Boksieri Jurgen Uldedaj u nderua nga qyteti i tij i lindjes, vetëm pak javë pas suksesit në Londër, ku 28-vjeçari mposhti me vendim unanim të arbitrave kamerunasin Rolly Lambert Fogoum, dhe u shpall kampion bote në IBO për peshën ‘cruiser’.
“Lezha për Jurgenin nuk është thjeshtë një qytet, por është shtëpi, rrënjë, është fillim dhe themel i karakterit të tij sportiv,”-u shpreh Gjok Uldedaj, xhaxhai i Jurgenit.
“Kampioni Jurgen Uldedaj është shembulli më i mirë që me përkushtim të paparë dhe stërvitje serioze ka arritur majat më të larta që një shqiptar ka arritur deri më sot,”-tha Pjerin Ndreu, kryebashkiak i Lezhës.
Vetë Uldedaj premtoi se fitorja e fundtetorit nuk do të jetë maja karrierës së tij, por e cilësoi vetëm si stacion të radhës.
“Kjo nuk është akoma maja. Kemi akoma rrugë për të bërë dhe shpresoj që t’ju bëj sa më krenar në të ardhmen,”-deklaroi boksieri Uldedaj.
Jurgen Uldedaj është ndër boksierët më premtues të Shqipërisë, teksa deri më tani në boksin profesionist është ndeshur 22 herë, duke koleksionuar 21 fitore dhe vetëm 1 humbje.
Komente









