'Kanabisi, një betejë nga qielli dhe toka' - Report Tv pamje ekskluzive nga monitorimi i Guardia di Finanza (VIDEO)

TIRANE - Lufta kundër kanabisit në Shqipëri vazhdon. Pas pakësimit drastik të bimëve të identifikuara vitin e kaluar nga "Guardia di Financa", duket se kultivuesit kanë ndryshuar strategji. Edhe pse nuk dihen ende shifrat zyrtare, pamjet e siguruara nga ajri tregojnë se synohet gjithmonë e më shumë drejt zonave të fshehta malore, larg qendrave të populluara, për t’iu shmangur sa më shumë operacioneve të policisë në terren, operacione të cilat janë bërë gjithmonë e më agresive. Edhe pse autoritetet shqiptare e kundërshtojnë, burime të ndryshme pretendojnë se trafiku i kanabisit ka ndryshuar drejtim, duke u spostuar nga Italia në drejtim të Turqisë. 

Por ajo çka bie në sy është se ndërhyrja e policisë në terren vjet ka qenë më efikase se sa vetë identifikimi i Guardia di Finanza përmes monitorimit ajror. Kështu po t'i referohemi vitit 2018, policia asgjësoi 35.000 kubike dhe fidanë kanabis, kundrejt 686 të identifikuara nga Guardia di Finanza.

Pikërisht për këtë, tani beteja e madhe kundër drogës në Shqipëri bëhet kryesisht nga qielli.

Report TV është televizioni i parë shqiptar që pati akses për një ditë të tërë në bordin e avionit të Guardia di Finanza-s, i cili, që nga muaji prill, fluturon mbi vend duke kërkuar parcela të mbjella me kanabis. Në këtë mënyrë, patëm mundësinë që të zbulojmë truket që përdorin trafikantët për të fshehur parcelat e tyre, por edhe të njihemi me punën shkencore të Guardia di Finanza-s italiane e të Policisë shqiptare, të cilat, së bashku identifikojnë dhe më pas çrrënjosin bimët e mbjella.

Udhëtimi ynë nis në një kënd të rezervuar në aeroportin e Rinasit, ku avioni i vogël “Piaggio” i Guardia di Finanza-s bëhet gati të ngrihet.

Avioni është i pajisur me dy telekamera speciale, të cilat filmojnë terrenin dhe analizojnë sipërfaqen, nga këndvështrimi fotografik, por edhe nga një këndvështrim hiper–spektral, pra duke arritur të dallojë përmes reflektimit të dritës bimët e mbjella të kanabisit. Në bordin e avionit janë tre pilotë të Guardia di Finanza-s dhe një teknik i tyre, i specializuar në mbledhjen e të dhënave. Ata janë një pjesë e Njësisë së kufirit detar të Guardia di Finanza-s, që shërbejnë në mënyrë të vazhdueshme në Durrës, nën komandën e kolonelit Stefano Leccia. Leccia është një oficer i Guardia di Finanza-s me përvojë të gjatë në lufën kundër trafiqeve të drogës dhe kriminalitetit të organizuar, të zhvilluar në rajonet më të nxehta të Italisë, si Pulja, Sicilia, Kalabria.

Para nisjes, bëhet një brifing i shkurtër në pistë

Synimi i misionit është të kalohet në skaner territori, në kërkim të bimëve të mbjella të kanabisit. Deri pak vite më parë, droga mbillej në fushë, madje edhe në qendrat e banuara, ndërsa tani trafikantët, për t’iu shmangur kontrolleve të Policisë, janë detyruar të fshihen në male, siç pohon një teknik i Guardia di Finanza-s.

"Trendi i kultivimit të canabisit është në hapësira të vogla në sasi të vogël dhe në terreni të thella malore, krahasuar me dikur në zona të banuara dhe një numër të madh parcelash. Në vitet e fundit preferohet që këto plantacione të fshihen mes bimësisë tjetër të pyjeve për tu mos u pikasur nga forcat e ligjit", tregojnë nga Guardia di Finanza.

Fotografitë dhe të dhënat hiper-spektrale të mbledhura gjatë fluturimit regjistrohen në një hard disk, i cili më pas në tokë do të analizohet, por jo vetëm nga teknikët e Guardia di Finanza-s. Me ata, punon edhe një studiues i konsorciumit Benecon, konsorcium që bashkon pesë universitete italiane të rajonit Campania, i cili prej vitesh është specializuar në këto lloj kërkimesh dhe analizash.

Pra, lufta kundër drogës në Shqipëri zhvillohet nga një ekip ndërkombëtar i specializuar në shumë fusha, ku bëjnë pjesë Policia shqiptare, Guardia di Financa dhe studiues të universiteteve, në një aktivitet i përbashkët që deri tani është unik në Evropë.

Ekipi identifikon në tavolinë zonat mbi të cilat duhet të fluturohet dhe ku mendohet se mund të gjenden parcela me kanabis dhe, mbi bazën e këtyre treguesve, hartohet plani i fluturimit. Avioni duhet të ndjekë një seri trajektoresh paralele, si dhëmbët e një krehri, dhe gjatë fluturimit bën fotografi e mbledh të dhëna.

"Fluturimi i sotëm ka të bëjë me një fluturim kontrolli mbi territorin shqiptarë për të monitoruar nëse ka apo jo plantacione canabisi. Sensorët që përdorim janë hiperspektral dhe fotokamera. Fluturimi do të zgjas disa orë dhe kryhet i gjithë operacioni", tha specialisti i GDF-së.

Plani i fluturimit është gati, avioni mund të ngrihet.

Misioni i sotshëm parashikon kontrollin mbi një rajon mes Tiranës dhe Krujës, të cilin nuk mund ta tregojmë për arsye sekreti. Trafikantët janë bërë dinakë dhe këtë vit kanë përqendruar shumë nga parcelat e tyre mbi zona mbi të cilat kalojnë korridore ajore për fluturimet civile për të penguar lëvizjet e avionit të Guardia di Finanza-s, që detyrohet vazhdimisht të largohet nga zona për të lejuar uljen dhe ngritjen e avionëve të linjave. Ndërsa parcela të tjera janë mbjellë edhe në fund të kanioneve, me shpresën se hapësira e kufizuar nuk do të lejonte fluturimin mbi to.

Në monitor tekniku i bordit vëzhgon terrenin poshtë, ndërkohë që kamerat e montuara në avion fotografojnë dhe regjistrojnë gjithçka.

Aparatet ne bord arrijnë të dallojnë një bimë kanabisi që kur ajo është pak centimetra e derisa bëhet e gatshme për ta vjelë, kur kalon dy metra e gjysmë lartësi. Tjetër e re ndaj viteve të mëparshme është fakti se këtë vit marijuana e kultivuar në Shqipëri është “cannabis indika” tradicionale, me cilësi të lartë, ndërsa vitet e kaluara mbillej shpesh kanabisi vietnamez, që kishte avantazhin të piqej në 45 ditë e kështu jepte prodhim më të madh, por cilësia e të cilit ishte shumë e ulët. Ndërsa sot, tregu turk, që e shkëmben kanabisin shqiptar me heroinën më të shtrenjtë, kërkon cilësi më të mirë dhe kultivuesit shqiptarë u janë përshtatur kërkesave të tregut.

Çdo mision fluturimi zgjat rreth dy orë e gjysmë dhe, në rast se kushtet e motit e lejojnë, mund të bëhen edhe dy misione në ditë. Gjatë fluturimit, nuk vumë re me sy të lirë ndonjë parcele të re, por në të vërtetë, për të pasur siguri, monitorimi duhet të vazhdojë në laborator, ku teknikat e analizës së të dhënave të grumbulluara bëhen më të sofistikuara. 

Kështu që është momenti i kthimit në bazë, për të vazhduar hetimin.

Të dhënat e regjistruara gjatë fluturimit, që mblidhen në një hard disk, transferohen pranë laboratorit të Guardia di Finanza-s, i cili është ngritur brenda në një nga Drejtoritë e Policisë shqiptare. Të dhënat shkarkohen tek sistemi qendror dhe këtu nis analiza nga ana e specialistëve të Guardia di Finanza-s, me të cilët bashkëpunon një studiues i konsorciumit universitar Benecon.

"Sapo kthehemi në laborator shkarkohet i gjithë filmimi. Sic e shihni në pamjen tonë është një pjesë e cila shfaq interes. Marrim këtë foto e kalojmë në një tjetër file dhe ja kalojm benecon për analizim të detajuar pasi me sy të lirë dallohet prania e canabisit", tregon specialisti i Guardia di Finanza.

Pra, në ekran sytë ekspertë të Guardia di Finanza-s kanë lokalizuar një parcelë të dyshuar si të mbjellë me kanabis, por, për të pasur sigurinë se fjala është me të vërtetë për marijuanë dhe jo për një bimë tjetër të ligjshme, pamjet i kalojnë specialistit të konsorciumit Benecon, i cili kryen një analizë më të detajuar me spektrometër.

"Në prodhojmë informacione si psh gjërsia dhe lartësia e plantacionit të pikasur, si dhe të dhënat e sakta gjeografike ku ndodhet. Me të marrë të dhënat me foto nga GDF, mund të arrijmë të prodhojmë më pas të dhënat e sakta. Në kemi parametrat tonë të cilat na japim indikacionet e para se ka apo jo prani të marjuanës në zonën e monitoruar. Në raportin final përfshihet të dhëna të sakta si dhe hapësira se sa m2 është plantacioni", tregon specialisti i universitetit.

Në përfundim të çdo misioni fluturimi, Guardia di Finanza dhe ekspertët e konsorciumit universitar hartojnë një raport, në të cilin tregojnë lokalizimin e saktë të kultivimeve të drogës që janë zbuluar dhe përmasat e tyre. Këtë raport ata ja japin oficerit të ndërlidhjes, i cili është pjesë e shërbimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të Policisë me Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale, që ndodhet pranë Ambasadës Italiane në Tiranë.

"Të dhënat tonat dhe ato të BENECO-n përfshihen në këtë raport me të dhënat e sakta pranuara nga palët dhe kalohet tek oficeri ndërlidhjes në ambasadën tonë dhe i kalohet më pas policisë shqiptare. Koordinatat janë të sakta dhe më pas policia ndërhyn. Ka ndodhur të rikontrollojmë të njëjtën zonë për të parë nëse është kryer apo jo ndërhyrje apo e njëjta zonë pasi është asgjësuar është mbjellë sërish", tregon oficeri i Guardia di Finanza.

Pra, pasi është lokalizuar parcela e kanabisit nga lart, hyn në lojë Policia shqiptare, së cilës i takon detyra më e vështirë në terren: të shkojë me këmbë tek parcelat, të cilat, sikurse thamë më parë, shpesh janë të fshehura në majë të maleve, apo në brendësi të pyjeve, e më pas t’i shkatërrojnë ato. Disa herë, trafikantët zgjedhin si vende për parcelat zona afër lumenjve apo përrenjve, herë të tjera, sikurse tregojnë këto foto, të bëra nga Guardia di Financa, ndërtojnë vaska, të cilat i mbushin me ujë që e sjellin me mushka.

Policia shqiptare duhet të veprojë shpejt, pasi, nga momenti i sinjalizimit, deri tek ndërhyrja duhet të kalojnë vetëm pak orë, sepse trafikantët, kur e kuptojnë që janë zbuluar nga avioni, e përshpejtojnë vjeljen. Në këto pamje, të realizuara nga Guardia di Finanza, shihet një parcelë e filmuar në të cilën është duke u vjelë prodhimi. Por Policia ka arritur të ndërhyjë me vone dhe të bllokojë drogën. 

Në mes të pyjeve, trafikantët presin pemët për të krijuar një hapësirë të fshehtë, në të cilën të kultivojnë drogën dhe disa herë qëllon, si në këtë rast, që fusha e kanabisit të marrë formën e çuditshme të zemrës.

Por si përfundoi parcela e zbuluar gjatë fluturimit tonë dhe që iu sinjalizua më pas Policisë shqiptare.

Me avionin e Guardia di Finanza-s u kthyem të fluturojmë mbi po atë zonë dhe, siç duket nga këto pamje, bimët janë prerë nga forcat speciale të dërguara atje.Lufta kundër marijuanës është një luftë e vazhdueshme e cila zhvillohet në qiell e në tokë, derisa forca e shtetit, edhe në sajë të bashkëpunimit ndërkombëtar, të arrijë ta fitojë përfundimisht këtë betejë të gjatë kundër krimit.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim