Karamelo për Shqiptarja.com: Pse isha i vetmi që votova kundër dhurimit të apartamenteve për të prekurit nga tërmeti

TIRANË - Deputeti i opozitës së re parlamentare, Ligoraq Karamelo, ishte i vetmi nga kuvendi që votoi kundër dhurimit të 17 apartamenteve në varësi të Bashkisë së Tiranës, për familjet e prekura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit. Në një prononcim për Shqiptarja.com, Karamelo thotë se kjo votë kundër erdhi për shkak se sipas tij, ato janë banesa sociale që u hiqen të pastrehëve dhe u jepen të prekurve nga tërmeti.  Deputeti Ligoraq Karamelo tha se këto apartamente nuk duhej të dhuroheshin pa ndryshuar më parë ligjin.

"Ai fond për familjet, dhurimi i apartamenteve është në shkelje të ligjit, është për propagandë. Sepse ato fonde janë të përcaktuara me ligj për të pastrehët dhe nuk mund të ndryshohet destinacioni i tyre pa ndryshuar ligjin. Ato familje që do jepen, kush i cakton kriteret? Kjo tregon që mund të bëhet ndryshimi i fondeve për një palë në kurriz të palës tjetër dhe kjo është e padrejtë. Edhe familjet e pastreha janë në hall dhe kanë problemet e tyre. Fondi që është për banesat sociale për të pastrehët nuk mund të jepet për të tjerët. E gjitha ishte thjesht një propagandë dhe zgjidhin një hall duke krijuar shqetësime të tjera. Zgjidhja e problemeve të tërmetit duhet të bëhet në tërësi dhe mbi bazën e një transparence të thellë. Duhej ndryshuar ligji që fondet që ka marrë qeverisja vendore për banesat sociale, dhe të përcaktohej edhe për situatë emergjence. Duhet të ishte përcaktuar mënyra si do të jepen dhe se kush do t'i marrë ato. Mund të jenë edhe me prapavijë politike, që mund të jepen sipas preferencave partiake që kanë", u shpreh Karamelo për Shqiptarja.com.  

Deputeti thotë se edhe opozita e re parlamentare duhej të ishte pjesë e tryeza për situatën e jashtëzakonshme ku ndodhet vendi pas tërmetit që shënoi 51 viktima.

"Duhet të bëhej ç'është e mundur që në komisionin që ka ngritur për emergjencën duhej të kishte marrë pjesë edhe opozita parlamentare, ne jemi pjesë e atij parlamenti dhe e votimeve. Apo kur vjen puna për të realizuar synimet ne jemi të mirë, kur vjen puna për të kërkuar llogari ne bëhemi të këqij", shprehet Karamelo.

Këtë qëndrim të tijin, Karamelo thotë se e ka diskutuar edhe me kolegët e opozitës së re, apo ata votuan pro, "duke u bazuar më tepër me karakterin human të votimit".

Një ndër arsyet që deputeti thotë se e bëri të votojë kundër, është edhe gjuha që kryeministri Edi Rama përdori, duke i quajtur gërmadhë e tërmetit që ka pësuar Partia Demokratike.

"Unë u indinjova me faktin që desha t'i kundërpërgjigjesha kryeministrit për mënyrën si foli dhe si trajtoi opozitën.  Unë votova kundër edhe për qëndrimin e kryeministrit, duke përdorur një gjuhë rrugacërie, na quajti gërmadhat e tërmetit që ka pësuar Partia Demokratike. Kjo mënyrë e të folurit nuk ishte korrekte", përfundoi Karamelo reagimin e tij për Shqiptarja.com.

Gjatë seancës të së enjtes, Kuvendi miratoi aktin normativ për dhurimin e 17 apartamenteve në pronësi të Bashkisë Tiranë në njësinë numër 1 për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, duke mbetur të pastreha për shkak të dëmtimit të banesave. Akti normativ u miratua me 112 vota pro. Kuvendi miratoi gjithashtu fondin në buzhetin e shtetit, prej 20 miliardë lekë, ku nga kjo vlerë, 13 miliardë janë lekë si transfertë nga të ardhurat buxhetore, dhe 7 miliardë janë të ardhura nga donacionet e ndryshme për të prekurit nga tërmeti.

G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Deri në 80 mijë lekë gjobë për përdorimin e celularit në timon, jeni dakord?

Komento

Komente

  • Tom Bixhozi: 07/12/2019 00:47

    Karamelon dhe cfare perfaqeson nuk e njoh fare. Por eshte per tu pergezuar per qendrimin qe mbajti. Mos harroni o njerez qe demagoget me parate tona bejne bamiresi sa te duan. Por kur I jepet njerit, i hiqen tjetrit.

    Përgjigju