime shumë serioze mbi integritetin e gjithë hetimit të bërë nga Prokuroria. Pra fillimi i një procedimi penal, për një personazh kaq të rëndësishëm politik siç është Veliaj, ndërtimi i një narrative penale bazuar mbi një informacion të një personi inekzistent, hedh dyshime për integritetin dhe profesionalizmin në realizimin e këtij hetimi penal. Ne do vijojmë verifikimet tona. Ka momente të tjera që ne do i bëjmë të ditura për publikun, si pjesë e strategjisë tonë të mbrojtjes”, tha mes të tjerash Ndreca.
Avokati Ndreca vijoi më tej duke thënë se hetimi i SPAK ndaj Veliajt ka pasur si qëllim ‘peshkimin’ e individit dhe jo ‘peshkimin’ e së vërtetës.
Ai shtoi gjithashtu se hetimi i SPAK ndaj Veliajt ka qenë një hetim i paautorizuar, në shkelje të rëndë të procedurave.
“Ka vetëm një hetim, i cili është një hetim i bër në mënyrë peshkuese. Pra ka pasur si qëllim për të peshkuar individin dhe nuk ka pasur si qëllim për të peshkuar të vërtetën. Kjo duket nga hetimi i paautorizuar, nga shkelja e rëndë e procedurave”, vijoi më tej Ndreca.
Kujtojmë se ditën e sotme ishte planifikuar zhvillimi i një seance gjyqësore për Erion Veliajn, e cila nuk është zhvilluar.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej shkurtit të vitit të kaluar dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Pak ditë më parë avokati i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, publikoi një dokument, për të cilin tha se tregon që kallëzimi ndaj të parit të Tiranës dhe bashkëshortes së tij, nuk është bërë vetëm nga Nesti Angoni, por edhe nga një tjetër person që nuk ekziston “Nasta Pëllumbi”.
Lidhur me këtë pretendim, ish-prokurori Ervin Karanxha deklaroi në studion e emisionit ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, se në bazë të nenit 194 të kodit të procedurës penale, dokumentet anonime nuk mund të përdoren për të bërë një kallëzim penal.
Po ashtu me ironi Karanxha tha se këto kallëzimet anonime të kujtojnë komedinë ‘Pallati 176’, ku letrën baltosëse e shkroi vetë ‘miku që i donte të mirën’.
Marsela Karapanço: A mund të merret për provë apo indicie një denoncim i tillë, kur të paktën nga kërkimet e palës mbrojtëse nuk rezulton që ‘Nasta Pëllumbi’ nuk rezulton që të jetë në gjendjen civile si person?
Ervin Karanxha: Përgjigja e pyetjes suaj gjendet në nenin 194 të kodit të procedurës penale. Dokumentet anonime nuk mund të përdoren. Dokumentat anonimë nuk mund të përdoren. Sepse një person, kushdo qoftë që bën një kallëzim në organet e ndjekjes penale, nuk ka pse fshihet me emrat Nesti dhe Nasta. Duke qenë se emrat janë të ngjashëm, tregon se kemi të bëjmë me të njëjtën dorë. Këto dokumenta nuk mund të përdoren. A mund të regjistrohet procedimi penal me një letër anonime? Me një person të panjohur? Sepse ai që është burrë dhe që e ndjen përgjegjësinë qytetare, shkon me emër, me mbiemër, me firmë dhe vulë, s’ka pse bën letër anonime. Këto letra anonime na kujtonë Pallatin 176 (nga një mik, që letrën e kishte bërë vetë).
Na ana tjetër, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca është shprehur se ka një procedurë që SPAK duhet të ndiqte për të shkuar deri te Veliaj dhe jo të ecte me hamendësime.
Kjo pasi sipas Ndrecës, nëse SPAK nis hetimet me paragjykime për kryebashkiakun Veliaj, do të thotë se i gjithë procesi është i paragjykuar.
Ndreca tha më tej se Veliaj është i pari zyrtar në Shqipëri të cilit i është bërë vetting penal.
Marsela Karapanço: Mirë, por dikush në këtë moment dikush mund të pyesë ‘për çfarë duhen gjurmët kur ne kemi gjurmët përpara?’ Pra kur ata mund të japin fakte dhe të merren me kush e ka bërë si emër apo jo?
Plarent Ndreca: Para se të shkojmë te ujku, ka një procedurë si shkohet te ujku. Nuk shkohet te ujku, sepse ti mendon se aty është ujku. Ti duhet të shkosh aty për të gjetur të vërtetën, për të gjetur veprën penale, pastaj autorin e veprës penale. Nëse ti ecën me paragjykimin se ‘aty është ujku’, do të thotë se ti ke bërë një proces tërësisht të paragjykuar. Pra ti je drejtuar drejt individit për të hetuar individin. Pra siç rezulton është hetuar individi qartësisht, sepse është i pari zyrtar në Shqipëri të cilit i është bërë një vetting penal. Pra të gjithë gjyqtarë e prokurorë kanë bërë vetting administrativ, ndërsa Veliajt i është bërë vetting penal. Pra janë përdorur instrumenta penal për të bërë një vetting. Pra duket që nuk është shqyrtuar e vërteta, por është hetuar individi.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej shkurtit të vitit të kaluar dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Komente










