Daut Gumeni, anëtar i Autoritetit të Hapjes së Dosjeve i ftuar në emisionin “45 minuta” të gazetarit Denis Minga kundërshton qëndrimet e historianit Pëllumb Xhufi, sa i takon Kampit të Tepelenës ku në vitet e diktaturës janë mbajtur të internuarit politik. 

Deklaratat e Xhufit se sipas CIA-s Kampi i Tepelenës ishte më i miri, Gumeni i ka cilësuar emocionale, ndërsa solli në vëmendje se në atë vend, për shkak të mungesës së ushqimit dhe kushteve mizerabël kanë humbur jetën fëmijë. 

“Xhufi ka bërë edhe deklarime emocionale për të cilat nuk mund të jem dakord. E vërteta është se kur vdisnin fëmijë dhe varroseshin në anë të lumit pa varra, aty mbaron çdo justifikim. Kur gra të reja hidheshin në pus të djallit, në një grykë të uritur që edhe policët i merrte uria, nuk ka justifikim kjo punë. Flitet nga 300-400 fëmijë që kanë humbur jetë. Në Tepelenë kam qenë nga 49 në 54. Për numrin e të dënuarve në këtë kamp ka qëndrime të ndryshme, ca thonë 4000, ca 2000, ca 2500.  

Gjatë 50 viteve të regjimit komunist historianët nuk kanë mbledhur të dhëna për emrat e atyre që kanë kaluar në këtë kamp. Gjëja e rëndë është se pavarësisht ç’a ka bërë babai, nuk ka pse paguan fëmija. Kushtet ishin të tilla që do vdisnin fëmijë, aty kishte krimba, diku gjymtoheshin nga shpërthimi i kapsollave”. 

Daut Gumeni, ish i internuar në Kampin e Tepelenës

 Ai thotë se fëmijët internoheshin nga diktatura për t’u bërë presion të afërmve të tyre të cilët kundërshtonin regjimin dhe ndodheshin në arrati. “Nuk arrij ta kuptoj si mund të marrësh fëmijët dhe të marrësh fëmijët e t’i çosh në Tepelenë që të vdesësh urie, të të varrosim në anë të Vjosës në mënyrë që të të marrë Vjosa e të mos mbetet asgjë”

Gumeni thotë se viktimat e Kampit të Tepelenës duhet të nderohen. Gumeni kujton edhe kushtet ekstreme në Burgun e Burrelit në krahasim me atë të Spaçit. "Ndërtohej beton pas betoni. Diku ishte e shkruar "Burgu i shfarosjes së armiqve të popullit". Kanë qenë e shkruar me të kuqe. E dini si i thonin Burrelit? "Burrel, hyn dhe s'del". Në Spaç e dije që do hyje në minierë, por kur dilje shihje diell, shi, borë. Në Burrel vetëm beton. Por sot burgu i Burrelit është harruar, është harruar çfarë ka qenë"