Autoritetet greke kanë kapur rreth 500 kilogramë kanabis të fshehur brenda një kamioni me targa bullgare në portin e Igumenicës. Droga, një nga sasitë më të mëdha të kapura ndonjëherë në territorin grek, ishte fshehur mes produkteve të kuzhinës dhe letrave higjenike për t’i shpëtuar kontrollut.

Sipas të dhënave të policisë, ngarkesa ishte nisur nga Valencia e Spanjës, kishte kaluar përmes Italisë deri në Greqi. Dyshohet se destinacioni final mund të ishte Turqia, ku lloji skunk i kanabisit shitet më shtrenjtë.

Shoferi i kamionit, një 50 vjeçar me origjinë bullgare, nuk është treguar bashkëpunues me autoritetet dhe nuk ka dhënë informacione për rrjetin kriminal që qëndron pas kësaj ngarkese.

Operacioni u realizua me ndihmën e një qeni antidrogë dhe u organizua nga strukturat e antidrogës në bashkëpunim me rojën bregdetare. Mësohet se kamioni ishte vënë nën vëzhgim prej rreth një muaji, pas informacioneve të siguruara nga autoritetet në Bullgari.

Vlera e drogës në tregun e zi llogaritet shumë e lartë, për shkak të cilësisë së kanabisit hidroponik dhe sasisë së konsiderueshme të sekuestruar.